1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Udhëheqja ukrainase mbetet politikisht në offside

Bernd Johann3 Korrik 2012

Njerëz nga Lindja dhe Perëndimi janë afruar njëri me tjetrin nëpërmjet Kampionatit Evropian të Futbollit në Poloni dhe Ukrainë. Udhëheqja ukrainase vazhdon të jetë politikisht në pozicion jashtë loje edhe pas finales.

https://p.dw.com/p/15PzV

Kampionati Evropian i Futbollit në Ukrainë dhe Poloni është tashmë histori. Për të parën herë ishin dy vende evropianolindore mikpritëse të një turneu të madh ndërkombëtar futbolli. Kurrë më parë nuk është raportuar kaq intensivisht mbi këto dy vende në mediën ndërkombëtare. Me gjasa shumë adhurues futbolli nga Perëndimi e panë për të parën herë me sytë e tyre Lindjen e Evropës. Nga ana tjetër, polakët, por para së gjithash shumë njerëz në Ukrainë ka të ngjarë të kenë pasur për të parën herë kontakt personal me të huajt nga Perëndimi.

Bernd Johann, drejtues i programit ukrainas të DW-së
Bernd Johann, drejtues i programit ukrainas të DW-së

Festë e takimit dhe e zbulimeve

Për këtë arsye ky Kampionat Evropian ishte edhe një festë e takimit dhe një shans për zbulime (më shumë se dy dekada pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe të bllokut lindor të izoluar me tela me gjemba dhe me mure prej Perëndimit. Njerëz nga gjithë Evropa brohoritën, festuan e nganjëherë edhe qanë së bashku në stadiumet dhe në sheshet e ndjekjes së ndeshjeve përmes ekraneve gjigante në qytetet e Evropianit. Lindja dhe Perëndimi të bashkuar në një marramendje prej futbollit. Dhe pas ndeshjes finale Kievi përjetoi një natë spanjolle: një përjetim për banorët e kryeqytetit ukrainas, prej të cilëve shumë nuk kanë qenë asnjëherë në Evropën Perëndimore.

Edhe për Ukrainën si vend ky Evropian ishte një ngjarje e madhe, pasi shteti i ri është edhe 21 vjet pas fundit të Bashkimit Sovjetik në shumë çështje politike themelore i ndarë. Të paktën për një kohë të shkurtër Evropiani i bashkoi ukrainasit nga rajonet e ndryshme të vendit në një komb, megjithëse ekipi i tyre nuk arriti sukses më të madh sesa kualifikimin në ndeshjet e grupit.

Pamje tmerri të tepruara

Gjithë parashikimet e errëta që u bënë në medie në prag të Evropianit nuk u plotësuan. Veçanërisht për Ukrainën u pasqyruan pamje tmerri të vërteta. Në dallim nga Polonia në Ukrainë u duk realisht për kohë të gjatë sikur infrastruktura e nevojshme për një evenimentin e madh (si stadiumet, aeroportet dhe hotelet) nuk do të ishin gati në kohë. Kësaj iu shtuan frikëra të tjera: huliganët e gatshëm për dhunë mund të prishnin festën sportive; parashikimi se do të lulëzonte prostitucioni dhe turizmi për seks; u tha se policët dhe organet e tjera të sigurisë (të cilat sipas raporteve të organizatave për të drejtat e njeriut e përdorin pa pyetur gjatë shkopin e gomës) janë një rrezik për tifozët paqësorë.

Mirëpo ndodhi ndryshe. Të dyja vendet ishin mikpritës të mirë. Ato mund ta shënojnë në bilanc Evropianin si sukses. Në Poloni po shquhen madje perspektiva ekonomike për kohën pas Evropianit. Sondazhet tregojnë që shumë tifozë dëshirojnë të udhëtojnë sërish si turistë drejt Polonisë. Në rastin e Ukrainës bilanci është më i vështirë. Çmimet e hoteleve pjesërisht të tepruara pa masë i kanë frikësuar njerëzit. Një numër i madh tifozësh futbolli erdhën vetëm për një vizitë të shpejtë. A do të vinë këta njerëz përsëri? Sidoqoftë, sipërmarrësit e udhëtimeve në Evropë besojnë që turizmi në Ukrainë nuk ka për të përfituar gati aspak prej Evropianit.

Udhëheqja në Kiev e izoluar politikisht

Arsye për skepticizëm jep gjendja politike. Me siguri, njerëzit në Ukrainë kanë mundur të fitojnë miq prej gëzimit të tyre për jetën dhe mikpritjes gjatë këtij Kampionati Evropian. Udhëheqja politike në Kiev nuk e arriti këtë gjë. Tepër masive është kritika ndaj gjendjes së rëndë të demokracisë dhe të shtetit ligjor në Ukrainë. Shkëlqimi i festës përmbyllëse gjatë ndeshjes finale në Kiev nuk mund të të verbojë për të mos vënë re se nën drejtimin e presidentit Viktor Janukoviç vendi është larguar politikisht nga Evropa. Ky është një izolim i vërtetë. Me fqinjin lindor Rusinë nuk u arrit përsëri marrëveshje pak kohë më parë në takimin ndërqeveritar në Doneck rreth grindjes së vazhdueshme për çmimet energjetike. Edhe marrëdhënia me fqinjët perëndimorë dhe me vendin partner në këtë Evropian Poloninë është keqësuar.

Edhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian janë praktikisht të akullta. Bojkotimi i politikanëve gjatë Evropianit, i sugjeruar prej Gjermanisë, ishte i dukshëm. Në Ukrainë erdhën për Kampionatin Evropian vetëm pak politikanë drejtues evropianë. Asnjeri nuk preferon të takojë Janukoviçin për sa kohë janë në burg udhëheqësja e opozitës Julia Timoshenko dhe politikanë të tjerë të qeverisë së mëparshme. Ky është një problem imazhi në rritje për vendin. Kjo nuk mund të mboluhet as nga një Kampionat Evropian i suksesshëm si në planin sportiv ashtu edhe në atë të organizimit. Udhëheqja politike në Ukrainë është në pozicion jashtë loje, edhe pas vërshëllimës së mbylljes në Kiev.