1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova në qendër të vëmendjes në takimin e BE-së në Bruksel

Anke Hagedorn 14 Dhjetor 2007

Në një projektdeklaratë për samitin ndër të tjera thuhet se Bashkimi Evropian do të luajë një rol të rëndësishëm në Kosovë.

https://p.dw.com/p/Cbsf
Parlamenti Evropian në Bruksel
Parlamenti Evropian në BrukselFotografi: Photo European Parliament/Architecture Studio

Atmosfera e Lisbonës ka shoqëruar edhe samitin e BE-së në Bruksel. Traktati për reformat e reja të BE-së është një bazë e mirë për funksionalitetin e Bashkimit Evropian, për këtë ishin të një mendimi pjesëmarrësit në samit. Dhe kjo ishte edhe më e rëndësishme sot kur në axhendë ndodhej një temë shumë e ndjeshme, ajo e çështjes së statusit politik të Kosovës. Shefi i diplomacisë gjermane Frank-Valter Shtajnmajer (Frank-Walter Steinmeier):
'Besoj që tani mund t'ia dalim më mirë mbanë me sfidat me të cilat ballafaqohemi. Kjo vlen edhe për politikën e jashtme andaj është mirë që njëkohësisht me nënshkrimin e traktatit për reformat, kryeministrat dhe ministrat e jashtëm diskutojnë se si Evropa mund të marrë përsipër përgjegjësitë e saj evropiane në rajonet e afërta si për shembull Ballkani perëndimor dhe me këtë edhe për Kosovën'.
Në një projektdeklaratë për samitin ndër të tjera thuhet se Bashkimi Evropian do të luajë një rol të rëndësishëm në Kosovë. 'Të dyja palët nuk ishin në gjendje që të bien në ujdi për një zgjidhje të kënaqshme. Ndërkaq gjendja aktuale vlerësohet si e paqëndrueshme. Duhet të gjendet një zgjidhje e cila do të garantonte stabilitet'. Fjala pavarësi nuk përmendet në deklaratë sepse ndaj saj ka rezerva masive nga disa vende anëtare të BE-së. Para së gjithash Qiproja druhet se rasti i Kosovës mund të përbëjë një rast precedent. Por skeptike janë edhe Sllovakia, Greqia dhe Spanja.
Nisur nga kjo kancelarja gjermane Angela Merkel u ka bërë edhe njëherë thirrje vendeve anëtare të BE-së për unitet:
'Më e rëndësishmja është që Bashkimi Evropian hapin e ardhshëm ta bëj bashkarisht. Ne duam që të gjindte një zgjidhje e arsyeshme. Por ne duam po ashtu që të sinjalizojmë Serbinë që ne kemi nevojë për një Serbi stabile', tha Merkeli në kuadër të samitit të BE-së në Bruksel.
Në samitin e sotëm të BE-së në Bruksel Italia dhe Çekia kërkuan nga vendet e tjera anëtare që para marrjes së vendimit për Kosovën BE të dërgoj një sinjal të shpejtë për fillimin e negociatave për pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Kundër këtij propozimi kanë reaguar ashpër Hollanda dhe vendet nordike. Ato kërkuan nga Serbia që para se të ndodhë një gjë e tillë të dorëzojë në Hagë gjeneralin e shumë kërkuar Ratko Mlladiç. Kancelari austriak Alfred Guzenbauer (Gusenbauer) nuk e sheh të përçarë Bashkimin Evropian përsa i përket çështjes së Kosovës. 'Ne të gjithë jemi të vetdijshëm se kjo është çështja e fundit e pazgjidhur e një statusi në shekullin e 20-të. Dhe këtë problem të shekullit 20-të ne do ta zgjidhim tani në shekullin e 21-të', tha Guzenabuer.