1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krizë e re energjitike në Shqipëri?

Ani Ruci27 Shkurt 2006

Në Shqipëri dështon një tender ndërkombëtar për blerje të energjisë elektrike. Vendi përjeton sërish ndërprerje të energjisë, me disa orë errësirë çdo ditë

https://p.dw.com/p/As7m
Pamje nga Tirana
Pamje nga TiranaFotografi: AP

10 kompani ndërkombëtare kanë marrë pjesë sot në Tiranë në një tender ndërkombëtar, të organizuar nga Korporata Elektroenegjitike e Shqipërisë - KESH- për të përcaktuar, se cila do të jetë ajo që do t´i shesë energji vendit të përfshirë nga një krizë kronike.

KESH ka vendosur të blejë me 50 milion euro një sasi energjie prej 1- miliard e 500 milion kilovatorë për të plotësuar nevojat e periudhës Prill- Dhjetor 2006.

Por asnjë nga kompanitë e huaja pjesemarrëse në tender nuk ka arritur të shpallet fituese. Burime zyrtare nga KESH pohuan për DW se asnjëra prej tyre nuk e kishte të plotë dokumentacionin e kërkuar.

Ky është një lajm i keq për konsumatoret në Shqipëri. Ndonëse autoritetet e qeverisë së Tiranës pohuan, se tanimë Shqipëria ka dalë nga kriza energjitike realiteti tregon të kundërtën.

Vetëm në Tiranë, ku banon 1/3 e popullsisë ka një ndërprerje të energjisë 4 orëshe çdo ditë. Në rrethet e tjera të vendit orët e gjata të errësirës arrijnë në 8- 15 orë. Jeta e përditshme e popullates ne Shqipëri mbetet larg të qenit, në mënyrë modeste, normale.