1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Rekord infektimesh me Covid-19

Bekim Shehu
27 Korrik 2020

Në Kosovë përhapja e koronavirusit nuk ka të ndalur. Si rrjedhojë sistemi i brishtë shëndetësor është i mbigarkuar, paralajmërojnë autoritetet.

https://p.dw.com/p/3g08j
Symbolbild - Kosovo-Parlament berät über Misstrauensvotum
Fotografi: Reuters/L. Hasani

Në ditët e fundit në Kosovë ka pasur rritje të madhe të numrit të personave të infektuar me Covid-19, duke mbingarkuar kështu sistemin e brishtë shëndetësor të vendit. Vetëm  në 48 orët e fundit mbi 500 persona u infektuan me koronavirus dhe ka pasur gjithashtu edhe viktima, njoftuan zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP). Naser Ramadani, nga ky institut, tha, se shifra e të infektuarve gjatë 24 orëve të fundit është shifër rekord dhe paralajmëroi, që situata në sistemin shëndetësor është e mbingarkuar.

"Në 24 orët e fundit po ashtu u regjistruan tetë viktima nga koronavirusi. Numri total i viktimave aktualisht është 185”, tha Naser Ramadani.

Kosova me 1.8 milionë banorë ka regjistruar rastet e para me koronavirus më 13 mars dhe qysh atëherë ka konfirmuar gjithsej 7,413 raste pozitive. Nga ky numër 4,027 janë shëruar.

Lindita Ajvazaj-Berisha, drejtoreshë e Klinikës Infektive në Prishtinë, tha se në klinikat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë të shtruar gjithsej 385 pacientë me koronavirus dhe se 43 janë në gjendje kritike. Numri i personave të shtruar në klinikat infektive në spitale është i madh dhe autoritet kanë shtuar personelin mjekësor për të ndihmuar në trajtimin e pacientëve.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se nga gjithsej shtatëqind shtretër në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet rajonale, vetëm edhe 130 shtretër kanë mbetur në dispozicion për personat e infektuar me koronavirus. Ai tha se institucionet përkatëse janë duke punuar në riorganizim të ri në QKUK dhe ndoshta mbylljen e disa klinikave për t'i shfrytëzuar më pas ato për personat e prekur me koronavirus. Në përpjekje për të frenuar përhapjen e Covid-19, kryeministri Hoti zhvilloi të hënën (27.07) në një takim me kryetarët e komunave të Kosovës dhe sipas njoftimit të kryeminstrisë, tha se ata janë dakorduar për ndërmërrjen e masave të reja shtesë së shpejti për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Dy javë më parë qeveria e Kosovës e shqyrtoi mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe kjo mundësi ende po shqyrtohet, thonë zyrtarë të qeverisë, nëse nuk ka frenim të përhapjes së rasteve.

Njoftimi për mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme pati nxitur reagime të ekspertëve të shëndetësisë dhe atyre të ekonomisë për pasojat e mundshme që mund të ketë. Infektologu i njohur kosovar, Lul Raka, pati thënë se "çfarëdo vendimi që merret duhet të analizohet hollësisht nga të gjitha këndvështrimet dhe institucionet relevante, duke dhënë të gjithë opusin e mundshëm të impaktit të intervenimeve të ndërmarra”.

"Reagimi nuk duhet të jetë reaktiv dhe vendimit politik duhet t'i paraprijë qasja shkencore. Dy faktorët kryesorë të rritjes së numrave janë: mosrespektimi masiv nga qytetarët dhe mungesa e mbikqyrjes dhe kontrollit nga shteti. Këtu është problemi kyç dhe këtu duhet të jetë fokusi i përgjigjes pa lënë anash rekomandimet e fundit të ECDC. Kultura dhe mentaliteti janë pjesë e rëndësishme që duhet të merren në konsideratë në intervenim”, shkroi Lul Raka.

Ndërkohë njohësit e ekonomisë, thonë se mbyllja edhe njëherë e bizneseve, do të jetë fatale për ekonominë  e brishtë të Kosovës. Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonimike të Kosovës, shkroi:

"Mbyllja e bizneseve na dërgon në kataklizëm ekonomik. Çdo gjendje e jashtëzakonshme, që përfshin mbyllje të bizneseve, do të jetë fatale për ekonominë. Nëse gjendja e jashtëzakonshme shpallet për të mundësuar masa më të rrepta në luftën me pandeminë, atëherë këto masa të mos ndërmerren në kurriz të ekonomisë në terësinë e vet. Masat duhet të ndërmerren ndaj atyre bizneseve që nuk respektojnë rregullat dhe masat parandaluese”, shkori Berat Rukiqi.

Sidoqoftë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, vazhdimisht bën apel për respektim të masave për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, por këto masa nuk po respektohen nga qytetarët dhe për pasojë ka rritje të madhe të infektimeve. Në prag të festës së Kurban Bajramit, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) mori vendim që falja e Bajramit, nuk do të bëhet në xhami në ditën e Kurban Bajramit.

"Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”, thuhet në apelin e IKSHP-së.