1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shteti juridik funksionon ndryshe

Reinhard Müller
27 Tetor 2017

Natyrisht që lirimi i gjermanit Peter Steudner në Turqi është një rast i gëzuar. Por në asnjë mënyrë nuk kemi një ndryshim kursi në Turqi, siç shpresohet, mendon Reinhard Müller i Frankfurter Allgemeine Zeitung.

https://p.dw.com/p/2maR0
Türkei Istanbul Freilassung Peter Steudtner
Fotografi: Reuters/O. Orsal

Kjo nuk duket si respektim i shtetit juridik: Turqia liron aktivistin gjerman të të drejtave të njeriut, Peter Steudner përkohësisht nga arresti. Por e bën këtë me sa duket sepse ndërmjetësoi me sukses ish-kancelari Gerhard Schröder. Pra kur një burrë mik ndërhyn dhe është në gjendje që ta bindë Presidentin turk Erdogan që do të ishte e përshtatshme të lironte një të burgosur, atëherë ky lirim ndodh. Prandaj lotët e gëzimit janë të justifikuara. Sepse është liruar një person, të cilin një sundimtar i fuqishëm e mbante si peng - siç mban ende të burgosur të tjerë. Gëzim që Turqia po shënon përparime në shtetin juridik nuk është me vend të tregojmë. Sepse përparime të tilla nuk duken gjëkundi.

Por gjithsesi, Ankaraja mundohet që të mos i braktisë krejtësisht hullitë e së drejtës. Tani kërkoi një zgjatje afati para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në këtë rast është fjala për fatin e gazetarit gjermano-turk, Deniz Yücel, i cili ndodhet që prej muajsh pa akuzë në një burg turk. Pra Turqia nuk i ka dhënë deri tani lamtumirën Këshillit të Evropës.

Reinhard Müller
Reinhard Müller

Por çfarë do të ndodhë me Yucelin dhe me të burgosurit e tjerë? Dhe cili është çmimi për lirimin e Steudnerit? Një ndërmjetësim, një marrëveshje me Erdoganin do të thotë që pritet një shërbim si shpërblim. Po edhe po të ketë qenë vetëm aftësi bindjeje me fjalë dhe sikur Turqia ta shohë lirinë e Steudtnerit si gjest bujar humanitar - për lirinë e njerëzve në Evropë duhet të vendosin gjykata të pavarura sipas së drejtës dhe ligjit.

Pavarësisht nga një anëtarësi e Turqisë në BE, që duket iluzore: Ankaraja është e lidhur me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe me detyrimet e së drejtës ndërkombëtare që janë në themel të saj. Që të tërheqësh vëmendjen edhe më tej për këtë, kjo nuk është ndërhyrje në punët e brendshme të Turqisë. Kjo u intereson të gjithëve.