1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza lë gjurmë te të rinjtë në Greqi

14 Janar 2011

Sipas një studimi të fundit 7 në çdo 10 të rinj grekë shohin perspektivë jashtë shtetit, kurse 1 në çdo katër të rinj ka filluar nga procedurat. Po të rinjtë shqiptarë të emigracionit?

https://p.dw.com/p/zxAZ
Studente greke
Studente grekeFotografi: DW

E diplomuar si antropologe në vitin 2003 në Universitetin e Thesalisë dhe me studime pasuniversitare, por edhe doktoraturë në Londër në vijim, para dy vjetësh u kthye në Greqi për të nisur karrierën e saj profesionale dhe për të fituar jetesën. Por si pjesa dërrmuese e të rinjve grekë, Xheni Rusi deri tani ka mbetur me ëndrrën e saj.

"Kur u ktheva kisha shpresë se falë studimeve të shumta, bile edhe me doktoraturë, do të gjeja një punë në Akademi ose në një sektor të përafërt me degën time. Për fat të keq, gjërat janë vështirësuar shumë dhe nuk rrodhën aspak siç i prisja me kthimin tim,"

thotë Xheni pa mundur ende ta kapë fillin. Zhgënjimi më i fundit ishte kur humbi shansin e një vendi pune në arsim, për shkak të uljes së pikave të diplomave nga një rregullim i ri ligjor.

Xheni Rusi
Xheni RusiFotografi: Nikos Anagnostou

I vështirë ishte edhe më parë punësimi i të rinjve, por siç thotë Xheni, kriza e thellë e borxhit që ka mbërthyer vendin e ka ngatërruar keq lëmshin.

"Pikërisht për shkak të krizës kërkoj punë krejt tjetër nga objekti i studimeve të mia, thjesht punë zyre. Por ku ka punë, kriza nuk ka lënë pëllëmbë pa shkelur,"

thotë Xheni dhe me një pezmatim të dukshëm në fytyrë nuk e fsheh se mendon "emigrimin në Angli apo në ndonjë vend tjetër ku do të mund të gjejë një punë të denjë për diplomat e saj".

Brezi i dytë i emigracionit nga Greqia

"Në vendin tim për fat të keq gjërat janë vështirësuar shumë. Kriza nuk ka për të mbaruar lehtë," thotë Xheni që e sheh veten si brezin e dytë të emigracionit, pas atij të babait të saj nëpër Australi, në vitet '70-të, si punëtor. Pavarësisht se aktualisht nuk bëhet për punë krahu, si atëherë në dekadat e para të pas luftës, edhe ky emigrim për arsye ekonomike bëhet. Sipas një studimi të fundit 7 në çdo dhjetë të rinj grekë, me dhe pa diplomë, e shohin emigrimin si zgjidhje për mbijetesë dhe karrierë. Një në katër bile kanë nisur dhe procedurën. Akoma pa mbaruar shkollën mendojnë emigrimin, jo vetëm në Perëndim, por edhe në Lindje tani, ku shohin shumë shanse.

"Mendoj si perspektivë që të mbetem jashtë shtetit" thotë studenti i vitit të tretë të Informatikës, Jorgos Germanakos, që në verë do të shkojë në Rusi për të parë shanset që ofrohen. "Në qoftë se nuk do të jetë Rusia do të jetë diçka tjetër. Po gjeta ndonjë një shans do të mbetem aty. Nuk kam prioritet të parë Greqinë". Sipas një studimi tjetër, të shoqërisë demoskopike "Pulse", 41% e të rinjve ka kërkuar punë jashtë shtetit, kur 66% e tyre e konsiderojnë të gabuar kursin, që ndiqet në vend.

Kriza nuk bën dallime, ajo u prish ëndrrat dhe u mbyll horizontin në vend edhe të rinjve imigrantë. Juliana dhe Viola, korçare që të dyja, që prezantohen vetëm me emrin e tyre, nuk e fshehin se Greqia është vendi i plotësimit vetëm të një pjese të ëndrave të tyre. "Realizova planet dhe ëndrrat e mia përsa i përket studimeve," thotë Juliana, që pas studimeve të saj pasuniversitare pedagogjike në Angli u kthye sërish në Greqi. Këtu e priste edhe "zhgënjimi i parë i madh", siç thotë. "M'u ofrua një vend pune, besova fillimisht se ishte ai që desha, por në muajin e parë u zhgënjeva se kontrata e punës nuk u përgjigjej as nga ana financiare studimeve universitare dhe pasuniversitare që kisha bërë".

Juliana dhe Viola
Juliana dhe ViolaFotografi: Nikos Anagnostou

Integrimi i imigrantëve është vështirësuar

Sikur të mos mjaftonin "mentaliteti" dhe "barrierat" për fëmijët e imigracionit –Viola është shumë e pezmatuar për këtë - kriza e vështirësoi dhe më tepër integrimin e tyre në tregun e punës. "Mendoj se përpiqem prapë të dal jashtë Greqisë për dy arsye: për shanse më të mira pune dhe jetese," thotë Juliana, e cila vlerëson se është pak si herët që të cilësojmë brezin e saj si "brezin e krizës", me gjithë pasojat e dukshme të saj.

E ardhur më vonë në Greqi, në vitin 1998, dhe duke e ndjerë veten më pak të integruar, Viola nuk e sheh si një gjë të keqe emigrimin. "Të emigrosh nuk do të thotë se është diçka e keqe. Është thjesht një mundësi për të shkuar në një vend tjetër dhe për të testuar dhe mundësitë e tua," thotë Viola, që qëllimisht ndoqi studimet në kolegun amerikan "për të provuar një sistem tjetër arsimor, por edhe për mundësi të tjera emigrimi". Mund të jetë imigrante dhe aktualisht shitëse në një dyqan pijesh, por mëndjen e ka te emigrimi për studime dhe punë jashtë shtetit si një "qytetare e botës". "Të gjithë kanë të drejtë për të ëndërruar dhe për të bërë plane për të ardhmen e tyre, sado vështirësira që të kalojnë," thotë prerë Viola me një siguri që vetëm të rinjtë mund ta kenë. Qofshin vendas apo të huaj, që përbëjnë edhe të vetmen notë optimiste në sfondin depresiv të krizës...

Autor: Niko Anagnosti/ Athinë

Redaktoi: Auron Dodi