1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova rrit shkallën e gatishmërisë në kufirin me Serbinë

15 Qershor 2023

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kryeministri Albin Kurti, tha se Serbia ka kryer agresion ndaj Kosovës. Vuçiq i kërkon Quint-it ta ndalë Kurtin të mos nisë një luftë të re në Ballkan.

https://p.dw.com/p/4SbPx
Ushtarë të KFOR-it pas arrestimit të 3 policëve kosovarë
Ushtarë të KFOR-it pas arrestimit të 3 policëve kosovarëFotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Institucionet e sigurisë së Kosovës kanë rritur shkallën e gatishmërisë me forcimin e kontrolleve në kufirin me Serbinë, si përgjigje ndaj situatës së krijuar pas arrestimit të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe të sigurisë. Këtë njoftim e bëri kryeministri i Kosovës Albin Kurti, pasi mëngjesin e së enjtes mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare. "Veprimi i djeshëm i Serbisë ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj Policisë dhe intencë për destabilizim, dhe për këtë arsye institucionet e sigurisë e kanë rritur nivelin e gatishmërisë. Janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, sidomos për mjetet transportuese. Cënimi i djeshëm nga Serbia na detyron të rrisim kontrollet kufitare, edhe ndalesat e qarkullimit në raste kur mund të përbëjnë rrezik”, tha kryeministri Kurti.

Foto e Ministrisë së Brendshme të Serbisë - ku tregohen 3 policët kosovarë të shtrirë pas kapjes nga pala serbe
Foto e Ministrisë së Brendshme të Serbisë - ku tregohen 3 policët kosovarë të shtrirë pas kapjes nga pala serbeFotografi: Serbian Ministry of Interior via AP/picture alliance

Kurti mohon ndalimin e hyrjes së mallrave nga Serbia

Në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë janë krijuar radhë të gjata të kamionëve me mallra. Kryeministri Kurti mohoi se ka vendim për ndalim të hyrjes së mallrave nga Serbia, dhe tha se "masat nuk janë ekonomike apo tregtare, por janë masa të sigurisë". Pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga policia serbe, kryeministri Kurti tha se gjatë natës ka biseduar edhe me diplomatë amerikanë për situatën, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të policëve dhe bëri thirrje që t'ii bëhet presion Serbisë. "Serbia nuk ka ndryshuar në qëllime, motive dhe apetite, nuk është se po na befason me sjelljen e saj, ajo çfarë është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorit ndërkombëtar ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht kërkon pretekste për përshkallëzim dhe destabilizim”, tha Kurti.

Forcat paqeruajtëse të KFOR-it, ndërkaq në një komunikatë për mediat kanë theksuar, se nuk kanë qenë të përfshirë në ngjarjen me policët e Kosovës dhe shtuan se ata janë "në kontakt me autoritetet serbe për të marrë informacion zyrtar lidhur me atë që ka ndodhur”. Bashkimi Evropian në anën tjetër, tha se "po e trajton si çështje urgjente situatën e krijuar në Kosovë dhe është në kontakt me Prishtinën, Beogradin dhe me përfaqësuesit e KFOR-it, për të verifikuar ngjarjet në vijën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Vuçiq zhvilloi takim me ambasadorët e Quint-it

Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq takoi të enjten ambasadorët e vendeve të Quint-it në Serbi dhe tha se ai "u ka ofruar pamjet e arrestimit të policëve të Kosovës”, duke pohuar se autoritetet serbe nuk po i keqtrajtojnë ata. "Përsa i përket incidentit të djeshëm, ne sillemi si një vend serioz dhe të arrestuarit do t'i trajtojmë në të njëjtën mënyrë. Ata nuk janë rrahur apo keqtrajtuar", tha Vuçiq, duke shtuar se ambasadorëve të Quint-it, u ka ofruar pamje që të shikojnë të gjitha regjistrimet dhe të dhënat e arrestimit, për të parë se ku ka ndodhur ngjarja. Në rrjetin e tij social, Vuçiq shkroi se u ka kërkuar ambasadorëve të Quint-it të bëjnë "gjithçka që është në fuqinë e tyre që kryeministri i Kosovës Albin Kurti të mos nisë një luftë të re në Ballkan”.

Policë të Kosovës pas arrestimit të 3 kolegëve nga policët serbë, 14.06.2023
Policë të Kosovës pas arrestimit të 3 kolegëve nga policët serbë, 14.06.2023Fotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Rritja e tensioneve në vijimësi që nga maji

Tensionet es Kosovës dhe Serbisë, sidomos në pjesën veriore të Kosovës nisën më 26 maj, kur katër kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të banuara me shumicë serbe, me ndihmën e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale. Ata kundërshtohen nga serbët lokalë të cilët prej dy javësh mbajnë protesta. Më 29 maj, në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të KFOR-it ku nga përleshjet u lënduan 30 ushtar të KFOR-it .

Që nga fillimi i krizës në veri, diplomatët amerikanë dhe evropianë kanë kërkuar që Kosova të largojë menjëherë njësitë speciale të policisë si dhe kryetarët e komunave nga zyrat në veri. Serbisë ndërkaq, i kërkohet të ushtrojë ndikim për largimin e protestuesve dhe për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja të mundshme që po planifikohen të mbahen ne veri të Kosovës.

Ushtarë të KFOR-it pranë fshatit Bare
Ushtarë të KFOR-it pranë fshatit BareFotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS