1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Futboll: Kosova përballë Haitit, ndeshje miqësore

Bekim Shehu4 Mars 2014

Të mërkurën (05.03) përfaqësuesja e Kosovës do të luajë ndeshje miqësore me përfaqësuesen e Haitit. Ndeshjet miqësore i janë lejuar Kosovës nga FIFA, ndonëse Kosova akoma nuk është anëtare e FIFA.

https://p.dw.com/p/1BJRJ
Presidentja Atifete Jahjaga me ekipin e futbollit të KosovësFotografi: DW/B. Shehu

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të mërkurën me 05.03, luan ndeshjen e parë miqësore me përfaqësuesen e Haitit. Kjo ndeshje zhvillohet me leje të Federatës Botërore të Futbollit - FIFA. Federata e Futbollit të Kosovës, akoma nuk është pranuar si anëtare me të drejta të plota të Federatës Botërore të Futbollit, mirëpo asaj i është lejuar të luaj vetëm ndeshje miqësore. Ndeshja miqësore ndërmjet përfaqësues së Kosovës dhe përfaqësues së Haitit zhvillohet në stadiumin olimpik, Adem Jashari në Mitrovicë. Interesimi i adhuruesve të sportit është shumë i madh. Të 17 mijë biletat, aq sa ka edhe kapaciteti i stadiumit, janë shitur në vetëm dy ditë.

“Për vetëm 1 ose 2 orë, janë shitur 8 mijë bileta, që tregon se është interesim i jashtëzakonshëm, si nga bashkatdhetarët tanë, që janë nëpër shtetet e huaja, e të mos flas për ata që janë në Kosovë”, ka thënë për mediat në Prishtinë, Eroll Salihu, Sekretar i Federatës Kosovare dhe Futbollit. Gjyqtarët për këtë ndeshje janë caktuar nga FIFA. Kjo ndeshje është edhe një test për nivelin e futbollit kosovar, por edhe një shans për të ardhmen e anëtarësimit të Kosovës në Federatën Botërore të Futbollit.