1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Thaçi refuzon ftesën për takimin "Mini-Shengen"

Bekim Shehu
18 Dhjetor 2019

Presidenti i Kosovës refuzoi ftesën e kryeministrit të Shqipërisë për takimin mes liderëve të Ballkanit Perëndimor, që zhvillohet në Shqipëri, i njohur për synimin e krijimit të një “Minishengeni Ballkanik”.

https://p.dw.com/p/3V1Tv
Nord-Mazedonien: Westbalkan Gipfel
Fotografi: Government of North Macedonia

Liderët e vendeve të rajonit pa praninë e udhëheqësve kosovar, për herë të parë janë takuar në Novi Sad dhe pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku kanë rënë dakord përmes një deklarate për synimin e përmirësimit të bashkëpunimi rajonal, apo të krijimit të një "Minishengen Ballkanik”.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe kësaj radhe refuzoi pjesëmarrjen në një takim të formatit të tillë, përderisa siç thotë "Kosova, në dallim nga Shqipëria, vazhdon të ketë pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet, nga Serbia”.

"Fatkeqësisht, pengesa kryesore vjen nga Serbia, e cila në të gjitha format dhe mundësitë, në mënyrë të vazhdueshme minon përpjekjet tona për konsolidimin e shtetësisë sonë. Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës”, shkroi në profilin e tij social Presidenti Thaçi. Sipas Presidentit të Kosovës, "nuk mund të këtë përparim në bashkëpunimin rajonal pa pasur njohje reciproke, dhe se Kosova synon anëtarësim në NATO e BE dhe jo në, siç është shprehur ai, iniciativat eksperimentale rajonale”.

Ideja e "Minishenenit Ballkanik”, është kundërshtuar edhe nga udhëheqësit e tjerë të partive politike në Kosovë, duke e cilësuar këtë iniciativë si një "devijim” të rrugës euroatlantike.