1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kompanitë dhe firmat shqiptare duhet të jenë partnerë të ndershëm në tregun gjerman dhe me vende të tjera

Arben Muka/ Tiranë (AUD)17 Dhjetor 2008

Oliver Rorbah, këshilltar i Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë kërkon përgatitje adekuate të firmave shqiptare për tregun perëndimor dhe investime gjermane në Shqipëri

https://p.dw.com/p/GHoK
Oliver Rohrbach
Oliver RohrbachFotografi: DW / Muka

Oliver Rorbah (Rohrbach) e nisi detyrën e këshilltarit pranë Unionit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, para rreth dy muajsh, menjëherë pas përfundimit të një ngjarjeje të rëndësishme ekonomike që u mbajt në Tiranë: konferenca e përbashkët shqiptaro- gjermane. Rorbahu ka patur në dekadën e fundit një eksperiencë të pasur si ekspert për çështjet e biznesit jashtë Gjermanisë, duke u angazhuar në projekte trainimi e këshillimi në Australi, Singapor, apo dhe në vendet e ish- bllokut të Lindjes, në Bullgari e Çeki.

Në Shqipëri ai ka ardhur në kuadër të një program dy vjeçar të CIM, që është një bashkëkooperim që mbështetet nga dy partnerë të fuqishëm, GTZ dhe Agjensia federale e Punësimit në Gjermani.

Duke folur për radion Deutsche Welle për rolin e tij në Shqipëri, Rorbahu shpjegon fillimisht se Unioni i Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë, ku ai është atashuar...:

"...është organizata qendrore për të 12 dhomat rajonale të tregtisë në të gjithë vendin, duke përfaqësuar afër 20 mijë firma e kompani të anëtarësuara. Unioni kërkon të jetë partner dhe debatues me politikbërësit, për të shfaqur propozime dhe opsione për legjislacionin, si dhe vendimarrjet e ndryshme në të gjitha nivelet. Ai formëzon opinonet dhe vendimet, si një protagonist i pavarur në treg. Unioni i Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë ka një strukturë dinamike organizative, me departamentet e ekonomisë, atë juridik, të marrëdhënieve me jashtë, etj."

Në vitin 2009, shpjegon Oliver Rorbahu, Unioni i Dhomave të Tregëtisë dhe Industrisë së Shqipërisë do të ketë presidencën e radhës të shoqatave homologe të Ballkanit, duke qenë organizatori kryesor i aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë vitit të ardhshëm. Angazhimi i tij kryesor në këtë institucion është për të mbështetur kompanitë shqiptare, që të kenë sa më shumë akses në tregun gjerman, por dhe në vende të tjera të BE-së...

"...gjithashtu dhe për të punuar ngushtë me ato kompani gjermane, të cilat duan të investojnë në Shqipëri, për t'i shpjeguar dhe për t'i informuar konkretisht mbi mundësitë që ka tregu këtu, aktualisht a në të ardhmen. Shqipëria përbën një treg të vogël, por interesant. Por ama jam ndjerë i surprizuar që nuk ka shumë firma e kompani gjermane. Investimi më i madh është në Tirana International Airport. Por ka mjaft mundësi për zgjerim. Është p.sh sektori energjitik, ndërtimi, industria tekstile, bujqësia etj. Sa i takon kësaj të fundit, energjitë duhen të përqëndrohen më shumë tek përmbushja e standarteve që kërkon tregu i BE-së. Po të njëtën gjë mund të themi dhe për industrine e produkteve ushqimore".

Duke folur specifikisht për industrinë tekstile, Oliver Rorbah përmend bashkëpunimet e firmave shqiptare me tregun në Gjermani, Itali apo vende të tjera, duke siguruar lëndën e parë, si dhe inventar të përparuar teknologjik. Por ai thekson gjithashtu se subjektet shqiptare që operojnë në këtë sektor kanë mangësi në përdorimin aktiv të sistemit on line.

"Për këtë përfaqësia e GTZ-së në Shqipëri është duke i mbështetur kompanitë shqiptare që merren me prodhimet e tekstilit, me trajnime të ndryshme në mënyrë që ato të përdorin programet kompjuterike për dizajne e modelime, që i bëjnë ato konkuruese në tregun e BE, apo në rajone të tjera të globit, ku ato kërkojnë të eksportojnë prodhimet e tyre",- thotë Rorbahu për DW-në, duke shtuar se është e domosdoshme që t'u shpjegohet kompanive shqiptare për të zgjeruar horizontin e tyre, për të parë veçoritë dhe dinamikën e tregjeve të ndryshme.

"Disa sipërmarje shqiptare, si në prodhimin e këpucëve a në industrinë tekstile kanë bashkëpunim me kompani gjermane jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, por me ndërmjetësim të agjensive nga vende të tjera. Ne do të punojmë që kontakti të jetë direkt, pasi kjo ka më shumë efektivitet në biznes. Gjithashtu jemi të fokusuar për të zhvilluar trainime dhe kualifikime profesionale me të rinj, përfaqësues ose jo të biznesit. T’u japim mundësi të konsolidojnë njohuritë dhe shprehitë praktike, që pas, të themi, 2 ose 3 vitesh, të fitojnë certfikatën e aftësimit, që ua lehtëson atyre shanset në tregun e punës. Ky është një sistem mjaft i konsoliduar në Gjermani, në vendet BE-së, apo të tjera".

Gjatë bisedës me DW-në Rorbahu cilëson si të rëndësishme për tregun shqiptar që duhet bëjë më shumë për ndërtimin dhe forcimin e kompanive logjistike, të cilat, sipas tij nuk ofrojnë vetëm shërbime transporti, por dhe të tjera duke lehtësuar komunikimin me tregun e huaj. Realizimi i shërbimeve logjistike nga kompani shqiptare do të lehtësonte shumë koston e produkteve.

"E rëndësishme për depërtimin e produkteve shqiptare në vende të tjera është përmirësimi i imazhit të vendit. Çdo kompani e firmë shqiptare është në vetvete një lloj ambasdori i vendit, prezantues i mënyrës së të bërit biznes, i korrektësisë dhe transparencës në marrëdhëniet me partnerët kudo që të jenë. Sigurisht që tjetër është të bërit e biznesit në Gjermani, tjetër në SHBA, tjetër në Shqipëri, e me këtë llogjikë do të vazhdonim dhe për vende të tjera. E përsëris kompanitë dhe firmat shqiptare duhet të jenë partnerë të ndershëm në tregun gjerman apo dhe me vende të tjera", u shpreh gjatë një bisede me DW, Oliver Rorbah, këshilltar në Unionin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë.