1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kooperimi kërkimor e shkencor mes universiteteve shqiptare dhe gjermane

Arben Muka / Tiranë4 Dhjetor 2008

Prof.dr Dhori Kule, Rektor i Universitetit të Tiranës, i vlerëson marrëdhëniet me universitetet e qëndrat kërkimore e shkencore në Gjermani si "në nivelin më optimal dhe efektiv të mundshëm".

https://p.dw.com/p/G962
Universiteti i Tiranës
Universiteti i TiranësFotografi: DW / Cama
Duke folur në një intervistë për DW, Prof. Kule shprehet se në më shumë se një dekadë "ka kooperim të ngushtë të Universitetit të Tiranës me Universitetin e Potsdam-it, të Siegen-it dhe të Bamberg-ut. Mbështetja kryesore e programeve të përbashkëta është bërë kryesisht nëpërmjet Shërbimit të Shkëmbimit Akademik Gjerman, DAAD. Unë do të veçoja bashkëpunimin me Universitetin e Bamberg-ut, që ka nisur nga vitit 2000 me një strukturë të Universitetit të Tiranës, fakultetin Ekonomik".

Prof. Kule, i cili ka qënë për një kohë të gjatë dekan i fakulteti Ekonomik, tregon për DW, se një numër i madh studentësh dhe pedagogësh nga ky fakultet kanë qënë në Universitetin e Bamberg-ut, sikundër dhe e kundërta. "Jam befasuar kur kam parë në botime të ndryshme që kam lexuar në Bamberg, se si kanë shkruar studentët dhe pedagogët gjermanë për Shqipërinë, zhvillimet e brendshme, gjithshka që atyre ju ka bërë përshtypje nga qëndrimi dhe kontaktet me vendin tonë. Ajo që është e rëndësishme për tu përmendur është themelimi në fakultetin Ekonomik në Tiranë, i një dege për studimet Master në Europian Economic Studies (MEES), ku është implementuar përvoja e Universitetit të Bamberg-ut. Nga ekspertiza që i është bërë kësaj dege ka rezultuar se ajo plotëson tërësisht standartet europiane në këtë fushë. Në vitin tjetër akademik mendojmë që nga program me kohë të pjesshme ta shndërrojmë me kohë të plotë"- thotë rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Dhori Kule.

Për të lehtësuar urat e komunikimit mes institucioneve universitare në Shqipëri e Gjermani, drejtuesit e Universitetit të Tiranës, kanë shtrirë futjen e studimit të gjuhës gjermane, ku p.sh, në fakultetin e Ekonomisë gjermanishtja është si gjuhë e dytë. Prof. Kule, duke qënë dhe kryetar i konferencës së rektorëve të universiteteve shqipfolëse, thotë se "bashkëpunimi gjerman nuk është vetëm me fakultetet e Universitetit të Tiranës, por dhe me fakukultete e universitete të tjera".