1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zgjedhjet në Kosovë: Ushatarë shtesë të NATO-s

19 Janar 2025

Vëzhguesit BE-së për zgjedhjet në Kosovë vijnë nga 18 vende. Rrjeti i Organizatave joqeveritare që monitorojnë proceset zgjedhore: Fushata për zgjedhjet e nëntë shkurtit po përshkohet nga gjuha nxitëse dhe polarizimi.

https://p.dw.com/p/4pKhV
Ulur në sallën e pritjes në presidencën e Kosovës presidentja Vjosa Osmani duke biseduar me drejtuesen dhe pjestarët e misionit vëzhgues të zgjedhjeve nga BE
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani priti drejtuesen e misionit vëzhgues të BE-së për zgjedhjet Nathalie LoiseauFotografi: Office of the Kosovo presidency

Më shumë se 200 ushtarë italianë të KFOR-it dhe mbi 100 vëzhgues të BE-së, do të jenë të pranishëm në Kosovë për të ndihmuar për një mjedis të qetë dhe proces të rregullt të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë që mbahen me nëntë shkurt. Trupat italiane nga brigada e mekanizuar e këmbësorisë italiane "Sassari”, arritën të shtunën (18.01.2025) në Kosovë për qëndrim të përkohshëm  dhe ata do të jenë të gatshëm, të ndërhyjnë edhe gjatë periudhës së zgjedhjeve në rast se kjo është e nevojshme.

"Trupat italiane nga rezervat e KFOR-it arritën në Kosovë, në mbështetje të misionit të KFOR-it të drejtuar nga NATO, duke përforcuar praninë e KFOR-it në Kosovë. Vendosja e tyre është e përkohshme. Në muajt në vijim, më shumë se 200 ushtarë, nga brigada e mekanizuar e këmbësorisë italiane ‘Sassari', do të kryejnë një sërë aktivitetesh, së bashku me trupat e KFOR-it dhe do të dislokohen në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm në situatën e sigurisë, përfshirë edhe gjatë periudhës së zgjedhjeve”, thuhet në një njoftim të KFOR-it.

Mbërrijnë vëzhgues të BE-së

Po ashtu nga mekanizmat e Bashkimit Evropian tashmë kanë filluar të mbërrijnë vëzhguesit e zgjedhjeve dhe numri i tyre do të jetë mbi 100. 18 vëzhguesit e parë evropian nga dita e dielë (19.01.2025), nisin punën për mbikëqyrjen e fushatës për zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Nga vëzhguesit e tjerë vendas fushata për zgjedhjet që tashmë ka nisur po vlerësohet si e ashpër dhe e përshkuar me gjuhë polarizuese e nxitëse. Misioni i BE-së në Kosovë bëri të ditur, se vëzhguesit afatgjatë të BE-së vijnë nga 18 vende të ndryshme. Shefja e misionit të vëzhguesve, Nathalie Loiseau, tha në një konferencë për medie në Prishtinë, se për Kosovën "kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme ruajtja e standardeve demokratike”.

"Jetojmë në një kohë kur demokracitë po vihen në pikëpyetje, ndonjëherë kërcënohen globalisht. Kështu që rëndësia e sigurimit të një demokracie të qëndrueshme në Kosovë nuk ka qenë kurrë më e madhe. Prandaj ne do të vëzhgojmë, vlerësojmë dhe nëse është e nevojshme nuk do të shmangemi nga vënia në dukje e çfarëdo lloj hapësire për përmirësim aty ku ne e shohim të mundshme”, tha zonja Nathalie Loiseau. Sipas saj, në ditën e zgjedhjeve do të jenë mbi 100 vëzhgues evropianë në terren, mision ky me një prani afatgjatë. Zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen edhe në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ndonëse përfaqsuesit e tyre patën bojkotuar zgjedhjet lokale të vitit 2023, por, kësaj radhelista Srpska që është partia më e madhe e serbëve të Kosovës ka deklaruar se do të marrë pjesë në zgjedhje dhe tashmë kjo parti është certifkuar në KQZ.

"Me të vërtetë shpresoj se ligji i ri për zgjedhjet do të zbatohet si duhet. Prezenca e kamerave në vendvotime duhet të shihet si vlerë për transparencën sikurse edhe numërimi i votave. Mendoj se secili banor i Kosovës, qoftë në veri apo në jug duhet të ndihet i lirë për ta ushtruar të drejtën e tij të votës, pa frikë nga kërcënimi dhe presioni”, u shpreh Loisau, duke inkurajuar serbët që të shmangin bojkotin eventual të zgjedhjeve.

Polarizim në fushatë

Një rrjet  i organizatave joqeveritare vendase që monitorojnë dhe vëzhgojnë proceset zgjedhore, "Demokracia në veprim”, tha (18.01) se "fushata për zgjedhjet e nëntë shkurtit  po përshkohet me gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes. Tashmë paneli zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa PZAP ka shqiptuar gjobat e para për disa parti politike të mëdha, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe lëvizjen Vetëvendosje për shkak të siç u tha "shkeljes së kodit të mirësjelljes”, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohjen për vëzhguesit e BE-së dhe sidomos për ata të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që për herë të parë monitorojnë zgjedhjet në Kosovë. Në zgjedhjet e përgjithshme të nëntë shkurtit garojnë njëzet e tetë forca politike, prej të cilave 20 parti politike, pesë koalicione, dy lista qytetare dhe një kandidat i pavarur. Të drejtë vote kanë rreth dy milionë votues, prej të cilëve 105 mijë qytetarë që votojnë jashtë Kosovës.