Kosova kusht për integrimin e Serbisë në BE
4 Shtator 2012"Bashkimi Evropian është i interesuar që Serbia të jetë pjesë e tij dhe që negociatat për anëtarësim të fillojnë sa më parë. Ndërsa kushti kryesor për këtë është përmirësimi i dukshëm i raporteve me Prishtinën dhe vazhdimi i reformave". Kështu u shpreh sot në Bruksel presidenti i Këshillit të Evropës, Herman van Rompuy pas takimit me kryeminitrin e Serbisë Ivica Daçiq.
Van Rompuy e ka përshëndetur vendimin e qeverisë serbe për pjesëmarrje në takimet rajonale ku prezantohet edhe Kosova. Qeveria serbe ka vendosur këtë fundjavë që të marrë pjesë në takimet rajonale, pavarësisht nëse në mbishkrimin e Kosovës është e shkruar apo jo fusnota, për të cilën kanë rënë darkod delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit në dialogun e tyre në Bruksel.
Kosova kushti kryesor
"Tani është me rëndësi që Serbia të vazhdojë me reformat në drejtësi, luftimin e korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar dhe që të respektohen liria e shtypit dhe të drejtat e minoriteteve", theksoi Rompuy. Megjithatë, sipas tij, përmirësimi i raporteve me Kosovën është kushti kryesor për hapin tjetër të Serbisë në procesin e anëtarësimit në BE - për fillimin e negociatave për anëtarësim. Van Rompuy theksoi se "të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel duhet të realizohen, në veçanti ajo për kalimet kufitare". "Në veri duhet gjetur zgjidhje të reja, të cilat mundësojnë përmirësimin e gjendjes së njerëzve atje. Ndaj i bëj thirrje Beogradit dhe Prishtinës që në mënyrë konstruktive të angazhohen në dialog, i cili do të zhvillohet me vullnetin e mirë të BE-së", theksoi Van Rompuy.
Serbia e përcaktuar për integrim në BE
Daçiq tha se Serbia "është e përcaktuar qartë për vazhdimin e rrugës së anëtarësimit në BE". Por ai ka kërkuar që Beogradit të mos i shtrohen kushte të tjera nga ato që parashikohen në vendimet e Këshillit të Evropës, në samitin e mbajtur në dhjetor të vitit të kaluar. Kryeministri serb tha se përparimi i Serbisë në procesin e integrimit në BE varet nga vet Beogradi. Ai bëri të ditur se Beogradi është i gatshëm për vadzhimin e dialogut me Prishtinën "në nivelin teknik por dhe shumë të lartë politik". "Serbia është poashtu e gatshme për vazhdimin e reformave dhe harmonizimin e ligjeve me ato evropiane. Qeveria e Serbisë është e interesuar që në vend të krijohet një shoqëri e lirë dhe demokratike. Jemi të interesuar që shteti të ndihmojë në zgjidhjen e krizave dhe që në këtë vend të vlejnë rregullat e shtetit juridik dhe ekonomisë së tregut", theksoi kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq.