Polonia do të tërhiqet nga Konventa e Stambollit
28 Korrik 2020Konventa e Stambollit e Këshillit të Evropës përmban dispozita të një "natyre ideologjike", të cilat ai nuk mund t'i pranojë dhe i konsideron të dëmshme, tha ministri polak i Drejtësisë, Zbigniew Ziobro. Prandaj ai do t'i propozojë Ministrisë së Familjes, e cila është përgjegjëse për këtë marrëveshje që Polonia të tërhiqet prej saj. Ziobro është themeluesi i partisë nacional-konservatore "Polonia Solidare" (PS), një fraksion i partisë "Ligji dhe Drejtësia" (PiS) të kryeministrit Mateusz Morawiecki.
Konventa e Stambollit u nënshkrua në vitin 2012 nga qeveria e atëhershme e moderuar polake dhe u ratifikua në vitin 2015. Marrëveshja i detyron shtetet nënshkruese që t'i klasifikojnë si krime çdo formë dhune ndaj grave dhe vajzave si dhe të gjitha format e dhunës në familje dhe të luftojnë kundër diskriminimit ndaj grave. Disa vende të BE-së si Hungaria dhe Sllovakia nuk e kanë ratifikuar as deri më sot konventën.
"Hap i madh mbrapa"
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejcinovic Buric, reagoi "e alarmuar" nga njoftimi i ministrit polak të Drejtësisë, Ziobros. Tërheqja e Polonisë nga konventa do të ishte "një hap i madh mbrapa për mbrojtjen e grave kundër dhunës në Evropë". Nëse ka keqkuptime në lidhje me konventën, jemi gati t'i sqarojmë ato përmes një dialogu konstruktiv, tha Marija Pejcinovic Buric.
Deputetë kryesorë të Parlamentit Evropian e dënuan gjithashtu këtë veprim. Kryetarja e grupit socialist, Iratxe García Pérez nga Spanja u shpreh për një vendim "të turpshëm". Kryetari i grupit liberal "Renew Europe", ish-kryeministri rumun Dacian Ciolos, e kritikoi njoftimin si "një hap mjeran disa anëtarësh të qeverisë polake" që duan të demonstrojnë konservatorizmin e tyre ".