1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Turqia në udhëkryq

Baha Güngör7 Qershor 2015

Turqit zgjedhin parlamentin e ri. Pas një fushate shumë të polarizuar vendi mund të përjetojë kohë të trazuara politike, mendon Baha Güngör nga Ankaraja

https://p.dw.com/p/1FcN1
Fotografi: picture-alliance/epa/Presidential office

Në fakt Turqia duhej të kishte shkak për të festuar. Me zgjedhjet parlamentare të së dielës (06.06) nis sesioni i 25-të legjislativ i republikës 92 vjeçare. Por që nga koha që Turqia njeh demokracinë pluraliste, rrallëherë është bërë një fushatë e tillë zgjedhore pa nivel. Prandaj mungon çdo dëshirë për të festuar. Më shumë këtë shtet të NATO-s e kërcënojnë kohë të stuhishme në politikën e brendshme pas aq shumë goditjeve verbale, fushatave të shpifjeve dhe sulmeve të përgjakshme.

Përgjegjës për këto është në rradhë të parë presidenti Rexhep Taip Erdogan. Ai nuk ka cënuar vetëm detyrimin e tij për të qenë i paanshëm në fushtatë. Për më tepër rizgjedhja e asamblesë kombëtare ishte një votëbesim për veten dhe planin e tij, për ta transformuar Turqinë në një republikë presidenciale, për të çimentuar pushtetin e tij absolut.

Zgjedhjet si „luftë çlirimtare“

Për Erdoganin këto zgjedhje parlamentare janë një „luftë çlirimtare“. Ai bën lidhjen me dëbimin prej vendit të fuqive pushtuese pas luftës së Parë Botërore nën komandën e themeluesit të mëvonshëm të republikës Mustafa Kemal Atatürk. Por ky krahasim është krejtësisht i pavend: Në atë kohë bëhej fjalë për ndarjen e trashëgimisë së Perandorisë Osmane, e cila ishte rrënuar si vendi më i varfër i Evropës. Sot Erdogani ka kohë që e ka humbur shansin, për të hyrë në histori me sukseset e tij ekonomike gjatë mandatit të tij si kryeministër. Fitorja e tij me 52 përqind në zgjedhjet e para të drejtpërdrejta për kryetar shteti në gushtin e vitit të kaluar e shpuri në përfundimin e gabuar, se ai dhe partia e tij AKP janë të palëkundshëm.

Ahmet Davutoglu si kryeministër dhe kryetar i partisë fetare-konservatore AKP mund t'i shohë vetëm në ëndërr sukseset zgjedhore të paraardhësit të tij në të dyja postet. Pas 34 përqindëshit në fitoren e parë zgjedhore në 2002 dhe gati rreth 50 përqindëshit para katër vjetësh, AKP tani, në bazë të të gjitha sondazheve të besueshme, rrezikon të pësojë humbje të dielën. Synimi, për të marrë së paku 367 prej 550 vendeve, që i siguron shumicën e dy të tretave, me të cilën mund të ndryshohet kushtetuta, nuk është më i realizueshëm. Madje ekziston rreziku i humbjes së shumicës absolute dhe që AKP të jetë e detyruar që bëjë koalicione, gjë që Erdogani e refuzon vazhdimisht si një katastrofë politike.

Baha Güngör drejton redaksionë turke të DW.
Baha Güngör drejton redaksionë turke të DW.

Koalicionet të pashmangshme

Partia e majtë nacionale-kemaliste CHP me pretendim socialdemokrat, ashtu si edhe MHP nacionaliste e djathtë, e ka kundërshtuar në fakt idenë e hyrjes në koalicion me AKP-në për arsye taktike elektorale. Por në rast nevoje ato nuk do të mund t'i përballojnë joshjes për t'u përfshirë në qeverisje. Kjo vlen të thuhet edhe për partinë kurde HDP, e cila nuk mund të arrijë nga roli i saj në opozitë krijimin e hapësirave për më shumë autonomi për kurdët, alevitët dhe pakicat e tjera. Por kushti themelor për hyrjen për herë të parë të HDP-së në parlament mbetet kalimi i pragut të dhjetë përqindëshit. Por në bazë të të gjitha sondazheve serioze pyetja nuk është më, nëse HDP do ta arrijë këtë, por sa lehtë mund ta kapërcejnë prag zgjedhor kuadrot e politikanit karismatik kurd. Shumë kundërshtarë të Erdoganit, edhe në mesin e turqve do të votojnë për HDP-në, nëse duan t'ia tregojnë Erdoganit vendin.

Natyrisht që Erdogani e di se nga prezenca e HDP-së në parlament varet si e ardhmja e tij, ashtu edhe e AKP-së. Ai që paraqitet gjithmonë si "burri i kombit", i ka lejuar vetes që në mitingje të bëjë shkelje verbale ndaj HDP-së. Kështu për shembull ai e cilësoi atë një parti "të armenëve dhe të homoseksuale". Ai thotë, se edhe ajo përfaqëson partinë e ndaluar militante PKK. Kjo filloi para 30 vjetësh një luftë kundër Turqisë, në të cilën humbën jetën më shumë se 40.000 njerëz. Me parulla të tilla, që nxisin urrejtjen, Erdogani e ka humbur besimin e fundit politik tek shtetet moderne të Perëndimit.

Përsëri "i sëmuri i Bosforit"?

Paniku i madh i Erdoganit nga humbja e pushtetit dhe frika e tij nga roli si president vetëm me detyra reprezentative kanë bërë, që Turqia të ndodhet tani në udhëkryq. Këto zgjedhje parlamentare vendosin, nëse vendi, dëshira e të cilit për të hyrë në BE nuk është më prej kohësh e qartë, do t'i thotë lamtumirë modernes, apo do të qëndrojë në shinat e arsyes politike dhe ekonomike. Nga largimi prej vlerave universale të Europës Turqia, e cila ndodhet në fqinjësi direkte me rajonet e trazuara në Lindjen e Mesme, rrezikon të bëhet përsëri "i sëmuri i Bosforit", siç quhej dikur më përçmim nga kundërshtarët e saj Perandoria Osmane, e lavdëruar dikur shumë nga Erdogani.