1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Rrëzohet qeveria Kurti

Bekim Shehu
26 Mars 2020

Me 82 për, 32 kundër dhe një abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan pro mocionit të mosbesimit të qeverisë, duke e shkarkuar kështu qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti i partisë Vetëvendosja

https://p.dw.com/p/3a2hE
Symbolbild - Kosovo-Parlament berät über Misstrauensvotum
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

Mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë Kurti u inicua nga partneri i koalicionit me Kurtin, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pas një serie përplasjesh mes dy partive. Të gjitha grupet e tjera parlamentare në Kuvendin e Kosovës, përfshirë edhe listën Srpska votuan pro mocionit të mosbesimit e kundër qeverisë Kurti, duke e lënë të vetme Vetëvendosjen, e cila me 29 deputetë ishte partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019. Ndryshe nga grupi i saj parlamentar, bashkëfituesja e zgjedhjeve të tetorit, dhe njëherazi kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, votoi kundër mocionit. 

Pristina-Kosovo PK Partei Vetevendosja
Vjosa Osmani (LDK) ishte nga te paktet e partise se vet qe votoi kunder mocionitFotografi: DW/Bekim Shehu

Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha para deputetëve se për vetëm 50 ditë kjo qeveri bëri shumë veprime të mira, por, po ia ndalin menaxhimin e mirë që po e bën në luftën kundër pandemisë. Ndërkaq, sipas tij e vërteta nuk është, as shkarkimi i një ministri, as mos-heqja e tarifës ndaj Serbisë dhe as antiamerikanizmi, por, sipas tij, këtu fshihet dicka më e madhe në prapavijë. 


Akuza të ndërsjella 


“Motori për rrëzimin e qeverisë është marrëveshja e gatshme për shkëmbimin e territorit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kjo është në prapavijë, pra është pazar presidencial me e rrëzu këtë qeveri, por me mua kryeministër nuk bëhet marrëveshje. Dhe nuk ka marrëveshje as në Shtëpi të Bardhë dhe as në shtëpi të verdhë e as shtëpi të kuqe, me mua kryeministër. Pra, qëllimi ishte që të spostohem unë si kryeministër dhe Presidenti Thaçi të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme”, tha Albin Kurti duke shtuar se sipas tij, “ka një marrëveshje të gatshme dhe këtë, siç thotë, “në një farë forme ia ka konfirmuar edhe vetë Presidenti Thaçi në takim. 

Symbolbild - Kosovo-Parlament berät über Misstrauensvotum
Mocioni i mosbesimit u zhvillua ne nje kohe kur Kosova po perballet me rritjen e infektimeve me virusin korona.Fotografi: Reuters/L. Hasani


“Ai ma përsëriti tri here në takim, hiqe, kryeministër, taksën dhe shkojmë në Shtëpinë e Bardhë dhe e heqim qafe Serbinë. Këta kryeministrat e tjerë janë kryeministra të emëruar, unë e ti jemi të zgjedhur nga populli. Pra, nuk është ideja me heq këtë qeveri për taksën, por me heq qeverinë e me i hapë rrugë marrëveshjes. Këto pazare nuk mund të kenë mua si bashkëpunëtor”, tha kryeministri Albin Kurti dhe shtoi se “po kërkohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në mënyrë që të krijohen incidente në veri të Kosovës dhe më pas të arrihet një marrëveshje me Serbinë”. 


Para se të votohej mocioni për rrëzimin e qeverisë Kurti, shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në arsyetimin e mocionit të mosbesimit tha se kryeministri Albin Kurti zgjodhi të shkaktojë krizë politike, duke shkarkuar ministrin e Brendshëm të LDK-së, pa u konsultuar me kreun e partisë e ndërkaq po vazhdon “luftën”, politike me presidentin Hashim Thaçi.
“Pas në periudhe të gjatë mosveprimi për heqjen e tarifës pas kërkesës së gjatë të SHBA-ve dhe në kohën kur vendi ka nevojë për unitet të brendshëm në këtë kohë pandemie, Kurti vendosi ti jap fund marrëveshjes qeverisëse me LDK-në, ku shkarkoi ministrin e punëve të brendshme pa konsultime me partnerin e koalicionit”, tha Arben Gashi, duke paralajmëruar se mund të formohet një qeveri e përkohshme. 


