1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Osmani dhe Kurti në SHBA

Bekim Shehu
27 Korrik 2022

Presidentja e Kosovës Osmani dhe kryeministri Kurti po qendrojnë në SHBA, ku marrin pjesë edhe në nënshkrimin e marrëveshjes për Programin MCC, një projekt ky nga i cili Kosova përfiton 236.7 milionë dollarë.

https://p.dw.com/p/4Ehmk
USA - Vjosa Osmani, Albin Kurti und Antony Blinken
Fotografi: Office of the President of Kosovo

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u tha presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, se "Shtetet e Bashkuara e mbështesin integrimin euroatlantik dhe ndërkombëtar të Kosovës, si dhe dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja". Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, së bashku po qendrojnë për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku takuan Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. 

"Jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje që janë të rëndësishme për SHBA-në dhe shtetin tuaj”, shkroi Blinken në Twitter pas takimit, duke shtuar se me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin, Albin Kurti, "kanë diskutuar edhe për çështjet kritike të sigurisë rajonale”, por nuk dha më shumë detaje.

Zëdhënësi Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha se gjatë takimit kryediplomati i SHBA-së, Blinken theksoi partneritetin e qendrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës dhe se falënderoi dy udhëheqësit për mbështetjen e tyre për Ukrainën dhe pritjen e afganëve që u larguan nga vendi i tyre pas ardhjes në pushtet të Talebanëve në Afganistan.

"Ata diskutuan për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim njohjen reciproke, në rrugën drejt integrimeve euroatlantike”, tha zëdhënësi Price.

Presidentja Vjosa Osmani nga ana e saj, tha se takimi me Blinken "ishte i shkëlqyeshëm”, dhe edhe një herë u konfirmua që "Kosova nuk ka mik më të madh e më të mirë sesa SHBA-në".

"Biseduam për fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, nevojën e Kosovës që të jetë anëtare e NATO-s, si dhe për rolin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë", tha Osmani. Sa i përket dialogut me Serbinë, presidentja Osmani tha se në takim me Blinken, "kanë biseduar në detaje për disa nga marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi, siç është ajo e energjisë”, dhe shtoi se "administrata e SHBA-së ka qenë e qartë që procesi i dialogut të përqendrohet në njohje reciproke, gjë që është konfirmuar edhe sot gjatë këtij takimi”. Një çështje tjetër, sipas Osmanit, e ngritur në takim me Antony Blinken, "ishte edhe roli që ka Rusia në destabilizimin Ballkanit Perëndimor”.

"Sekretari Blinken, njësoj sikurse presidenti Biden, e njohin shumë mirë këtë histori të intencave ruse në rajonin tonë dhe në asnjë moment nuk e largojnë vëmendjen e tyre, gjë që na konfirmuan edhe sot, në mënyrë që bashkërisht të punojmë që t'i ndalim këto tendenca për destabilizim në rajonin tonë”, tha Osmani.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se e "shfrytëzoi takimin me ministrin e Jashtëm Blinken për të kërkuar më shumë investime amerikane në Kosovë dhe rritje të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve”.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në SHBA do të marrin pjesë edhe në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për Programin Kompakt me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit, një projekt ky që kap vlerën e 236.7 milionë dollarëve. Kjo ndihmë e SHBA-së ka për qëllim "forcimin e sektorit të energjisë në Kosovë dhe fuqizimin e përfshirjes së grave në këtë fushë”.