1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova – arritjet dhe sfidat

Bahri Cani2 Mars 2014

Kosova ka shumë rezultate pozitive. Por edhe sfidat gjashtë vjet pas shpalljes së pavarësisë mbeten të mëdha. Kështu u tha në takimin vjetor të SOG në Berlin, ku fjalën e nderit e mbajti ministri i Jashtëm i Kosovës.

https://p.dw.com/p/1BIBF
Logo Südosteuropa-Gesellschaft

„Gjermania është jashtëzakonisht e kënaqur me faktin që një vend i vogël si Kosova nuk mendon vetëm për problemet e veta, por është i gatshëm të marrë përgjegjësi edhe për stabilitetin dhe sigurinë e mbarë rajonit të Evropës Juglindore“, u shpreh në takimin vjetor të Shoqatës së Evropës Juglindore (SOG), kryetari i saj Gernot Erler, pas fjalimit të ministrit të Jashtëm Enver Hoxhaj, i cili në Berlin u paraqit si referuesi kryesor në këtë takim.

Hoxhaj rikujtoi në fjalimin e tij në Universitetin Humbolt se në Evropën Juglindore kanë mbetur të paktën edhe tri probleme serioze pa u zgjidhur deri në fund: raportet mes Kosovës dhe Serbisë; grindjet rreth emrit të Maqedonisë dhe gjendja në Bosnje-Hercegovinë. Kosova po përpiqet të luajë një rol konstruktiv jo vetëm sa i përket stabilitetit dhe sigurisë në këtë vend, por edhe në vendet e rajonit.

„I gjithë rajoni i Evropës Juglindore kërkon një mbështetje të Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian në procesin e integrimeve evropiane. Zhvillimet e fundit në Bosnje-Hercegovinë tregojnë se status quo-ja nuk është zgjidhje e mirë. Ndaj do të ishte mirë që të hartohet një plan, i cili do t‘i mundësonte Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Bosnje-Herdegovinës anëtarësimin në BE, brenda 10 viteve të ardhshme“, theksoi Hoxhaj, duke shtuar se Kosova është dëshmuar në gjashtë vitet e pavarësisë si një vend që angazhohet për stabilitetin rajonal.

Duke folur për angazhimin e Gjermanisë në zgjidhjen e ҫështjes së Kosovës, ministri i Jashtëm Hoxhaj tha se „roli i Gjermanisë ka qenë shumë pozitiv, ndërsa angazhimi i jashtëzakonshëm.“ Ai përmendi në veҫanti dy momente të angazhimit gjerman. Momenti i parë ishte pjesëmarrja e Gjermanisë në ndërhyrjen ushtarake kundër forcave serbe në vitin 1999, që ishte pjesëmarrja e parë e forcave gjermane në ndonjë ndërhyrje jashtë vendit që nga Lufta e Dytë Botërore. Ndërsa momenti i dytë ishte vizita e kancelares Angela Merkel në Beograd në gusht të vitit 2011 dhe konferenca e përbashkët e saj me presidentin e atëhershëm serb, Boris Tadiq, ku kancelarja gjermane paraqiti qartë kërkesat për zgjidhjen e ҫëshjes së Kosovës. Ndër kërkesat e paraqitura ishin edhe njohja e integritetit territorial të Kosovës dhe shuarja e strukturave paralele serbe.

Enver HOXHAJ kosovarischer Aussenminister
Fotografi: picture alliance /

Kosova gjashtë vjet pas shpalljes së pavarësisë, sipas tij, ka arritur shumë: është njohur nga 106 vende të ndryshme të botës si shtet i pavarur; është anëtarësuar në FMN, Bankën Botërore dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare e rajonale; ka nisur bisedimet për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE; ekonomia megjithë krizën mbarëbotërore ka shënuar një rritje mesatare prej 5%; vitin e kaluar ka nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit me Beogradin, e cila shënon bazën për normalizimin e raporteve me Serbinë. Ministri i Jashtëm Hoxhaj tha, se më këtë Marrëveshje Serbia e ka njohur integritetin territorial të Kosovës. „Por normalizimi i plotë i raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit dhe anëtarësimi i Kosovës dhe Serbisë në BE nuk mund të arrihet pa një njohje të sovranitetit mes këtyre dy vendeve“, theksoi ai.

Ministri Hoxhaj nënvizoi se Kosova para vetes ka dhe shumë sfida, sic është anëtarësimi në OKB, antarësimi në BE dhe NATO si dhe luftimi i dukurive negative brenda vendit. „Për luftimin e korrupsionit dhe dukurive të tjera ne ende kemi nevojë për mbështetjen e Eulexit“, tha Hoxhaj.

Ernst Wolfgang Reichel
Fotografi: DW/Arben Muka

Ish-ambasadori gjerman në Kosovë, tani i ngarkuari i qeverisë gjermane për Evropën Juglindore, Turqinë dhe vendet e EFTA, Ernst Reichel bëri të ditur se „miqtë nga SHBA kanë bërë të ditur se zgjidhja e problemeve në Ballkan u takon vendeve të Evropës, sepse këto probleme janë në oborrin e tyre“. Reichel nënvizoi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ka mundësuar fillimin e nomralizimit të raporteve mes këtyre dy vendeve. „Me rëndësi është që të zbatohen deri në fund marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Serbia duhet të normalizojë raportet me Kosovën. Ndërsa perspektiva e anëtarësimit të vendeve të EJL është elementi më i fuqishëm në duart tona“, theksoi Enrst Reichel.