1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

200611 Portugal Regierung

21 Qershor 2011

Kryeministri i caktuar portugez Pedro Passos Coehlo prezantoi (20.06.) kabinetin e tij qeveritar. Në të ndodhet edhe ish këshiltari i Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane, politikani i pavarur Vitor Gaspar

https://p.dw.com/p/11g0p
Pedro Passos Coelho
Pedro Passos CoelhoFotografi: AP

Kryeministri i ri i Portugalisë, Pedro Passos Coehlo, duhet të kursejë dhe këtë e fillon që nga formimi i kabintetit qeveritar. Në vend të 16 ministrive qeveria e re do të ketë vetëm 11. Vetëm 48 orë pas fillimit të negociatave për formimin e koalicionit qeveritar fituesi konservator i zgjedhjeve Passos Coehlo ra dakord me partnerin e ardhshëm nga partia konservative e djathtë CDS: "Unë kisha mundësinë ta njoftoj me telefon presidentin, se si do të jetë përbërja e qeverisë së ardhshme."

Kjo ndodhi javën e kaluar. Shumica e vëzhguesve prisnin një tkurrje të qeverisë, por megjithatë nuk munguan befasitë: katër ministra vijnë nga radhët e PSD-së konservatore, tre nga partneri në koalicion CDS, katër të tjerët nuk kanë libreza partiake. Tek këta katër të fundit bëjnë pjesë edhe dy figurat qendrore të qeverisë, ministri i Financave dhe i Ekonomisë, të cilët duan të rimëkëmbin shpejt Portugalinë e goditur rëndë nga kriza.

Ministri i Financave Gaspar me përvojë në institucionet evropiane

epa02744712 The candidate for Government Elections for the Democratic and Social Centre _ People's Party (CDS-PP), Paulo Portas, (C) greets supporters during a campaign action this morning in Vila Real, 21 may 2011. The elections will take place on June 5th. EPA/PEDRO ROSÁRIO
Nga fushata elektoraleFotografi: picture alliance/dpa

Ministri i Financave Vitor Gaspar pothuajse është fare i panjohur në publik edhe pse profesori 50 vjeçar i ekonomisë ka pas vetes një karrierë të shquar. Së fundi ai ka punuar si këshilltar për bankën Qendrore Portugeze, në vitet 90-të Gaspar ishte anëtar i Komitetit Monetar Evropian, i cili kryesisht është marrë me përgatitjen e futjes së euros në përdorim.

Nga viti 2007 deri në vitin 2010 ministri i ri i Financave të Portugalisë ka qenë këshilltar i presidentit të Komisionit Evropian Barroso. Kjo përvojë mund ta ndihmojë atë në kryerjen e detyrës së vështirë të zbatimit të kursimeve, të caktuar nga Komisioni Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qendrore Evropiane.

Ministri i Ekonomisë Pereira, ithtar i politikës së moderuar të shpenzimeve

Pedro Passos Coelho, fitues i zgjedhjeve në Portugali
Pedro Passos Coelho, fitues i zgjedhjeve në PortugaliFotografi: picture alliance/dpa

Po ashtu edhe ministri i ri i Ekonomisë është politikan paparti dhe profesor i ekonomisë deri tani, Alvaro Santos Pereira, i cili ka ligjëruar në Vancouver-in kanadez. Tani ai duhet të ndihmojë që karroca të nxirret nga balta. Në muajin maj ai ka deklaruar se megjithë paketën e shpëtimit Portugalia kërcënohet nga falimentimi shtetëror: "Kjo është e mundur, për shkak se barra e borxheve tona është shumë e lartë. Në librat e mi unë e kam krahasuar gjendjen tonë me vendet, të cilat në 40 vitet e kaluara nuk ishin të afta për pagesa dhe kam ardhur në përfundim se gjendja jonë e borxheve është po aq e keqe sa gjendja në pesë vendet e para në listën time të krahasimeve."

Përveç librave Pereira ka shkruar rregullisht edhe artikuj për gazetat më të mëdha të Portugalisë. 39 vjeçari ashtu si ministri i Financave konsiderohet si ithtar i politikës së moderuar të shpenzimeve: "Ne nuk mund të bëjmë plane e as hapa të mëdhenj. Ne duhet të veprojmë me mençuri. Politikanët, pavarësisht të cilave ngjyra, mirren më shumë me vetveten, se sa që të ndihmojnë ekonomimë dhe ndërmarrjet portugeze."

Autor: Reinhard Spiegelhauer/Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica