Kriza e Krimesë: Merkeli i bën thirrje sërish Rusisë
10 Mars 2014Kancelarja Merkel i ka kërkuar Rusisë edhe njëherë që ta mbështesë krijimin e një grupi ndërkombëtar kontakti për të zgjidhur krizën në Krime. "Koha për një përpjekje të tillë për bisedime dhe marrëveshje nuk pret", tha zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert në Berlin. Megjithatë, pala ruse nuk ka treguar ende "gatishmërinë e nevojshme". Deri tani, Moska refuzon që të bisedojë me udhëheqjen e re në Kiev në një format të tillë.
Zëdhënësi qeveritar Seibert tërhoqi njëkohësisht vëmendjen për planin e hapave për sanksione, të vendosur nga BE. "Ne duam në mënyrë shumë të qartë rrugën e bisedimeve dhe të marrëveshjes. Akoma nuk është shumë vonë. Ende mbetet pak kohë. Por në rast nevoje ne jemi edhe të gatshëm të veprojmë". Gjermania është e gatshme për një numër të madh "masash ekonomike".
Bashkimi Evropian vendosi javën e kaluar një plan me tri shkallë, nëse Rusia nuk tërhiqet nga Krimeja. Ministri i Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier druhet se ky plan mund të vihet në zbatim. "Nëse në bisedimet që do të zhvillohen ndoshta nesër ose pasnesër nuk do të ketë një gatishmëri përkatëse nga pala ruse për të lëvizur, atëherë do të duhet të arrihet shkalla e dytë e sanksioneve", tha politikani socialdemokrat në Kanalin e Dytë të Televizionit Gjerman, ZDF. Këto sanksione të BE parashikojnë kufizime udhëtimi si edhe bllokime të llogarive rrjedhëse për persona të caktuar përgjegjës në konfliktin e Ukrainës.
Sanksionet kundër Rusisë do të kishin pasoja
Në Gjermani, sanksionet e BE kundër Rusisë shihen gjithnjë e më tepër në mënyrë kritike. Presidenti i Dhomës së Industrisë dhe të Tregtisë (DIHK), Eric Schweitzer tha në gazetën Bild se sanksionet e ashpra ndaj Rusisë nuk do të preknin vetëm popullin dhe ekonominë atje, por edhe sipërmarrjet dhe vendet e punës në Gjermani. Edhe ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen tha që megjithë sanksionet e planifikuara, filli i bisedimeve nuk duhet ndërprerë. "Më e rëndësishmja: hap herë pas here hapësira për bisedim", tha politikania e CDU-së në emisionin e mëngjesit të ARD-së.