1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritika ndaj vendimit për dënimin e sociologes turke Selek

Thomas Seibert/Pandeli Pani29 Janar 2013

Si te publiku turk edhe tek vëzhguesit evropianë të procesit vendimi ka shkaktuar zemërim. Shpresat e tyre janë drejtuar tani tek Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

https://p.dw.com/p/17T3T
Pinar SelekFotografi: F.Florin/AFP/Getty Images

"Kjo është Turqia": këtë thënie dëgjon në Bosfor, sa herë një pyetje nuk mund t'i përgjigjesh duke përdorur logjikën. I tillë është dhe rasti i dënimit të sociologes, feministes dhe shkrimtares Pinar Selek më 24 janar: Askush nuk mund të ta shpjegojë se pse pas pesëmbëdhjetë vjetësh procesi gjyqësor, shpallje disa herë si e pafajshme dhe dyshime të forta për dëshmitë, e pandehura u dënua me burgim të përjetshëm.

Edhe ekspertët janë përpara një enigme. Halil Dogan është një prej ekspertëve që gjëja e parë që i bie ndër mend për dënimin e Pinar Selek është shrepja "Kjo është Turqia". "Gjykime të gabuara ka gjithmonë, sidomos në procese politike", thotë Dogan, kreu i Shoqatës së Avokatëve Demokratë në bisedë me Deutsche Welle. Ai kujtoi se kryetari i trupit gjykues në gjykimin e ish-kryeministrit Adnan Menderes në vitin 1961, e ka pranuar haptazi se kishte vepruar sipas udhëzimeve të qeverisë së atëhershme ushtarake. Menderesi u dënua me vdekje dhe e varën.

"Ata duan të më terrorizojnë"

Pinar Selek, 2010, Avignon copyright: Pinar Selek
Pinar SelekFotografi: Pinar Selek

Pinar Selek vetë tha se ata duan ta terrorizojnë dhe ta trembin, por e kundërta ka ndodhur me të dhe mbështetësit e saj: "Ne kemi mësuar me kalimin e kohës për t'u bërë më të fortë," tha ajo për gazetën "Hurriyet" pas shpalljes së vendimit. Babai i saj, avokati Alp Selek, do të kërkojnë apelimin e vendimit.

Drejtësia e akuzon Pinar Selek që si anëtare Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK), e cila është e ndaluar, ka vrarë në vitn 1998 me bombë në Stamboll shtatë vetë. Në atë kohë, ajo ishte duke hulumtuar si sociologe për PKK-në. Selek i hodhi poshtë akuzat, por në korrik të vitit 1998 u arrestua dhe u torturua para se në vitin 2000 të lirohej sërish. Një person i dyshuar kishte pretenduar se Pinar Selek ishte e përfshirë në atë sulm - por më vonë e tërhoqi padinë e tij duke thënë se e kishte bërë nën torturë.

Që nga viti 2009 Pinar Selek jeton në mërgim: së pari si bursiste e Klubit PEN në Berlin, e ndërkohë në Strasburg, ku është duke punuar për tezën e doktoraturës mbi lëvizjet emacipuese në Turqi. Në studimet e saj ajo është marrë në të kaluarën me grupet e tjera diskriminuara siç janë pakicat seksuale, ose me maçizmin dhe identitetet e meshkujve në Turqi.

Shpresa te Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut

Si edhe tek publiku turk vendimi ka shkaktuar zemërim edhe tek vëzhguesit evropianë të procesit. Gazetari gjerman Günter Wallraff e sheh këtë vendim si "një përpjekje të qëndrueshme që nga viti 1998, për ta damkosur Pinar Selek pa ndonjë dëshmi si terroriste". Me sa duket si qarqet ushtarake dhe grupet islamike janë të vendosura ta bëjnë sociologen të heshtë tha Wallraff në një intervistë me Deutsche Welle.

Demo Gericht Istanbul Pinar Selek Wallraff
Gazetari gjerman Günter Wallraff duke protestuar para gjykatësFotografi: B.Kilic/AFP/Getty Images

Pinar Selek nuk është e vetmja kritikuese e shquar e shtetit në Turqi. Prandaj ka mundësi që gjyqtarët e lartë turq ngulin këmbë tek vendimi për fajësinë e sociologës sepse mendojnë se korrigjimi i vendimit mund të shihet si një shenjë dobësie e shtetit në luftën kundër PKK. Sondazhet tregojnë se shumë gjyqtarë si detyrë të tyre primare nuk konsiderojnë kërkimin e së vërtetës, por mbrojtjen e shtetit kundër gjoja kundërshtarëve.

Për shkak të këtij mentaliteti, shpresat e kritikuesve të procesit janë drejtuar tek Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Deputetja Safak Pavey e krahut të reformuar të partisë opozitare CHP tha se do që çështja të hetohet në nivel ndërkombëtar. Edhe kryetari i Shoqatës së Avokatëve Dogan pret që procesi i Pinar Selek do të përfundojë deri në Strasburg. Megjithatë së pari qeveria turke do të jetë para një detyre delikate, sepse Gjykata e Stambollit lëshoi një urdhër arresti kundër Pinar Selek që aktualisht jeton në Francë. Kjo do të thorë që Ankarasë së shpejti do t'i duhet të vendosë nëse do të bëjë në Paris kërkesë për ekstradim - gjë që do të ngrejë pyetje të vështira mbi gjendjen e shtetit të së drejtës në Turqi.