1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Punonjësit e arsimit në grevë urie për rrogat

15 Tetor 2007

Punonjësit e arsimit kanë hyrë në ditën e pestë të grevës së urisë duke kërkuar rritjen e pagave. Zyrtarët thonë se ngritja e pagave është e pamundur për shkak të buxhetit, i cili është shumë i vogël.

https://p.dw.com/p/BrEh
Fëmijë duke mësuar
Fëmijë duke mësuarFotografi: AP

Dhjetra punonjës të arsimit në Kosovë, kanë hyrë në ditën e pestë të një greve urie duke kërkuar ngritjen e pagave me 12 përqind. Në muajin gusht të këtij viti, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, arriti një marrëveshje me sindikalistët e arsimit për rritjen e pagave të punonjësve të arsimit për 12 përqind, por me fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshje, aty nuk u përfshinë punonjësit tekniko-ndihmës të arsimit. Këta të fundit, thonë se marrëveshja është jetësuar vetëm për mësimdhënësit, ndërsa punonjësit tekniko-ndihmës të arsimit janë përjashtuar nga gritja e pagave dhe këtë e kanë kuptuar vetëm në fund të muajit shtator. Njëri nga udhëheqësit e grevistëve Rrahman Jasharaj, thotë se ata janë të vendosur që të vazhdojnë grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Mirëpo, nga ana tjetër zyrtarë të ministrisë së arsimit thonë se punonjësit tekniko-ndihmës në arsimin kosovar, është e pamundur të përfshihen në rritjen e pagave krahas mësimdhënësve, për faktin që këtë nuk e lejon buxheti i Kosovës. Për më shumë, ata thotë se mospërfshirja e tyre në rritjen e pagave prej 12 përqind është rekomanduar edhe nga zyra në Prishtinë e Fondit Monetar ndërkombëtar, mekanizëm ky që kontrollon buxhetin e Kosovës. Sidoqoftë, punonjësit ndihmës të arsimit kosovar janë të vendosur të vazhdojnë grevën madje edhe nëse Ministria e Arsimit nuk e zgjidh problemin dhe rrit pagat e tyre, ata thonë se do të ndërmarrin veprime më radikale. Shumë indinjues për grevistët është fakti që skush nga ministria e arsimit nuk i ka vizituar dhe madje as nuk pranojnë që të zhvillojë biseda me grevistët. Ekipe mjekësh kanë vizituar disa herë grevistët dhe thonë se gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar dukshëm, ndërsa rekomandojnë që greva të ndërpritet.