1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

KRIZA GREKE SHQETËSON THELLË DHE FQINJËT

22 Shkurt 2010

Kriza financiare greke është kthyer në një shqetësim të madh jo vetëm për eurozonën, por edhe për fqinjët ballkanikë. Profesor doktor Anastas Angjeli, i ndodhur këto ditë në Athinë, bisedoi me korrespondentin tonë

https://p.dw.com/p/M8IR
Fotografi: DW-TV

Rekomandimet e njëpasnjëshme të Brukselit për masa shtrënguese, të cilat u ngjajnë kutive të pafundme kineze dhe thuhet se do të arrijnë në 80 gjithsejt deri në vitin 2012, dëshmojnë qartë krizën e thellë financiare të ekonomisë greke, të venë tashmë nën mbikqyrje të plotë evropiane dhe në «shtratin e Prokrustit», në kuptimin e vërtetë të fjalës. Qytetarët e kërcënuar nga makthi i papunësisë, që në fund të këtij viti mund të arrijë në 1 milionë vetë dhe shkurtimit drastik të të ardhurave të tyre, dëgjojnë tani të shokuar nga ish drejtuesi i Shërbimit Statistikor Kombëtar, Manolis Kondopiraqis, se e “vetmja zgjidhje është të kthehemi në nivelin e jetesës së vitit 1970”.

Çfarë ndikimi mund të ketë kriza greke në ekonominë shqiptare?

Një krizë e tillë, që ka ulur brenda një muaji gati 10% vlerën e euros përkundrejt dollarit dhe u ka hequr gjumin evropianëve nga frika e një destabilizimi më të gjerë të eurozonës, nuk mund të lerë të qetë dhe fqinjët e Greqisë për pasojat në ekonomitë e tyre të brishta dhe në tranzicion të ndërlidhura me atë greke. Këtë shqetësim përcjell përmes Deutsche Welle edhe profesor doktor Anastas Angjeli, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe ish ministër i Financave i qeverisjes socialiste, që u ndodh zyrtarisht këto ditë në Athinë. «Unë mendoj se padyshim situata kαq e vështirë eκonomiko-financiare në Greqi do të ketë ndikimin e vet dhe në ekonominë shqiptare në disa drejtime. Greqia është vendi i dytë në shkëmbimet ekonomiko-tregtare dhe investimet në Shqipëri dhe një krizë në Greqi padyshim që do t'ι dobësonte dhe ulte këto marrëdhënie të eksport-importit dhe investimeve». Me 27% të totalit të investimeve të huaja në Shqipëri, Greqia zë vendin e parë, përsa i përket kuotës së kapitalit të investuar, që arrin në 800 milionë dollarë. Nga rreth 270 biznese greke dhe mikse të fushave të ndryshme pasojat më të mëdha gjatë vitit 2009 i pati dega e veshmbathjes, ku si pasojë e mbylljes së njësive prodhuese të tipit fason në Korçë kanë humbur punën 300 punonjës. Tronditje patën edhe sektorët e ushqimeve dhe tregtisë me pakicë, por jo sa fusha e ndërtimit, ku investimet greke zenë 30-40%.

Griechische Bank, Tirana, Albanien
Banka greke në TiranëFotografi: DW

Pasojat sot do të ishin më direkte dhe më të thella për ekonominë shqiptare, në qoftë se kriza greke nuk do të kishte një veçori. «Nëse kriza globale në fillim në SHBA, në Angli dhe disa vende të tjera përfshiu sistemin bankar, Greqia ka një veçori në këtë krizë. Ajo është një krizë e borxhit publik». Pa “obligacionet toksike” dhe me një indeks të lartë fitimi në krahasim me simotrat e tyre evropiane, bankat greke duke parë ngushtë interesat e tyre akoma edhe paketën e ndihmës shtetërore prej 27 miliardë euro nuk ia kaluan biznesit prodhues për kreditimin e tij në kushte të favorshme, që ishte edhe obligimi i tyre, por sektorit publik financiar, siç vëren dhe Angjeli.

Lakmia për fitim me çdo kusht dhe në mesin e krizës mund të kthehet në bumerang.

