1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konflikti Rusi-Perëndim: Siria - një justifikim

12 Korrik 2012

Konflikti në Siri po tensionon gjithnjë e më tepër marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit. Megjithatë, ekspertët bien dakord që në "zemër" të çështjes nuk qëndron vetëm e ardhmja e Sirisë.

https://p.dw.com/p/15Vvx
Bllokimi në OKB i rezolutave për Sirinë: praktikë e zakonshme ruse
Bllokimi në OKB i rezolutave për Sirinë: praktikë e zakonshme ruseFotografi: picture-alliance/dpa

Është bërë disi si ritual. Nëse njëherë në kaq kohë, qeveria ruse kritikon presidentin sirian Bashar al-Assad, politikanët dhe media perëndimore gëzohen menjëherë për këtë ndryshim kursi. Nga ana tjetër, Moska e refuzon gjithmonë këtë, duke pohuar se pozicioni i saj nuk ka ndryshuar. Është një pohim, të cilin ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov i është dashur t´a bëjë shumë herë përgjatë muajve të fundit.

Është diçka më e madhe se Siria”

Deri tani, pozicionimi rus për Sirinë mund të përkufizohet si “larg duart nga Siria”. “Moska nuk dëshiron të shohë që fati i partnerit të saj në Lindjes e Mesme të vendoset nga jashtë", argumenton Ernst-Jörg von Studnitz, ish-ambasadori gjerman në Rusi dhe kryetar i Forumit Gjermano-Rus. Ai i tha DW se situata ishte e ngjashme me dallimet mes Moskës dhe Perëndimit në luftën e NATO-s në Jugosllavi në vitin 1999.    

Tashmë Rusia dëshiron së tepërmi që të parandalojë “Perëndimin nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara – gjithashtu Evropën – që të bëhet faktor i vetëm në vendimmarrjen mbi të ardhmen e Sirisë”.  Studnitz e shikon këtë si motivin kryesor të Moskës.

Margarete Klein e Institutit Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe ato të Sigurisë sheh një perspektivë të ngjashme rreth këtij konflikti. “Nuk mendoj se kjo çështje ka të bëjë aq shumë me sigurimin e interesave ushtarake apo ekonomike nga ana e Rusisë”, thotë ajo.

Përkundrazi, ajo mendon se Rusia kujdeset më tepër rreth përfshirjeve më të gjera:

“Është më tepër për parimet e rendit ndërkombëtar, ku Rusia do të mbështesë qëndrimin e saj që nuk duhet të ketë ndonjë ndërhyrje ushtarake nga jashtë kufijve”.

“Nuk ka të bëjë me Sirinë”, miraton Fyodor Lukyanov, kryeredaktor i revistës me qendër në Moskë, "Rusia në Politikat Globale".

Politika e Kremlinit ishte e bazuar më tepër në pikëpamjet rreth pozicionit të Rusisë në botë dhe influencën e saj në politikat botërore.

Jo një tjetër Luftë të Ftohtë

Ekspertët bien dakord se mosmarrëveshjet e vazhdueshme mbi Sirinë kanë përkeqësuar marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit, të cilat janë tensoniuar më tepër, “por”, thotë Klein, “Unë nuk mendoj se kjo do të jetë çështja përfundimtare që do të përcaktojë marrëdhënien e ardhshme mes Rusisë dhe Perëndimit”.

Dhe, argumenton Lukyanov, kjo nuk ka kuptim, për të krahasuar atë që po ndodh tani dhe konfliktet e Luftës së Ftohtë. Studnitzi bie dakord se rikthimi në një situatë të tillë do të ishte i pamundur. Ai preferon të flasë për “vështirësi” në marrëdhënien e cila u shkaktua nga konflikti në Siri. Rusia, Kina dhe Perëndimi pranojnë se lufta civile duhet të marrë fund. “Por ka opinione të kundërta se si kjo mund të arrihet”, thotë Studnitz.

Një zgjidhje është “e mundshme”

Të tre ekspertët bien dakord që Rusia nuk ka gjasa të ndryshojë pozicionin e saj mbi Sirinë në një të ardhme të parashikueshme – por një ndryshim i tillë nuk është i pamundur.

Studnitzi and Lukyanovi mendojnë se e ardhmja e presidentit Assad është një nga pikat kyçe.

“Nëse Assad-it do t´i jepej një mundësi largimi, që do të siguronte pasurinë e familjes së tij, atëherë unë mendoj se mund të kishte progres në këtë çështje”, tha Studnitz. Në fakt Rusia mund të jepte një ndihmë të rëndësishme për t´a organizuar këtë.

"Assadi përfundimisht duhet të largohet”, beson Lukyanov. Ai madje mendon se është e mundur që presidenti sirian të marrë dhe azil politik, i cili “do të ishte një zgjidhje e mirë për të gjithë”.

Megjithatë ministri i Jashtëm rus, Lavrov e hodhi poshtë këtë mundësi, si një “shaka” në një takim të kohëve të fundit me homologun e tij gjerman, Guido Westerwelle.


Autor: Roman Goncharenko/Elona Elezi

Redaktoi: Auron Dodi