1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Qeveria thotë se nuk ka vakuum institucional

Bekim Shehu
5 Nëntor 2020

Pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi dhe konfirmimit të aktakuzës për krime lufte kundër tij, zyrtarisht ushtruese e detyrës së presidentes u bë kryetarja e kuvendit Vjosa Osmani.

https://p.dw.com/p/3kuzc
Kosovo Präsident Vjosa Osmani
Fotografi: Office of the Kosovo presidency

Pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte kundër tij nga Prokuroria Speciale, qeveria thotë se në Kosovë nuk ka vakuum institucional. Sipas qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, "pas dorëheqjes së Presidentit të Republikës, z. Hashim Thaçi, kushtetuta dhe ligjet në fuqi garantojnë tranzicion të qartë të ushtrimit të përgjegjësive pa krijuar vakuum institucional”.

"Gjatë kësaj faze, Qeveria e Republikës së Kosovë me përkushtim do t'i kryej obligimet dhe përgjegjësitë kushtetuese dhe do të bashkëpunojë me të gjithë aktorët vendas dhe ndërkombëtarë”, thuhet në një komunikatë të qeverisë. Qeveria e Kosovës pret nga të gjithë të vazhdojnë të demonstrojnë kulturë të lartë politike, ndërsa, thekson se "po i përcjell me vëmendje zhvillimet e fundit rreth Dhomave të Specializuara, të cilat janë pjesë e sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës”.

Tashmë ish-presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Kadri Veseli, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-eprori i lartë i UÇK-së, Rexhep Selimi, kanë aktakuza të konfirmuara për krime lufte nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë. Krasniqi u arrestua të merkurën (04.11) dhe u dërgua në Hagë, ndërsa Thaçi, Veseli e Selimi, me një aeroplan special nën shoqërimin e policisë së EULEX-it, u nisën të enjten (05.11) pasdite drejt Hagës. Qeveria e Kosovës në këtë situatë vlerëson se "askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa vendim përfundimtar të organeve kompetente të drejtësisë”, duke shtuar se "bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e Kosovës kanë qenë gjithmonë dhe vazhdojnë të jenë shembull për respektim dhe bashkëpunim me drejtësinë vendase dhe ndërkombëtare”.

Pas dorëheqjes së presidentit të Kosovës, në mënyrë automatike këtë përgjegjësi si ushtruese e detyrës së presidentit e merr kryetarja e kuvendit të Kosovës, në këtë rast, Vjosa Osmani, e cila tashmë edhe zyrtarisht e mori këtë përgjegjësi, njoftoi zyra e presidencës.

"Në përputhje me obligimet kushtetuese, pas dorëheqjes së presidentit të vendit z.Hashim Thaçi, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani, sot ka marrë zyrtarisht funksionin e u.d. të presidentes së Kosovës. Ceremonia e pranim- dorëzimit është bërë në prezencën e stafit të Presidencës dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftim. Kështu parashihet në nenin 90 të kushtetutës së Kosovës.

"Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t'ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 90 të Kushtetutës së Kosovës, ku specifikohet se kjo nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtë muaj.

Në kohën kur presidenti Thaçi dha dorëheqje pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte kundër tij, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nuk ndodhej në Kosovë. Ai ishte për një vizitë zyrare në Itali, ndërkaq, njofton se gjatë ditës së premte (06.11) do të mbledhë qeverinë e tij për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit. Partneri më i madh në koalicionin qeveritar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kërkoi mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë, mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ndërkaq, kërkon nga qeveria ndërprerje të menjëhershme të të tgjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re.

Pas zhvillimeve në Prishtinë pati edhe një takim të ambasadorëve të vendeve më të industrializuara QUINT, por tani për tani ende nuk dihet përmbajtja e bisedave të mbyllura mes tyre. Situata e sigurisë vazhdon të jetë e qetë. Forca të shtuara të policisë shihen në sheshet e Prishtinës dhe përreth godinave të institucioneve të Kosovës.