1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kompanitë turistike britanike po e sëmurin ishullin grek Zakynthos

1 Gusht 2009

Politikanë vendorë të ishullit grek të Zakynthosit po akuzojnë kompanitë turistike britanike se nxisin turisitët e rinj që të pijnë deri sa të bëhen tapë dhe se po dëmtojnë ekonominë e tyre

https://p.dw.com/p/J1Ye
Gjiri i Sidarit në ishullin grek të Korfuzit
Gjiri i Sidarit në Korfuz të GreqisëFotografi: picture-alliance / OKAPIA

Jemi përpara barit "Premier Bar" në rrugën kryesore të Laganas në ishullin grek Zakynthos, ku gjendet një ndër pesë resortet në ishujt e Greqisë, i njohur për atë që të rinjtë britanikë e quajnë "party scene" dhe që vendasit e quajnë Sodomi dhe Gomorra. Brenda barit një nga animatorët e resortit po drejton një garë në formë loje ku meshkujt pinë duke mbledhur të brendshmet e femrave që gjenden në lokal. Turistët këtu pijnë nga mëngjesi deri në darkë. Diku më poshtë disa të rinj të tjerë janë duke bërë sikur po bëjnë seks me një kukull plastike sa një bojë njeriu, kurse një vajzë tjetër në bikini pi duke u tundur gjoksin dhe vithet në poza të turpshme.

Annabel Hyde turiste nga York-u thotë: "Prej gjithë kësaj zhurme mund të sëmuresh, sidomos po të jetosh këtu. Kur je me pushime është o.k., por vendasit e kanë të vështirë".

Kryetari i Bashkisë së Laganasit Dionisios Komiotis ua hedh fajin për sjelljen e keqe të turistëve kompanive britanike të udhëtimeve të cilat stimulojnë turistët të pijnë pa masë dhe të dehen dhe në mënyrë të veçantë shoqëruesit e grupeve turistike që organizojnë për ta ture nga një bar tek tjetri. Problemi është se shoqëruesit e rinj paguhen vetëm me gjysmën e rrogës minimale në Britani dhe u duhet t'i plotësojnë të ardhurat e tyre me përqindjet që marrin prej pronarëve të bareve ku çojnë turistë.

Kryetari i Bashkisë së Laganasit Komiotis i akuzon kompanitë turistike britanike se po e sëmurin ishullin. Këtë javë në Zakynthos qëndruan përfaqësues të policisë nga Devon dhe Cornwall për të biseduar me shefin e policisë të ishullit. Sipas komisarit të lartë të policisë Barry Marsden zbutja e ligjeve të reja për dhënien e licensave ndikon në sjelljen e keqe jashtë vendit.

Në fillim në këtij muaji ishte në Korfuz për të vizituar resortin e Kavosit, Chris Bryant, sekretar shteti pranë Ministrisë Britanike të Punëve të Jashtme përgjegjës për çështjet konsullore. Turistët britanikë që frenkuentojnë këtë resort kanë bërë me sjelljen e tyre që britanikët të konsiderohen si turistët më të këqinj të Evropës.

Por këto janë vetëm një anë e problemeve të ishujve grekë. Turizmi është një nga burimet kryesore të të ardhurave të Greqisë, por për shkak të krizës ekonomike botërore numri i turistëve ka rënë. Rënia e vlerës së paundit britanik kundrejt euros i shtyn turistët britanikë që të shkojnë në destinacione turistike jashtë eurozonës. Pas falimentimit të koncernit turistik britanik XL hotelet greke kanë humbur shuma në miliona. Turistët e rinjtë i shpenzojnë paratë për alkool dhe jo për të ngrënë, ankohet Christos Pappas, pronar i një restoranti, që shton se të ardhurat e tij këtë vit kanë rënë me 60%.

Autor: Malcolm Brabant/Pandeli Pani
Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi