1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Diplomacia në Afganistan nuk ka marrë fund

9 Shtator 2019

Në fund mjaftoi një ushtar i vrarë amerikan për t'u dhënë fund bisedimeve me talibanët. Por as SHBA dhe as talibanët nuk janë vërtet të interesuar për dështimin e marrëveshjes, thotë Florian Weigand.

https://p.dw.com/p/3PGgs
Afghanistan Selbstmordanschlag in Kabul
Fotografi: Reuters/O. Sobhani

Sikur të ishin vetëm dhjetëra afganët, që vdiqën në sulmet e talibanëve vetëm javën e kaluar, Presidenti i SHBA Donald Trump do t'u kishte dhënë personalisht sot dorën talibanëve dhe - madje kjo nuk përjashtohej - ndoshta do të kishte vendosur edhe firmën e tij nën marrëveshjen midis SHBA dhe talibanëve.

Padyshim, të krahasosh numra të vdekurish është cinike, por është pikërisht kjo logjikë që ndjek Presidenti amerikan në tweet-et e tij. Ai e di shumë mirë se një shtrëngim duarsh me ata që sapo kanë vrarë një amerikan do të kishte qenë helm për fushatën e tij në fushatën elektorale që po nis. Si shpesh, ai ndjek instinktin e tij për gjendjen shpirtërore të momentit në Shtetet e Bashkuara. Pasojat për të ardhmen diku tjetër në botë? Kanë pak rëndësi. Por a mori fund me këtë me gjithsej beteja gati njëvjeçare për një perspektivë paqeje në Hindukusch?

Të dyja palët duan një marrëveshje

Kjo pyetje- duke u nisur nga gjendja e sotme - mund të marrë një përgjigje Jo të qartë. Talibanët vërtet kanë kërcënuar se nuk do t'i ndërpresin sulmet as në të ardhmen dhe se me to do të vriten më shumë amerikanë. Ata gjithashtu kontrollojnë pjesë të mëdha të Afganistanit dhe kanë mundësi të sulmojnë në mënyrë të paturpshme kudo ku dëshirojnë, madje edhe në qendër të kryeqytetit Kabul.

Megjithatë, edhe ata e kanë të qartë se luftën në Afganistan nuk mund të fitojnë pa u ndalur, për aq kohë sa atje ndërhyjnë forcat e armatosura perëndimore. Po të ishte ndryshe, ata nuk do të ishin ulur kurrë në një tryezë me armikun për vdekje, SHBA.

Edhe në Uashington, pas retorikës emocionale në Twitter do të rikthehet serioziteti diplomatik. Marrëveshja u duk në fund më pranë se kurrë, megjithëse kanë filluar të shtohen të dhënat se në rendin e ditës ka ende më shumë gjëra të pasqaruara, sesa qe pranuar më parë. Kjo mund të jetë një arsye më e thellë për refuzimin e Trumpit, i cili natyrisht që preferon ta veshë të gjithën me solidaritet patriotik ndaj një ushtari të vrarë. Kjo pritet pa diskutim më mirë te votuesit.

Po qeveria afgane, çfarë bën?

Florian Weigand
Florian Weigand

Por që kjo marrëveshje të hidhet me mendjelehtësi në koshin e plehrave, këtë nuk mund ta dojë as Trumpi. Mbi të gjitha, me këtë do të vihej në diskutim një premtim elektoral i rëndësishëm i tij : tërheqja e shpejtë e të gjitha trupave amerikane nga Afganistani. Dhe në këtë rrugë nuk duhet të ketë më ushtarë të vdekur. Viktimat në fushatën elektorale do t'i viheshin në faturë Trumpit.

Por edhe talibanët do të bënin mirë që më në fund ta rimendojnë diplomacinë e tyre të dhunshme. Pas mesazheve në Tweeter nga Uashingtoni edhe ata duhet ta kenë kuptuar që bombat e tyre nuk mund të hapin rrugën për një sukses të shpejtë.

Po, ekziston edhe një palë e tretë që është shtypur deri tani sistematikisht nga SHBA dhe talibanët, por që tani mund të rifitojë rëndësi: qeveria afgane. Megjithë kundërshtitë, ajo dëshiron të zhvillojë zgjedhje në shtator, për ta ritheksuar legjitimitetin e saj me një konfirmim të ri në kutinë e votimit. Për një kohë të gjatë, ky projekt ishte në diskutim. Tani kanë mbetur vetëm tri javë - po vijnë ditë ankthi, madje edhe pa mesazhe të reja befasuese në tweeter nga Trumpi.