1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Arrestohen dhe ekstradohen gjashtë shtetas turq

Bekim Shehu
29 Mars 2018

Ministria e Punëve të Brendshme fillimisht u revokoi lejet e qëndrimit shtetasve turq dhe më pas i ekstradoi ata për në Turqi. Kryeministri Haradinaj nuk dinte gjë as për operacionin dhe as për ekstradimin.

https://p.dw.com/p/2vDsb
Kosovo Sicherheitskräfte
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

Në mëngjesin e sotëm Policia e Kosovës, arrestoi gjashtë zyrtarë të kolegjit turk "Mehmet Akif”, që vepron tash e disa vite në Kosovë. Të arrestuarit janë, drejtori i përgjithshëm i kolegjit "Mehmet Akif" në Kosovë, zëvendësi i tij, që drejton një shkollë tjetër në qytetin e Gjakovës, tre arsimtarë në këtë shkollë si dhe drejtori i  një shkolle tjetër në Gjilan. Që të gjithë të arrestuarit janë shtetas të Turqisë, ka bërë të ditur në një komunikatë për medie kolegji "Mehmet Akif”. Sipas tyre arsyet e arrestimit nuk dihen. Mirëpo, ministria e punëve të brendshme, pas përfundimi të aksionit të policisë, nëpërmjet një komunikate për medie, tha  se personave në fjalë në bazë të mandatit për zbatimin e ligjit për të huajt, ju kanë revokuar lejet qëndrimit.

"Duke iu referuar rasteve konkrete Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion ka vepruar në bazë të Ligjit për të Huaj dhe mandatit që ka për shqyrtimin dhe vendosjen e të gjitha kërkesave që kanë të bëjnë me leje qëndrim. Kjo është një procedure ligjore e cila është aplikuar edhe në rastet e mëhershme, si për të huajt me leje qëndrim, gjithashtu edhe për të huajt që kanë fituar shtetësinë e Kosovës dhe u është revokuar për arsye të sigurisë, apo procedurave tjera të parapara me ligjin përkatës. Gjatë administrimit të provave është konstatuar se për personat në fjalë, ka bazë të mjaftueshme ligjore që të merren masat për revokimin e leje qëndrimit të tyre në territorin e Republikës së Kosovës. Pas revokimit të leje qëndrimit, qëndrimi i mëtejmë i këtyre qytetarëve konsiderohet i jashtëligjshëm”, thuhet në komunikatën e ministrisë së brendshme të Kosovës.

Dyshime se pse personat e akstraduar nuk iu paraqiten gjykatës

Dhe vetëm pas këtij njoftimi, u bë e ditur se pesë shtetasit e Turqisë, u ekstraduan për në Turqi, duke lënë shumë dyshime se pse ata nuk e paraqiten para gjykatës.

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili nuk ishte në dijeni të operacionit të policisë, sikundër nuk dintë gjë për ekstradimn  e tyre. "Sot përmes një operacioni të ndërmarrë nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI)  në bashkëpunim me Policine e Kosovës janë ndaluar dhe deportuar 6 qytetarë turq. Ka disa elemente që e bëjnë të paqartë këtë operacion deri te urgjenca e deportimit. Si Kryeministër i Kosovës, duke mos qenë i informuar nga asnjë institucion vendor për ndalimin dhe deportimin e tyre, do të veproj në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë veprim dhe paqartësitë rreth këtij veprimi”, thuhet në reagimin e kryeministrit Haradinaj.

Türkei Flüchtlinge in der Sanliurfa Provinz
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Altan

Në të njejtën linjë shprehet edhe kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sipas të cilit "veprimi i sotëm i arrestimit dhe i deportimit të shtetasve turq me urgjencë, nuk përkon me vlerat evropiane  të Kosovës”.

"Arrestimi i sotëm i gjashtë shtetasve turq, banorë me leje të vlefshme qëndrimi në Kosovë dhe punonjës në Kolegjin Mehmet Akif të akredituar sipas standardeve përkatëse të Kosovës, nuk përfaqëson as formën e duhur të zhvillimit të sundimit të ligjit, as konsolidimit të nevojshëm të demokracisë. Ndërmarrja e veprimeve të tilla pa respektim të procedurave përkatëse dhe mungesë transparence lë hapësirë të theksuar për mëdyshje për veprimet arbitrare të autoriteteve në fjalë”, tha Kadri Veseli.

Sipas tij, Kosova në mënyrë institucionale duhet të adresojë përgjegjësinë ligjore të aktorëve të involvuar në këtë rast. "Po ashtu, arrestimi i shtetasve të huaj në flagrancë për dyshime të pabazuara, nuk korrespondon me vlerat evropiane që duhet t'i përfaqësojë Kosova. Kosova s'ka alternative tjetër veç rrugëtimit evropian. Kjo, natyrisht, kërkon sundim të ligjit dhe llogaridhënie prej abuzuesve arbitrarë të tij”, tha kryetari i kuvendit  Kadri Veseli.    

Listë nga Turqia

Shkollat "Mehmet Akif" ku punonin gjashtë shtetasit e Turqisë, janë të shtrira në disa qytete të Kosovës dhe i përkasin Institucionit Arsimor turk "Gylistan”. Zyrtarë të ministrisë së Arsimit disa herë kanë deklaruar se këto institucione shkollore, veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës. Gylistan, në Kosovë ka edhe kopshte fëmijësh, institucione parashkollore e shkolla fillore dhe të mesme pothuaj në të gjithë Kosovën.

Türkei Jahrestag Putschversuch
Fotografi: picture-alliance/AA/M. Aktas

Ka kohë që mediet në Prishtinë kanë shkruar se, ministri i Drejtësisë në qeverinë e Kosovës, e ka pranuar një listë nga Turqia me emrat e personave të cilët kërkon nga Kosova që t'i ekstradojë në Turqi, si  të dyshuar që kanë qenë pjesë e organizatës FETO, të Fetullah Gulenit, e cila nga autoritetet turke konsiderohet si organizatë terroriste. Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, e fajëson klerikun fetar turk, Gulen për përpjekjen për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016.

Arrestimi i sotëm i drejtuesve të shkollave turke në Kosovë që i përkasin Institucionit Arsimor turk "Gylistan”, është më i madhi i këtij lloji. Njëri nga analistët e njohur në Kosovë, Shkëlzen Maliqi, shkroi në profilin e tij se "aktiviteti i institucionit  arsimor turk "Gylistan”, në Kosovë është legal dhe shkollat janë regjistruar sipas ligjeve të Kosovës”.

"Nëse këto shkolla në Kosovë nuk kanë qenë nën hetime se janë duke zhvilluar veprimtari të rrezikshme për shtetin e Kosovës, e as Turqia nuk ka dërguar dëshmi tjera të bindshme se ata janë "terroristë" pos se janë "gylenista", nuk ka pse të depërtohen! Përkundrazi, duhet tu ofrohet azili ose mundësia që të zgjedhin në cilin shtet duan të jetojnë”, shkroi Shkelzen Maliqi.

Shoqeria civile ka paralajmeruar  protesta kundër ekstradimit që të gjashtë shtetasve turq që kishin leje qëndrimi në Kosovë.