1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova dhe Izraeli vendosin marrëdhëniet diplomatike

Bekim Shehu
1 Shkurt 2021

Në kuadër të marrëveshjes ekonomike Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë në shtator 2020 në prani të ish-presidentit të SHBA, Donald Trump, u ra dakord edhe për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael.

https://p.dw.com/p/3ogpv
Kosovo | Israel | Videokonferenz | Meliza Haradinaj und Gabriel Ashkenazi
Fotografi: Office of the Kosovo foreign ministry

Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike ndërmjet të dy vendeve. Ky hap u cilësua nga të dyja vendet si historik dhe ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në mënyrë virtuale. Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Jashtme e Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabriel Ashkenazi. Në ceremoninë virtuale të nënshkrimit morën pjesë edhe Nënsekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer dhe ambasadorët amerikanë në Prishtinë dhe në Jerusalem. Ministri i Jashtëm  i Izraelit Gabriel Ashkenazi, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovës e cilësoi si një datë historike. "Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit është një hap i rëndësishëm, historik dhe emocionues. Sot në mëngjes mora një kërkesë zyrtare për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem dhe padyshim e miratova dhe mezi pres ta shoh të hapet, shpresoj shumë shpejt”, tha ministri Izraelit Ashkenazi.

Në këtë linjë u shpreh edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, e cila tha se "Kosova ka pritur gjatë arritjen e kësaj marrëveshjeje, e cila e bën Izraelin shtetin e 117 që e njeh Kosovën”.

"Në këtë ditë të rëndësishme ne hapim një kapitull të ri në lidhjen historike ndërmjet vendeve tona, të cilat janë sfiduar për të ekzistuar si popuj dhe si shtete. Shtetet tona kanë qëndruar pranë njëri-tjetrit në momentet më të vështira dhe sot fillojmë një udhëtim si dy shtete”, tha ministrja Haradinaj, duke falenderuar SHBA-në që ndihmoi në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Kosovë-Izrael. Edhe ministri i Jashtëm izraelit Ashkenazi,  falenderoi SHBA-në siç tha "për përpjekjet për promovimin e paqes kudo në botë dhe për të përparuar marrëdhëniet e Izraelit me vende me të cilat nuk kishte marrëdhënie diplomatike më parë”. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit ishte një nga pikat e marrëveshjes për përmirësim të raporteve Kosovë-Serbi që u nënshkrua me 04.09.2020 në Shtëpinë e Bardhë në Uashington në prani të presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump. Në dokument parashihet që Kosova të hapë ambasadën e saj në Jeruzalem, ndërsa po ashtu Serbia të lëvizë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jeruzalem. E ngarkuara me punë diplomatike e Kosovës në Izrael tashmë është emëruar Ines Demiri që më herët ka shërbyer si diplomate në konsulatën e Kosovës në New York.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti që ishte nënshkruesi i marrëveshjes së Uashingtonit tha, se "me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, shteti i Kosovës, shënon konsolidim në arenën ndërkombëtare duke krijuar miq edhe në Lindjen e Mesme”. Ai tha se ky zhvillim e thyen bllokadën e njohjeve për Kosovën, duke shtuar se krahas dokumentit për marrëdhënie diplomatike, Kosova dhe Izraeli kanë nënshkruar edhe disa marrëveshje tjera që fuqizojnë bashkëpunimin ekonomik dhe politik ndërmjet dy vendeve.