1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e balotazhit

Bekim Shehu
19 Nëntor 2017

Zgjedhje të qeta pa ndonjë parregullsi të madhe në 19 komuna të Kosovës, përfshirë edhe gjashtë qendrat e mëdha, Prishtina, Prizreni, Gjakova, Ferizaj, Gjilani dhe Mitrovica.

https://p.dw.com/p/2ntlr
Kosovo Lokalwahlen
Fotografi: picture-alliance/AA/abaca/E. Keci

Ky ishte raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komunash, pasi në raundin e parë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën me 22 tetor, asnjëri nga kandidatët nuk mori numrin e mjaftueshëm mbi 50 përqind të votave. Pjesëmarrja në raundin e dytë ishte sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rreth 40 përqind, pak më e ulët sesa në zgjedhjet në raundin e parë të 22 tetorit. Numri i përgjithshëm i vëzhguesve që monitorouan zgjedhjet ishte rreth 12 mijë. Monitoruesit ishin përfaqësues nga subjektet politike, nga ambasadat e akredituara në Kosovë, organizatat joqeveritare, si dhe monitorues nga Bashkimi Evropian. Vëzhguesit thanë se edhe në raundin e së dielës janë përsëritur parregullsi të njejta si në zgjedhjet e fundit, votimet familjare dhe përpjekjet për votim të dyfishtë.

Rezultatet e para të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve priten të hënën, ndonëse partitë nxituan menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit të japin rezultatet e tyre, gjithsesi të pakonfirmuara nga KQZ.

Në zgjedhjet  e balotazhit të 19 nëntorit Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) garoi në 12 komuna, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në 9 komuna, Lëvizja Vetëvendosje në 6 komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në 5 komuna, Aleanca Kosova e Re në një komunë, Nisma në një komunë dhe Alternativa në një komunë.

Kosovo Kommunalwahlen 2017
Fotografi: DW/B. Shehu

Në raundin parë të zgjedhjeve të 22 tetorit, 19 komuna përfunduan procesin e zgjedhjes së kryetarit, ndërsa, për asamblistët  komunalë procesi përfundoi në të 38 komunat e Kosovës. Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fitoi në 4 komuna, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në një komunë dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në 2 komuna. Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca Kosova e Re, NISMA për Kosovën dhe Alternativa në raundin e parë nuk arritën të fitojnë asnjë komunë.

Lista Serbe ka fituar në 9 komuna të Kosovës. aNë këto  komuna të banuara më shumicë serbe, sipas raportit të vëzhguesve evropian, procesi nuk ka qenë tërësisht demokratik, sepse sipas tyre "ata kanë evidentuar presione tek votuesit  që të votohet vetëm për një subjekt politik” në këtë rast për listën "Srpska”, që e ka mbështetjen e qeverisë në Beograd.