1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferenca ndërkombëtare: ”Pas njëzet vitesh - Reflektime mbi demokracinë dhe shtetin në Shqipëri.”

Angelina Verbica22 Tetor 2010

Konferenca organizohet në kuadër të Tetorit gjerman, nga Fondacioni gjerman “ Friedrich Ebert”, Instituti shqiptar për studime Ndërkombëtare, Qendra për studime në Europën Juglindore në Universitetin e Gracit

https://p.dw.com/p/Plah
Fotografi: DW

Njohja e të kaluarës është çelësi për të kuptuar të tashmen dhe projektuar të ardhmen. Nisur nga kjo e vërtetë e njohur kjo konferencë hapi debatin për arritjet e Shqipërisë në dy dekadat e fundit, dështimet dhe sfidat e së ardhmes.

Bernd Fischer, ekspert i çështjeve shqiptare nga Universiteti Indiana, konsideroi arritje të dukshme të 20 viteve të fundit, periudhë që përkon më rënien e regjimit komunist dhe periudhën e tranzicionit, marrëdhëniet ndërkombëtare. Pas 20 vitesh Shqipëria është një partnere e besueshme e Perëndimit, anëtare e NATO-s, vend që ka nënshkruar MSA, tha ai. Në planin e brendshëm sukses është vendosja e demokracisë dhe pluralizmi politik . Por dështimi më i dukshëm, sipas Bernd Fischer është natyra e partive politike, që kanë mbetur sipas modelit të regjimit të kaluar. Lidershipi politik në Shqipëri është authoritar, i mungon toleranca dhe gatishmëria për kompromis.

20 years later- Rethinking Democracy and state in Albania
Ekspertë të çështjeve shqiptare dhe ballkanike, pjesëmarrës në konferencëFotografi: DW

Ndërsa Nikolas Panos, nga SHBA, tha se dështimi më i madh i Shqipërisë në këto 20 vite është mbetja e pazgjidhur e çështjes së pronës, mosvajtja e pronës tek pronarii ligjshëm. Ai kritikoi klishetë e tipit “Në Shqipëri është bërë shumë progress, por më shumë duhet bërë”, që ndeshen shpesh në raportet e organizatave ndërkombëtare. Nikolas Panos tha sot ne Tirane se ato janë te dëmshme dhe jo konstruktive për zhvillimin e vendit.

Mjaft kritik ndaj bilancit të Shqipërisë në 20 vitet e pas shembjes së regjimit komunist ishte këndvështrimi i publicistit dhe analistit të njohur politik Fatos Lubonja. Ai e cilësoi pluralizmin politik në Shqipëri, një hibrid mes të shkuarës komuniste dhe demokracisë.

“ Pluralizmi politik në Shqipëri nuk është pluralizëm i vërtetë, pasi ky i fundit nënkupton dialogun, përfaqësimin e interesave të ndryshme me programe alternative. Në Shqipëri kemi vetem dy ndarje të ish Partisë së Punës, që kanë tendenca konfliktuale, nuk janë pro dialogut dhe njëlloj si në kohën e ish nomenklaturës komuniste, kanë një shkëputje nga njerëzit, nga baza, e cila vjen duke u thelluar. Prandaj ky nuk është një pluralizëm i vërtetë.” tha Fatos Lubonja.

Shqipëria – larg nga të qënit një histori suksesi.

Rethinking Democracy and state in Albania
Logo e konferencës ndërkombëtare në TiranëFotografi: DW

Miranda Vickers, eksperte e çështjeve shqiptare në Londër, u ndal në transformimin mbresëlënës të Tiranës në këto 20 vite. Por sipas saj megjithë arritjet Shqipëria nuk përbën një histori suksesi.

“Shqipëri është larg të qënit një histori suksesi. Arritjet e qeverisë errësohen nga probleme serioze si niveli i lartë i korrupsionit dhe mungesa e nje gjyqësori të pavarur.”

Një nga mangësitë e dukshme për Miranda Vickers është qëndrimi mospërfillës ndaj mjedisit, shkaterrimi i tij, si pasojë e zhvillimit të pakontroluar nga shteti.

Konferenca vazhdon me çöshtjet, qe lidhen me kalimin nga një shtet i gjithëpushtetshëm në një shtet demokrartik dhe ato te transformimit social dhe ekonomik ne 20 vitet e fundit. Kjo konferencö ndörkombötare zhvillohet ne kuader te aktiviteteve te Tetorit gjerman.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica