Hiqet reciprociteti me Serbinë, pritet rifillimi i dialogut
6 Qershor 2020Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, hoqi të gjitha masat e reciprocitetit me Serbinë, kërkesë kjo e faktorit ndërkombëtar në mënyrë që t'i hapet rruga dialogut Kosovë-Serbi. Masat e reciprocitetit ndaj Serbisë i kishte vendosur më 1 prill, ish-kryeministri, Albin Kurti, megjithë kundërshtimin dhe kritikat që i kishte nga SHBA dhe Bashkimi Evropian për mosvënien e këtyre masave.
Hoti: Shfuqizimi - shans për dialogun
Kryeministri i ri i Kosovës Avdullah Hoti tha, se me heqjen e reciprocitetit janë hequr pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë, në përputhje me zotimet e dhëna para partnerëve tanë ndërkombëtar. "Presim që të njëjtën gjë ta shohim nga pala serbe, që të heqin të gjitha pengesat dhe t'i japin frymë procesit të dialogut. Por, ne ruajmë të gjitha të drejtat tona, si shtet sovran, që të vendosim të gjitha masat e nevojshme, për të ruajtur sovranitetin tonë, në koordinim me partnerët tanë. Shfuqizimi i masave të reciprocitetit është bërë për një kohë të arsyeshme, që t'i jepet shans dialogut.”
Kryeministri i ri Hoti ka deklaruar, se për vendimin për shfuqizimin e reciprocitetit e ka mbështetjen e SHBA-së. "Kemi një dakordim me miqtë tanë ndërkombëtarë që presioni i tyre do të jetë edhe karshi Serbisë, që edhe ata të heqin pengesat për dialog dhe pasi të heqin ato pengesa për dialog, ne do të ulemi në tavolinën e bisedimeve", tha kryeministri Hoti.
Kurti: Qeveria e Kosovës i bëri shërbim të mirë Serbisë
I menjëhershëm ishte reagimi i ish-kryeministrit, Albin Kurti, i cili tha se qeveria e Kosovës me vendimin për të shfuqizuar këto masa, ka marrë fajin për mungesën e deritanishme të dialogut, duke shtuar se "Qeveria e Kosovës i bëri shërbim të mirë Serbisë”.
Kundërshtimin e saj për heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë, e shprehu edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila vjen po ashtu vjen nga partia e kryeministrit Hoti, LDK, por, që ka konflikt të hapur me strukturat e larta të partisë që nga prishja e koalicionit me Vetëvendosjen e Albin Kurtit. "Ta quash reciprocitetin "pengesë” do të thotë që barazinë e konsideron pengesë. Do të thotë që nuk e don vendin tënd të trajtuar të barabartë me të tjerët. Ta quash reciprocitetin pengesë do të thotë që ti nuk beson se ke të drejta sovrane, të pavarura e të barabarta, siç janë të parapara në Deklaratën e Pavarësisë e në Kushtetutën e vendit. Të heqësh dorë nga e drejta për t'u trajtuar i barabartë do të thotë të heqësh dorë nga e drejta për t'u trajtuar sovran si Republikë e Kosovës”, shkroi Vjosa Osmani.
Vendimi i qeverisë së Kosovës për heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë, u përshëndet nga lideri i LDK-së, Isa Mustafa, presidenti Hashim Thaçi dhe Bashkimi Evropian. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e mirëpriti vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shfuqizuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke thënë se tash presioni ndërkombëtar duhet drejtuar kah Serbia. "E mirëpres vendimin e sotëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për heqjen e të gjitha barrierave, që Serbia deri më sot i ka përdorur si pretekst për bllokimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Tani presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet nga Serbia me qëllim që pa humbur kohë të rifillojë dialogu, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve”, është shprehur presidenti Thaçi.
Reagime pozitive nga BE, por edhe nga Serbia
Edhe i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, e mirëpriti vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke thënë se "ky vendim tregon përkushtimin e Kosovës që të rikthehet në dialog”. "Mirëpres vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për të hequr masat e reciprocitetit. Heqja e shpejtë e pengesave për rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, tregon përkushtimin e qartë të Kosovës që të rikthehet në tavolinën e bisedimeve, pa vonesa”, shkroi Mirosllav Lajçak.
Edhe autoritetet e Beogradit e mirëpritën vendimin e qeverisë së Kosovës për heqjen e reciprocitetit ndaj Serbisë. Presidenti serb e cilësoi vendim të mirë. "Hashim Thaçi e bëri këtë, sepse donte të thoshte se nuk më intereson BE-ja, më intereson vetëm SHBA-ja. Ne nuk jemi në të njëjtin pozicion. Ne mendojmë se Kosova është fëmija i tyre i SHBA-së. Nga ana tjetër, është një ide e mirë për të hequr të gjitha pengesat tregtare ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, citojnë mediet ne Serbi Vuçiqin ku sipas tij, megjithatë edhe në procesin e dialogut, "Serbia do të luftojë për Kosovën”.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u ndërpre në nëntorin e vitit 2018, kur qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, vendosi tarifë 100% ndaj mallrave serbe. Që nga ajo kohë, Beogradi e ka kushtëzuar rikthimin në tavolinën e bisedimeve me heqjen e tarifës dhe së fundmi edhe të reciprocitetit, masë kjo e Kosovës që nuk u mbështet as nga faktori ndërkombëtar.