Nga ana tjetër, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, tha se arsyeja e vërtetë e mocionit të mosbesimit për qeverinë Kurti nuk është shkarkimi i një ministri dhe as “antiamerikanizmi” , por e vërteta sipas tij është që ka një plan për marrëveshje me Serbinë për ndarjen e Kosovës. 
“LDK-ja sot bashkë me aleatët e vjetër po kërkojnë mocion mosbesimi në kohën më të vështirë për Kosovën. Pra, kërkojnë rrëzimin e qeverisë, kur bota po vazhdon sërish të përballet me këtë pandemi. LDK nuk ka zgjedhur aleat tjetër përveç kundërshtarëve të kësaj qeverie”, tha Rexhep Selimi, duke fajësuar LDK-në për këtë situatë të krijuar. 
“Ju edhe mund ta braktisni interesin e qytetarëve, ju edhe mund ta tradhtoni votuesin tuaj, ju mund edhe ta pranoni e shtyni përpara projektin e Thaçit dhe Vuçiqit drejt një marrëveshje, që po na pret, por kurrë nuk do të mund të na mposhtni, por do të takohemi prap, në zgjedhjet që po i shkaktoni ju”, tha Rexhep Selimi.


Qëndrime të ndryshme nga Bashkësia Ndërkombëtare 


Sidoqoftë, një ditë më parë Gjermania dhe Franca i kërkuan LDK-së që ta tërheqë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti por, mocioni nuk u tërhoq. E kryetari i LDK-së Isa Mustafa, duke komentuar këtë kërkesë tha se këtë krizë politike e shkaktoi kryeministri Kurti por jo LDK-ja. Sipas tij, “bashkëpunimi me Gjermaninë dhe Francën sikurse edhe me vendet e tjera të Bashkimit Evropian është me rëndësi themelore për LDK-në dhe për Kosovën”. 


“Kosova ka gëzuar përherë përkrahje të fuqishme të këtyre vendeve. Prandaj edhe e mirëkuptojmë brengën e tyre për situatën aktuale në Kosovë. Ministrat tanë do të bëjnë punën për aq sa u krijon hapësirë z.Kurti që ta përballojmë luftën me këtë virus. Mocioni është një instrument demokratik. Ai tani, sipas Kushtetutës është në të drejtën e deputetëve që e kanë nënshkruar, jo vetëm e atyre të LDK-së.”, shkroi Isa Mustafa në profilin e tij.


Në anën tjetër ishte ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnet, i cili një ditë më parë shkroi në Twitter se ai “është i lumtur që po mbahet seanca për mocionin e votëbesimit të qeverisë Kurti”. 

“Gëzohem ta shoh Kuvendin që nesër do ta mbajë seancën e mocionit të votëbesimit. I kam thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, se është e rëndësishme që të respektohet kushtetua e vendit nga Kuvendi dhe institucionet e tjera”, shkroi Kosnet.


Partnerët e koalicionit Vetëvedosje dhe LDK, gjatë këtyre muajve të bashkëqeverisjes kanë pasur vazhdimisht mosmospajtime. Mospajtimi më i madh ishte rreth tarifës për mallrat nga Serbia, ku LDK-ja, ashtu siç kërkonte edhe SHBA-ja, kërkonte heqjen e tërësishme të saj, ndërsa, kryeministri nuk pajtohej, por mbështeste idenë e heqjes graduale. Sidoqoftë, qeveria e Kosovës tashmë në detyrë do të vazhdojë punën e saj deri në krijimin e një qeverie të re, apo me mundësinë e shkuarjes së vendit në zgjedhje.