1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kredi nga FMN për uljen e varfërisë në Shqipëri

Ani Ruci30 Janar 2006

Për përfaqësuesen e përhershme të FMN në Tiranë, Ann Margaret Westing, qëllimi mbetet reduktimi i dobësive ekonomike në Shqipëri për të forcuar aftësinë paguese të qeverisë dhe zhvilluar reformat në sistemin bankar dhe financiar.

https://p.dw.com/p/As80
Takim i FMN në Uashington
Takim i FMN në UashingtonFotografi: AP

Marrëveshja është paraqitur sot në Tiranë me entuziazëm nga palët nënshkruese: FMN dhe Qeveria e Tiranës. Shuma prej 24,7 milion dollarësh kredi, që kjo marrveshje përmban, do te jetë me terma konçensionalë dhe jo konçesionalë.

Përfaqësuesja e përhershme e FMN në Tiranë, Ann Margaret Westing, tha sot në se qëllimi mbetet reduktimi i dobësive ekonomike në Shqipëri për të forcuar aftësinë paguese të qeverisë dhe zhvilluar reformat në sistemimn bankar dhe financiar.

"Shqipëria ka treguar progres në arritjen e nje mjedisi makroekonomik të stabilizuar, rritje te lartë ekonomike dhe inflacion të ulët" tha sot në Tiranë Ann Margaret Westing. Ruajtja e këtyre arritjeve, theksoi ajo në të ardhmen do të jetë e nevojshme për një reduktim të qëndrueshëm të varfërisë dhe një rritje reale të të ardhurave."

Elementë të tjerë të rëndësishëm ku do të fokusohet marrëveshja e kredisë prej 24 milionë dollarësh janë sigurimi i politikave të matura fiskale dhe përdorimi i të ardhurave në fusha prioritare ose për reduktim të mëtejshëm të borxhit. Kredia trevjeçare do të përdoret për përmirësimin e administrimit tatimor dhe të klimës së biznesit. Sipas FMN-së niveli i grumbullimit të të ardhurave nga taksat është shumë i ulët në Shqipëri: në masën 24/% të prodhimit të brendshëm bruto apo GDP, nivel ky më i ulti në rajon.

Kredia do të përdoret edhe për manaxhimin e borxhit publik të Shqipërisë, i cili mbetet i lartë, në masën 55% të prodhimit të brendshëm bruto ndërkohë që tregjet e brendshme të parasë dhe të kapitalit në Shqipëri janë ende te cekëta dhe të pazhvilluara. Marrëveshja parashikon edhe reforma në sistemin financiar.

Vetë kreu i Finacave të Shqipërisë, Ridvan Bode, e sheh dobinë e zbatimit të kësaj marrëveshjeje në shmangjen e risqeve që paraqet zhvillimi aktual i ekonomisë së Shqipërisë, përderisa ai mbetet i çekuilibruar dhe konjuktural. Bode e sheh dobinë e saj në kuadër të marrëdhënieve me organizata të tjera ndërkombëtare financiare dhe të proceseve integruese të Shqipërisë me BE.

"Kjo marrëveshje" , tha sot Bode në Tiranë, "shërben si garanci për zhvillime të shëndosha për një sërë donatorësh të tjerë të Bankës Botërore dhe në kuadër të marrëveshjeve bilaterale. Ajo siguron zhvillime në fushën e ekonomisë dhe të reformave që janë në përputhje dhe me standartet e kërkuara në kuadër të progresit të programuar për marrëveshjen e Asocim - Stabilizimit me Bashkimin Europian."

Marrëveshja trevjeçare, 2006- 2009 e FMN me qeverinë e Tiranës bën të mundur përshpejtimin e reformave ne administratën tatimore duke kontribuar në uljen e evazionit fiskal dhe të nivelit të informalitetit në ekonomi.