1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ponta u largua - më në fund!

Robert Schwartz4 Nëntor 2015

Kryeministri i Rumanisë duhet të qe larguar prej kohësh. Në Rumani po përjetojmë tani një revolucion të kadifejtë të brezit të ri kundër establishmenit kokëfortë, mendon Robert Schwartz.

https://p.dw.com/p/1GzSW
Rumänien Victor Ponta
Fotografi: picture-alliance/dpa/O. Ganea

Pse duhet të vinte puna deri te një katastrofë me dyzina të vdekurish në Bukuresht, përpara se të largohet një kryeministër krejt i papërgjegjshëm? Pse u desh që të dalin disa mijëra vetë në rrugë, për t'i treguar një kryeministri të diskredituar thellësisht se kush është? Përgjigja është më e thjeshtë se ajo që kujtojnë shumë vetë: sepse, shtysa e mbijetesës e një sistemi politik të korruptuar është më e fortë se çdo përgjegjësi politike dhe morale.

Këtë herë kjo do të ndryshojë. Ajo që përjetojmë tani është një revolucion i kadifejtë i brezit të ri kundër establishmenit kokëfortë. Një establishment, i cili është ndërtuar si kështjellë një çerek shekulli më parë nga ish-komunistët dhe ish- bashkëpunëtorët e shërbimit të fshehtë. Një ndërthurrje e korrupsionit, nepotizmit dhe varësive politike e kishte vendin nën kontroll. Deri sot!

Dimensioni emocional i tragjedisë së të premtes së kaluar në një klub nate të Bukureshtit kaloi në një dimension tepër politik. Ponta dhe qeveria e larguar me të duhet të jenë vetëm fillimi i ortekut, që e merr me vete llumin politik, për ta përtërirë shoqërinë dhe për ta vënë në rrugë të drejtë. Dorëheqja e Pontas duhet të qe bërë prej kohësh. Jo vetëm për shkak të kopjimit që i kishte bërë punimit të doktoraturës dhe të akuzës për korrupsion. Pak para marrjes së postit në verë 2012 ai e nxorri nga shinat shtetin juridik, për ta larguar nga posti Presidentin e atëhershëm Traian Basescu, kundërshtarin e tij më të betuar dhe për të vendosur kontrollin mbi organet e drejtësisë. Për fat të mirë për Rumaninë, përpjekja e tij dështoi keq - e megjithatë ai mbeti në post.

Tani ka ardhur shansi që brezi i ri dhe i shkolluar mirë, që ka dalë këtë herë në rrugë të marrë përgjegjësinë. Dhe presidenti liberal-konservator Klaus Iohannis do të bënte mirë, po t'u kushtonte më shumë vëmendje zërave të rinj. Politika e tij "hap-pas-hapi" është kritikuar me të drejtë prej shumë vetëve si e pavendosur dhe e përmbajtur. Megjithatë: thirrjet e tij të përsëritura që Ponta të japë dorëheqjen nuk mbetën pa pasoja. Ato e përforcuan presionin politik ndaj Pontës dhe qeverisë së tij, të cilin në bazë të kushtetutës Presidenti rumun mund dhe duhet ta ushtrojë. Këtë socialdemokratët në pushtet dhe partnerët e tyre të koalicionit duket se e kanë kuptuar vetëm pjesërisht. Pas dorëheqjes së Pontas ata thanë se do të paraqesin një qeveri të re. Një sinjal fatal!

Këtyre lëvizjeve politike të shahut tani duhet t'u jepet fund. Vendi ka nevojë urgjente për reforma, për të dalë nga këneta, e kontrolluar prej dekadash nga oportunistët dhe turistët e partisë. Njerëzit në Rumani - këtë ata e treguan në mënyrë impresionuese në zgjedhjet presidenciale në nëntor të vitit të kaluar - dëshirojnë më në fund që shoqëria të shkundet e të përfshihet nga hovi. Ky moment ka ardhur. Tragjike vetëm është se ishte një tragjedi ajo që e vuri në lëvizje ortekun.