Shuplakë për IOC-në
24 Gusht 2016Përjashtimi i të gjithë ekipit olimpik rus nga garat e e personave me dëmtime fizike, Paralympics, është i ligjshëm deklaroi Gjykata Ndërkombëtare e Sportit CAS duke mbështetur në këtë mënyrë Komitetin Ndërkombëtar Paralympik (IPC). Funksionarët më të lartë të sportit për personat me gjymtime fizike nxorën prej raportit të McLaren, sipas të cilit në Rusi sportistët marrin sistematikisht doping me ndihmën e organeve shtetërore, përfundimin e vetëm logjik: në një rast të tillë sportistët nuk duhet të marrin më pjesë në gara ndërkombëtare. Ky është një vendim që duhej marrë prej kohësh për të mbështetur luftën zyrtare kundër dopingut në sport.
Asnjë shenjë pendese
IPC-ja pati guximin që nuk e pati Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Thomas Bach dhe të tjerët patën frikë prej konfliktit me Rusinë dhe ua lanë në dorë vendimin federatave të secilit sport për të vendosur nëse do t'i përjashtonin nga garat e llojeve të ndryshme të sporteve të Federatës Ndërkombëtare të Atletikës të Olimpiadës në Rio atletët rusë. Për pasojë 285 sportistë ruse morën pjesë në gara dhe Rusia zuri vendin e katërt ndër vendet pjesëmarrëse me 56 medalje, 19 ari, 18 argjendi dhe 18 bronxi. Edhe pse publiku i shoqëroi shpesh me fërshëllima atletët rusë në Rio, ata nuk treguan asnjë shenjë pendese.
Vetëm shenja habie
Edhe Thomas Bach dhe IOC-ja nuk treguan në Rio asnjë shenjë vetëkritike. Madje as arrestimi i irlandezit Patrick Hickey, anëtar i IOC-së, për tregti ilegale me biletat e olimpiadës, duket se nuk i bëri përshtypje IOC-së. Përjashtimi i atletëve rusë nga Paralympics me sa duket nuk do t'i bëjë shumë përshtypje IOC-së, sikurse edhe Vladimir Putinit, sepse megjithë vlerësimin për arritjet e mëdha të sportistëve me gjymtime fizike, Paralympics nuk kanë në opinionin publik atë rëndësi që kanë Lojërat Olimpike.
Megjithatë vendimi i CAS-it është një shuplakë e fortë për IOC-në, sepse tregon se çfarë do të ishte e mundur, nëse Thomas Bach dhe komiteti i tij ekzekutiv do të ishin treguar të vendosur dhe do t'i kishin vënë në jetë deklaratat e tyre për politikën e tolerancës zero në luftë kundër dopingut.