1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koncert në Dyseldorf me muzikë klasike nga Shqipëria

12 Maj 2009

Në javën e kulturës shqiptare në Dyseldorf, u dha një koncert me muzikë të zgjedhur klasike nga Shqipëria, organizuar dhe drejtuar nga Desar Sulejmani.

https://p.dw.com/p/Ho4l
Ditët e Kulturës shqiptare në Dyseldorf, maj 2009
Në koncert u prezantuan gjithë zhanret e muzikës klasike shqiptare.Fotografi: DW/ Mimoza Cika Kelmendi

Sopranoja Suzana Frashëri veçon për DW meritën e shkollës shqiptare në përgatitjen e arstistëve, që nuk mungojnë sot as në skenat botërore.„Ishte kënaqësi që ne sollëm para publikut gjerman repertorin më të mirë të muzikës klasike shqiptare. Mund të them, që kjo që ofruam ne është ajka e muzikës shqiptare, si kompozimet e Çesk Zadesë, Tonin Arapit apo të Aleksandër Peçit dhe të Preng Jakovës." Për të ky koncert ishte i dyti, pas atij të dhënë vite më parë në Esen. Suzana Frashëri është edhe pedagoge prej vitesh në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe ka një meritë të veçantë në përgatitjen e artistëve muzikorë qofshin ata në kanto. "Në përgatitjen e instrumentistëve rol të veçantë luan Akademia e Arteve në Tiranë, veçanërisht katedra e kantos, e cila ka nxjerrë një sërë artistësh të njohur edhe për skenat botërore, duke filluar nga Inva Mula në Francë, Eneklejda Shkoza në Ital, Etleva Shema që ndodhet në Gjermani, në Frankfurt, Mirjan Tola në Slloveni, Alketa Çelo në Lion të Francës e shumë të tjerë. Ky është një tregues i shkollës shqiptare, i akademisë dhe pedagogëve që nuk duhen harruar."

Ditët e Kulturës shqiptare në Dyseldorf, maj 2009
Koncerti u mbyll me këngën „Lule borë“.Fotografi: DW/ Mimoza Cika Kelmendi

Ndërsa dirigjenti dhe shoqëruesi në piano i koncertit, Desar Sulejmani vlerëson tingëllimin e veçantë të muzikës klasike shqiptare, mjaft të butë dhe fine. Sulejmani u prezantua edhe si kompozitor me pjesën „Shkodrane e bukur je“. Sipas tij në një koncert kaq të shkurtër nuk mund të sjellësh të gjitha arritjet e muzikës shqipëtare klasike. Por, ajo që e bëri më interesant këtë koncert ishte prezantimi i operës Mrika me një orkestër të vogël piano-kuartet për të cilën Sulejmani është krenar, sepse "kjo opera shënon hapin e parë të dramaturgjisë skenike dhe muzikore".

Një tjetër e veçantë në këtë koncert ishte prezantimi i gjithë zhanreve të muzikës klasike shqiptare, si ajo me frymë e prezantuar nga trompetisti Isak Shehu, muzika për harqe, muzika për kanto dhe ajo për piano. "Muzika klasike shqiptare është e panjohur për publikun gjerman, sepse Shqipëria ka qenë e mbyllur dhe muzika e ka vuajtur këtë. Por, tani që ka pasur rastin të prezantohet në këto dy dekadat e fundit muzika shqiptare është vlerësuar për dlirësinë e saj, për veçantinë, kërkimet e saj si muzikë klasike shqiptare e re. Ajo që e bën më të veçantë është përzierja e toneve dhe tingujve shqiptarë me muzikën klasike me influencat ruse, të cilat i kemi në muzikë veçanërisht tek kompozitorët e parë, që studiuan në Rusi dhe që krijuan shkollën klasike në atë kohë. Megjithatë interesante mbetet tingëllimi popullor, i butë, fin duke u përcjellë nga kompozitorët tanë me profesionalitet të lartë në muzikën klasike shqipëtare," thotë për DW Sulejmani.


Koncerti u mbyll me këngën perlë të muzikës klasike „Lule borë“ shoqëruar edhe nga publiku në sallë.

Autor: Mimoza Cika Kelmendi

Redaktoi: Aida Cama