Kosovë: Pezullohet restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës
9 Shkurt 2022Bashkimi Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) pezulluan projektin për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë, figurë kjo e lidhur me nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pezullimi ndodhi vetëm një ditë pas shumë reagimeve në opinionin publik pro dhe kundër, dhe sidomos pas reagimit kundër të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë (RFGJ) në Prishtinë dhe raportueses për Kosovën në Parlamentin evropian Viola von Cramon, të cilët thanë se Xhafer Deva ka qenë "bashkëpunëtor i ngushtë i nazistëve”. Në njoftimin e BE-së dhe UNDP thuhet se këto mekanizma "kanë dëgjuar nga afër shqetësimet pas njoftimit për restaurimin e një vendi të trashëgimisë kulturore në Mitrovicë të lidhur me pronarin e mëparshëm Xhafer Deva, e kaluara e të cilit si bashkëpunëtor i nazistëve është komentuar shumë gjatë ditëve të fundit”.
"UNDP dhe Bashkimi Evropian shprehin keqardhje për çdo ofendim të paqëllimshëm të shkaktuar me rastin e njoftimit për fillimin e punimeve duke lënë jashtë sfondin historik të Xhafer Devës. UNDP dhe Bashkimi Evropian dënon fuqishëm antisemitizmin, ksenofobinë si dhe manifestimet e shumta të tij, duke përfshirë rritjen e intolerancës dhe urrejtjen ndaj pakicave etnike dhe komuniteteve të cënueshme”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se UNDP dhe BE do të jenë në kontakt me të gjitha palët, duke përfshirë edhe mundësinë "për të përdorur situatën aktuale si mundësi që të adresohet hapur e kaluara përmes diskutimeve dhe konsultimeve me të gjitha komunitetet e rëndësishme."
Xhafer Deva ka qenë politikan shqiptar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945. Më 1944, Deva u emërua ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë, e cila u formua me mbështetje të nazistëve. E pikërisht restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës, nuk i ka pëlqyer Ambasadës së RFGJ-së në Prishtinë. Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, shkroi se "kultura e kujtesës është duke u bërë në mënyrën e gabuar!”.
"Jam shumë i shqetësuar për planet në lidhje me restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, që ishte një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i divizionit famëkeq SS Skënderbeg. S'ka pastrim të historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas”, shkroi ambasadori gjerman Rohde në Tëitter. Sipas ambasadorit gjerman, ambasada që ai e drejton ka shprehur gatishmëri që të ndihmojë Kosovën në raport me kujtesën e së kaluarës.
"Kultura e kujtesës dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore duhet të merren si mundësi për t'u marrë me të kaluarën në mënyrë të hapur dhe të vërtetë. Ambasada gjermane është e gatshme të mbështesë çdo qasje të arsyeshme ndaj kulturës së kujtesës në Kosovë”, shkori ambasadori gjerman Rohde.
Një reagim të ngjashëm pati edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin evropian, Viola von Cramon.
"Rasti i shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicën e Jugut, personalisht më brengos dhe ngre shumë shqetësime tek unë. Zbardhja e së shkuarës dhe shtrembërimi i fakteve për bashkëpunëtorin/protagonistin e njohur nazist të Divizionit të 21-të SS ‘Skënderbeu' nuk duhet të lejohet. Nuk duhet të ketë vend për revidimin e historisë së Luftës së Dytë Botërore dhe mohimin e Holokaustit”, shkroi në Tëitter Von Cramon.
Ndërkohë, reagim pati edhe nga Ministria e Kulturës e qeverisë së Serbisë, e cila përmes një letre i kërkoi BE-së dhe UNDP-së të mos e rinovojnë shtëpinë e Xhafer Devës.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qeverinë e Kosovës, Hajrulah Ceku, në një shpjegim të gjatë për opinionin publik, duke e mbrojtur idenë e restaurimit të objektit thotë, se "Restaurimi i monumenteve bëhet për t'i shërbyer komunitetit, jo për revizionizëm historik apo rehabilitim figurash”.
"Përpjekja për ta zhvendosur debatin në rrafshin e narracionit mbi personalitetin përkatës historik dëmton rëndë përpjekjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Për më keq, kjo qasje legjitimon dhunën ndaj arkitekturës dhe artefaktit. Askush nuk është kundër fakteve historike, ato duhen thënë zëshëm dhe pa asnjë rezervë, para së gjithash nga profesionistët. Mirëpo, kundërshtimi i restaurimit duke u referuar në narracionin historik është në kundërshtim me konventat botërore dhe praktikat e përparuara europiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Ne nuk bëjmë revizionizëm historik dhe rehabilitim të figurave”, shkroi ministri Ceku.
Shtëpia Xhafer Devës thuhet, se është ndërtuar në vitin 1930 nga arkitektë dhe punëtorë austriakë. Sipas Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), objekti ka stil modern perëndimor-evropian dhe është i pari i këtij lloji në Mitrovicë. Karakterizohet me dekorime të shumta që, sipas MKRS-së, janë tipike për stilin e tij. Shtëpia është në listën e përkohshme të monumenteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Ministria e Kulturës thotë, se është duke investuar në gjithë trashëgiminë kulturore në Kosovë, pa dallim, "përfshi xhami e monumente islame, kisha ortodokse, kisha katolike, shtëpi tradicionale, lokalitete arkeologjike, trashëgimi shpirtërore, muze, ndërtesa publike dhe të tjera”. Dhe për fund, thotë ministri i Kulturës, "duhet thënë hapur që ndihma e shteteve mike të Kosovës në betejën tonë për ta shpëtuar trashëgiminë kulturore është jetike”. Ministri Ceku për këtë arsye u bëri thirrje shteteve mike të Kosovës që sikurse në të kaluarën, t‘i qëndrojnë Kosovës pranë.