Griechenland Finanzkrise #NO FLASH#
Kurba në rënie në qiellin financiar grekFotografi: DW/AP

«Tashmë bankat janë rifutur në këtë cikël përmes dhënies së borxhit qeverisë. Kjo besoj që do të sjellë shqetësimet e veta dhe në sistemin financiar dhe bankar grek. Këtu synon programi i qeverisë së re greke, për të frenuar këtë tronditje që do të ketë ky sistem”. Një tronditje, që mund të jetë shumë e afërt, kur vetëm për 3-4 javët e ardhshme duhen 22 miliardë euro për obligacionet në skadim dhe sa vjen e thellohet pamundësia e bizneseve, por edhe individëve për të shlyer kreditë e marra. Vibracionet e një zhvillimi të tillë do të ndjehen menjëherë nëpër degët e katër bankave greke në Shqipëri. «Një numër bankash në Shqipëri janë banka me bazë bankat greke, mëmat e tyre janë këtu në Greqi dhe një tronditje e tyre nuk do të konsiderohej pozitiv për bankat, që janë në Shqipëri».

Pjesë e rrethit vicioz të efekteve negative të krizës greke pritet të jenë, sipas Angjelit, dhe dy faktorë të tjerë: «Edhe investitorët e huaj që janë në Shqipëri nga Greqia padyshim, që duke u prekur gjëndja e tyre në Greqi do ta kenë të kufizuar këtë mundësi në Shqipëri. Nga ana tjetër ka një program të qeverisë greke për mbështetjen e vendeve të Ballkanit, ku Shqipëria ka pjesën e vet në infrastrukturë dhe një Greqi e dobët financiarisht padyshim që do t'i prekë edhe ato».

Kriza dobëson remitancat e imigrantëve

Symbolbild Griechenland Finanzen EU
Fotografi: picture alliance / dpa

Nuk ka dyshim se transferimi më i dhimbshëm i pasojave të krizës greke është mbyllja graduale e rubinetit të dërgesave të remitancave të imigrantëve të goditur rëndë nga kriza. «Më në fund ajo, që është e rëndësishme, në Greqi ndodhen mbi 700.000 shqiptarë, të cilët për vite të tëra kanë kontribuar me remitancat, të ardhurat nga emigracioni, që siç u dëshmua në vitin 2009 kanë rënë ndjeshëm rreth 30%. Εmigrantët janë të parët, që janë prekur në vendet e tyre të punës, sidomos në ndërtim dhe në turizëm. Natyrisht do t'ι pakësojnë të ardhurat në drejtim të Shqipërisë» thotë Angjeli, që e shikon të njejtin ndikim negativ të ekonomisë greke në krizë «edhe në vende të tjera të rajonit, ku ajo është prezente nëpërmjet këtyre marrëdhënieve».

Mos vallë po teprohet me shqetësimin evropian për krizën greke?

Greqia zë vetëm 2.7% të GDP-së së eurozonës? «Ka debate të ndryshme, nëse Greqia është problem ι Europës, apo Europa ka probleme. Pesha specifike, që zënë disa vende të vogla, që janë tronditur më thellë nga kjo krizë në eurozonë, siç është Greqia, Spanja, Portugalia dhe Irlanda, që konsiderohen më të sëmurat e Europës për momentin, natyrisht që nuk kanë ndonjë rol të madh në ekonominë dhe financat në eurozonë, por sidoqoftë ato u bënë si të thuash "thëmbra e Akilit" në shqetësimet, që eurozona ka edhe do të ketë». Informacioni më i fundit për rreth 230 miliardë euro obligacionesh greke të blera nga bankat evropiane, që mund të shndërrohen në një Lehman Brothers për eurozonën, tregojnë ndërkohë se sa real është shqetësimi.

Symbolbild Griechenland Finanzen EU Europa
Fotografi: picture alliance / dpa

Nevoja e reformës fiskale

Në pritje të ndihmës financiare evropiane pas asaj politike qeveria e Papandreut shpall se do të zbatojë deri në një programin e saj ambicioz dhe vendi “do t'i dalë zot vetes”. Por defiçiti financiar, sipas Angjelit, presupozon në radhë të parë mbulimin e “defiçitit të ndërgjegjës fiskale” me një reformë tërësore të sistemit fiskal dhe vendosjen e transparencës në të gjitha fushat. “Me sa duket, edhe popullsia greke duhet ta kuptojë që të qënurit evropianë do të thotë të jesh si evropian dhe të plotësosh edhe detyrimet si evropian” thotë Angjeli, i cili thekson nevojën e një konsensusi social për një reformë tërësore fiskale dhe rimobilizimin e të “gjitha burimeve financiare të Greqisë, formale dhe informale në buxhetin e shtetit... për të dalë sigurisht jo lehtë nga situata e vështirë, në të cilën është futur vendi”.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica