1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kontribut i përbashkët i arkeologëve shqiptarë dhe gjermanë në Apoloni

30 Shtator 2010

Synim kryesor është kthimi i parkut në destinacion të dyfishtë: si një mundësi për studim, por dhe për të gjallëruar sa më shumë turizmin kulturor në një territor rreth 100 hektarë.

https://p.dw.com/p/PQXx
Në parkun arkeologjik të Apolonisë vijnë çdo ditë shumë vizitorë të huajFotografi: DW

Rreth 20 arkeologë dhe studentë të kësaj dege nga Shqipëria dhe Gjermania prej më shumë se një jave kanë nisur një ekspeditë të përbashkët në parkun Arkeologjik të Apolonisë, rreth 120 km larg Tiranës. Ata janë të fokusuar në gërmimin dhe studimin e pjesës së teatrit antik, një monument, që besohet se ka filluar të ndërtohet në gjysmën e shekullit të tretë para lindjes së Krishtit.

Zusammenarbeit Archäologen Albanien Deutschland in Apolonia
Arkeologët shqiptarë dhe gjermanë së bashkuFotografi: DW

Bashkëpunimi shqiptaro-gjerman në fushën e arkeologjisë ka nisur në vitin 2006 nga vendosja e marrëdhënieve mes Institutit të Arkeologjisë në Tiranë dhe Institutit e Arkeologjisë Klasike pranë Universitetit të Këlnit. Promotori i projekteve të përbashkëta, Prof. Dr. Henner von Hesberg, në atë kohë drejtor i Institutit në Këln, më pas kaloi në Institutin analog në Romë, që është strukturë përbërëse e Institutit Arkelogjik Gjerman në Berlin. Projektet e përbashkëta mes dy vendeve vijuan duke përfshirë Lezhën dhe pjesë të tjera të zonës veriore të Shqipërisë dhe tashmë janë instaluar në pjesën e Parkut Arkeologjik të Apolonisë në rrethin e Fierit.

Zusammenarbeit Archäologen Albanien Deutschland in Apolonia
Gërmimet në parkun arkeologjik të Apolonisë kanë nisur që në vitin 1971Fotografi: DW

Gërmimet dhe studimet e kohës se antikitetit në këtë territor kanë nisur në vitin 1971 dhe vazhduan për 10 vite. Për arsye financiare gjithshka ngriu deri në vitin 2006, kur nisi të zyrtarizohet bashkëpunimi shqiptaro gjerman. Prof. Asc. Dr. Bashkim Lahi, nga Departamenti i Antikitetit në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë është angazhuar për një kohë të gjatë për vendosjen e kontakteve dy palëshe.

Aktualisht arkelogët fokusohen në gërmimet tek pjesa e teatrit antik

Ky objekt, që besohet se ka nisur të ndërtohet në mes të shekullit të tretë para lindjes së Krishtit.

Zusammenarbeit Archäologen Albanien Deutschland in Apolonia
Prof. Asc. Dr. Bashkim LahiFotografi: DW

“Shpresoj që në gërmimet e ardhshme ne të kemi një tablo më të qartë, jo vetëm me problemet e kronologjisë, pra kohës së fillimit dhe të vazhdimit të jetës së teatrit, por shpresojmë që të bëjmë dhe rikonstruksionin e tij. Së pari, rikonstruksionin grafik dhe në varësi të elementëve arkitekturorë, që fitohen gjatë gërmimit, ndofta një pjesë të tij edhe mund ta rikonstruktojmë plotësisht, ashtu siç ka qenë. Gjithësesi kjo është punë e arkitektëve, të cilët dhe ata janë pjesë e grupit tonë”.

Dr.Manuel Fidler është drejtuesi i palës gjermane në këtë ekspeditë të përbashkët. Para Apolonisë Dr. Fidler ka qënë dhe në një projektet e zonës veriore të Shqipërisë.

Zusammenarbeit Archäologen Albanien Deutschland in Apolonia
Dr. Manuel FiedlerFotografi: DW

“Të gjithë projektin tonë këtu në Apoloni ne e kemi kooperues, që do të thotë se çdo hap, çdo operacion ne e bëjmë së bashku. Si në fazën e gërmimeve, ashtu dhe për përballimin e çështjeve me karakter teknik. Vetëm kështu ne kemi mundësi të mësojmë nga njeri tjetri, të shkëmbejmë eksperiencat tona. Ky është një rast i mirë sidomos për pjesëmarrësit tanë, që janë nga rradhët e studentëve të arkeologjisë, të cilët qysh tani mësojnë metodat e avancuara të gërmimit dhe analizës shkencore nga të dhënat e terrenit”.

Arkeologët gjermanë ndjehen të familjarizuar

Wibke Streblow nga Berlini është për herë të pestë në ekspeditat e përbashkëta shqiptaro gjermane në Apoloni dhe më herët në zonën e Lezhës. Ajo thotë për DW se ndjehet e familjarizuar në komunikimin me kolegët dhe punëtorët shqiptarë, duke pasuruar dhe fjalorin e saj në gjuhën shqipe.

“Jemi shumë të afërt dhe të miqësuar me punonjësit. Jo rrallë ata sjellin dhe ndonjë frut a dhuratë të vogël. Kemi qënë dhe për vizitë në familjet e atyre, që banojnë këtu afër. Ky raport na ka bërë më të motivuar në punë, gjatë gërmimeve në kuadratet, që na janë caktuar”.

Zusammenarbeit Archäologen Albanien Deutschland in Apolonia
Wiebke Streblow ndjehet e familjarizuar në komunikimin me kolegët dhe punëtorët shqiptarëFotografi: DW

Marie–Helene Grunwald nga Këlni është për herë të parë në Shqipëri. Ajo ka qënë në vende të tjera të rajonit më parë, si në Rumani e Kroaci.

“Nisur nga ajo, që kam parë në Kroaci, shikoj se ka mjaft ngjashmëri me realitetin shqiptar. Ajo që më bën përshtypje këtu është fakti se njerëzit kanë shumë dëshirë të shohin nga modelet europiane, duan të jenë pjesë e BE-së sa më shpejt, të lëvizin lirshëm, për të studjuar, për të punuar, për të marrë eksperiencë. Në fushën e arkeologjisë kam parë se ka një nivel të lartë njohurish nga ekspertët, si dhe nga studentët”.

Zusammenarbeit Archäologen Albanien Deutschland in Apolonia
Marie-Helene Grünwald është pë herë të parë në ShqipëriFotografi: DW

Synohet ndërthurja e vlerave arkeologjike me turizmin kulturor

Të ardhmen e Apolonisë arkeologët shqiptarë dhe ata gjermanë e shikojnë me një master plan të miratuar. Në mënyrë që parku arekeologjik të ofrojë një standart të avancuar për të gjithë të interesuarit, qofshin vizitorë, apo studiues, a eksplorues të gjurmëve të antikitetit. Kështu garantohet ndërthurrja e vlerave arkeologjike me turizmin kulturor për të gjithë zonën, thotë për DW, Prof. Asc. Dr. Bashkim Lahi, në Departamentin e Antikitetit pranë Institutit të Arkeologjisë në Tiranë.

“Apollonia me një hapësirë rreth 100 hektarë ka potenciale të mëdha jo vetëm për kërkimin shkencor, por dhe sidomos për turizmin kulturor. Për një arkeolog të shekullit të 21 nuk mund të kuptohet kërkimi arkeologjik pa turizmin kulturor. Ne duhet ta shohim monumentin si një mundësi për studim, por në të njëjtën kohë ai ofron mundësi dhe për të thithur sa më shumë turistë. Bashkëpunimi i suksesshëm i këtyre dy interesave është dhe qëllimi ynë final”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Angjelina Verbica