Kosovë : Tani më tepër qartësi për rolin e UNMIK
12 Qershor 2008Zyrtarë të UNMIK-ut, konfirmojnë se në Prishtinë ka arritur letra zyrtare e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, e cila sqaron se cili do të jetë formati i UNMIK-ut, pas datës 15 qeshor kur do të hyjë në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Letra i është dorëzuar presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu dhe një kopje e ngajshme do t'i dorëzohet edhe presidentit të Serbisë, Boris Tadiq. Detaje të letrës akoma nuk janë bërë të njohura, mirëpo sipas njoftimeve të mëhershme thuhet se plani i zotit Ban Ki-Moon, mundëson zvogëlimin gradual të UNMIK-ut gjatë një periudhe disamujore, që do të definohet saktë më vonë, si dhe thuhet që misioni i BE-së, EULEX- do të funksionalizohet.
Zyrtarë nga presidenca e Kosovës akoma nuk pranojnë të deklarohen mbi përbajtjen e letrës sepse ajo është duke u shqyrtuar nga presidenti. Mediat serbe më herët kanë shkruar se Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, në planin e tij, ka pranuar në masë të madhe konceptin e qeverisë së Serbisë për bashkëpunim me UNMIK-un. Bashkëpunimi do të ishte sipas tyre në gjashtë fusha, në polici, gjyqësi, dogana, kontroll kufitar dhe trashëgimi kulturore e fetare. Autoritetet në Prishtinë, ndërkaq, disa herë janë shprehur se autoritet e Beogradit, nuk mund të angazhohen më për proceset në Kosovë dhe UNMIK-u duhet t'i bartë të gjitha përgjegjësitë tek institucionet e Kosovës dhe tek misioni i ri i BE-së. Ata janë pajtuar që në Kosovë edhe për një kohë te ketë dy mekanizma ndërkombëtar, misioni i UNMIK-ut dhe ai i BE-së, mirëpo që UNMIK-u më së largu deri në vjeshtë të këtij viti, përfundimisht të largohet nga Kosova.