Krizë e re energjitike në Shqipëri?
27 Shkurt 200610 kompani ndërkombëtare kanë marrë pjesë sot në Tiranë në një tender ndërkombëtar, të organizuar nga Korporata Elektroenegjitike e Shqipërisë - KESH- për të përcaktuar, se cila do të jetë ajo që do t´i shesë energji vendit të përfshirë nga një krizë kronike.
KESH ka vendosur të blejë me 50 milion euro një sasi energjie prej 1- miliard e 500 milion kilovatorë për të plotësuar nevojat e periudhës Prill- Dhjetor 2006.
Por asnjë nga kompanitë e huaja pjesemarrëse në tender nuk ka arritur të shpallet fituese. Burime zyrtare nga KESH pohuan për DW se asnjëra prej tyre nuk e kishte të plotë dokumentacionin e kërkuar.
Ky është një lajm i keq për konsumatoret në Shqipëri. Ndonëse autoritetet e qeverisë së Tiranës pohuan, se tanimë Shqipëria ka dalë nga kriza energjitike realiteti tregon të kundërtën.
Vetëm në Tiranë, ku banon 1/3 e popullsisë ka një ndërprerje të energjisë 4 orëshe çdo ditë. Në rrethet e tjera të vendit orët e gjata të errësirës arrijnë në 8- 15 orë. Jeta e përditshme e popullates ne Shqipëri mbetet larg të qenit, në mënyrë modeste, normale.