1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Saksonë të mirë, saksonë të këqinj

23 Shkurt 2016

A është Saksonia, landi gjermano lindor më armiqësor kundër të huajve se të tjerët? Apo ky është një paragjykim? Përgjithësimet nuk të ndihmojnë pas ngjarjeve në Klausnitc dhe Bautcen, mendon Marcel Fürstenau.

https://p.dw.com/p/1I06v
Deutschland Clausnitz Solidaritätsbekundung mit Flüchtlingen
Solidaritet me refugjatët në KlausnitcFotografi: picture alliance/dpa/H. Schmidt

Përjashta vulgu, në autobus refugjatët e frikësuar. Policët nuk ia dolën dot të ndalnin turmën brutale. Në vend të kësaj ata nxjerrin me dhunë refugjatët nga rruga. Për t'i siguruar më mirë, u tha. E kuptueshme po të kesh parasysh skenat kërcënuese që ende shihen në internet. Atmosferë e mbushur me urrejtje në Klausnitc, situata mund të dilte në çdo moment jashtë kontrollit. Apo mos përpiqet policia të mbulojë kështu dështimin e saj? Nga distanca kjo nuk mund të gjykohet seriozisht. Megjithatë shumë vetë i kanë gati fajësimet. Edhe kjo sjellje mund të kontribuojë në shkallëzimin e situatës – së paku në nivelin retorik. Por nuk mund të ndihmojë aspak në sqarimin e saj.

Një gjë dihet: Sërish Saksonia piktoreske përjetoi skena armiqësore kundër të huajve. Kjo nuk është thjesht përshtypje, vërtet aty ka më shumë zjarrvënie në qendrat e azilit, të shtunën në Bautcen, për shembull. Vrazhdësia është e dukshme. Forcat e shpëtimit pengohen në punën e tyre, spektatorë të mbushur me urrejtje gëzohen për flakët. Nuk kemi pse ta zbukurojmë situatën, nuk kemi ç'të falim. Saksonia është në rrugën e kthimit në sinonim të gjermanit të përbuzsshëm.

Kush shkon tek Pegida, mbështet zjarrvënësit

Për shumë vetë kjo është realitet. Për këtë u kujdesën “Europianët Patriotë kundër Islamizimit të Perëndimit” (Pegida). Prej më shumë se një viti ata protestojnë me mijëra në Drezden, protestave i është shtuar radikalizimi. Ka gjasë që në fillim ka pasur shumë prej tyre që ndjeheshin të braktisur nga politika. Por ndërkohë kush i mbështet ende parrullat e qarta raciste dhe armiqësore kundër të huajve të kësaj lëvizjeje, e vendos veten me vetëdije jashtë shoqërisë civile. Kjo vlen edhe për shumë përkrahës të Pegidas në rajone të tjera gjermane.

Kommentarfoto Marcel Fürstenau Hauptstadtstudio
Marcel FürstenauFotografi: DW/S. Eichberg

E vërteta është se jo vetëm në Lindjen gjermane digjen qendrat e azilit. Ashtu si zemërimi i aktivistëve që ndihmojnë refugjatët nuk gjendet vetëm në pjesën perëndimore. Por këta shembuj të mirë në Saksoni nuk dëgjohen në situatën aktuale. Kush e ka perceptuar si duhet zinxhirin me 13.000 vetë në Drezden, më 13 shkurt në përkujtimin e jubileut të shkatërrimit të qytetit pak para fundit të Luftës së II Botërore? Ata dhanë me këtë edhe një sinjal kundër imazhit e atmosferës së krijuar nga djathtistët dhe Pegida.

Saksonia ka më shumë se një problem me imazhin

Edhe këto pamje i përkasin Saksonisë. Por ato nuk e tërheqin aq shumë vëmendjen jashtë landit, vetëm po qe se bëhet fjalë për një jubile si në vitin 2015, kur nga qyteti i bukur buzë Elbës mund t'i dërgohen botës edhe lajme të mira. Por ato e spostojnë vetëm për shumë pak kohë fytyrën e shëmtuar që është krijuar ndërkohë. Pas ngjarjeve të shëmtuara të ditëve të fundit, ka rrezik që Saksonia të vuloset për një kohë të gjatë si një terren i papërmirësueshëm i ekstremizmit të djathtë. Për fat të keq ka shumë shkas për këtë.

E nuk ndihmon aspak të kujtosh se kudo në Gjermani gjen armiqësi kundër të huajve. Saksonia ka më shumë se një problem me imazhin. Kjo do të ndryshojë vetëm kur në kuptimin e vërtetë të fjalës të ngrihen më shumë njerëz kundër Pegidas se të shkojnë me Pegidan. Kjo sa herë që bëhen organizime të tyre dhe sidomos pas asaj që ndodhi në Klausnitc dhe Bautcen.

Deutsche Welle Marcel Fürstenau Kommentarbild ohne Mikrofon
Marcel Fürstenau redaktor dhe autor i DW për politikën dhe historinë bashkëkohore