1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Paparashikueshmëria - arma më e fortë e Rusisë!

Viktor Jerofejev
27 Dhjetor 2021

30 vjet pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Rusia është ende në gjunjë. E megjithatë Perëndimi po dridhet, e kjo është rezultat i Putinit, mendon Viktor Erofejew.

https://p.dw.com/p/44qCW
Symbolbild Ende der Sowjetunion | Sowjetischer Friedhof in Potsdam
Fotografi: Eberhard Thonfeld/Camera4/imago images

Rusia e re ka lindur pak para Vitit të Ri - ajo u bë 30 vjeçe më 26 dhjetor. Kjo përkon me kohën e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Por në realitet, ishin ish-republikat sovjetike, ato të cilat u shkëputën nga Moska dhe bërthama ruse e perandorisë së madhe. Ato ikën në drejtime të ndryshme, ndërsa Rusia mbeti si pasardhëse e BRSS.

Das Ende der UdSSR
Fund i BRSSFotografi: Juri Rescheto/DW

Ndërkohë, sot një e pesta e të rinjve në Rusi nuk e di se çfarë ishte BRSS, ose të paktën nuk janë të sigurt për kuptimin e këtyre shkronjave. Kur mendoni se BRSS ishte një superfuqi totalitare me ambicie të çmendura perandorake, utopi globale komuniste, një popullsi e varfër që, si të thuash, bëri mëkate kundër Zotit, e ku nuk kishte as liri dhe as salçiqe, atëherë mund të mos kishte qenë edhe aq keq që u shpërbë dhe nëse e harrojmë njëherë e përgjithmonë këtë sistem njëpartiak dhe gulag. As në Francën e viteve 50-të, rinia nuk e dinte mirë: "Hitleri? Connais pas”. ("Hitleri? Nuk kam dëgjuar kurrë për të.")

Problemet e Rusisë me të kaluarën

Por ka dy dallime të mëdha me kohën e Bashkimit Sovjetik. Franca iu kthye demokracisë dhe nxitoi të fshinte nga kujtesa e përditshme mjerimin e pushtimit. Ndërsa në Rusi, humbja e kujtesës historike, kërcënon të kthehet në një histori të lavdishme, e cila nuk ka ekzistuar kurrë. Gjithçka që duhet të bëni është të ngjyrosni bukur të kaluarën - dhe të kthehemi e të jetojmë përsëri në një superfuqi të fortë imagjinare, ku nuk kemi frikë nga askush.

Jelzin fordert Gorbatschow heraus
Fotografi: picture alliance/dpa

Në fillim të viteve 1990, Rusia fillimisht donte të shkëputej nga e kaluara e saj sovjetike, por ajo u ngatërrua dhe u rrëzua për tokë. U trondit! Nga njëra anë, mjekët e demokracisë u përpoqën ta kuronin duke i rekomanduar lloj-lloj kurash evropiane, si ekonomia e tregut dhe sistemi shumëpartiak. Nga ana tjetër, shumë shpejt u shfaqën mjekë nacionalkomunistë me nostalgji të BRSS.

Vetë presidenti Jelcin nuk dinte çfarë të bënte me lirinë që kishte rënë nga qielli dhe lëkundej midis këtyre dy grupeve. Kjo kushtoi, vendi u fut në luftën e dytë në Çeçeni, në bombardimin e parlamentit pro-sovjetik në 1993 e shumë më tepër.

Vitet fantastike të lirisë kulturore

Si dëshmitar i asaj kohe, mund të them se, mbi të gjitha, ishin edhe vite fantastike të çlirimit të kulturës sonë, në të cilat më në fund mund të lexohej gjithçka. Nga veprat e Nabokovit deri te Solzhenicini. Mund të shiheshin mijëra filma të ndaluar më parë. Vendi u hap - ëndrra e bashkatdhetarëve tanë për të udhëtuar nëpër botë u realizua. Të paktën për ata që kishin para. Dyqanet bosh u mbushën me mallra të ndryshme.

Sowjetunion Russland Putschversuch gegen Gorbatschow 1991 Demonstration
Kundër përpjekjes për puç. Populli rus demonstroi më 20 gusht 1991 duke shprehur mbështetjen për presidentin JelcinFotografi: picture-alliance/dpa

Oh, ishte kjo një kohë shprese! Por ishte një kohë e mirë edhe për banditët. Shteti i dobësuar nuk e përballoi dot botën e tyre paralele kriminale në vend. Spërkatësja e piperit u bë simbol i vetëmbrojtjes së një popullate të pambrojtur nga bandat e ndryshme të huliganëve.

Lindja e presidentit Putin

E në këtë moment qeveria iu drejtua një organizate që në fakt nuk ishte zhdukur kurrë: pavarësisht nga të gjitha transformimet shtetërore, KGB-ja kishte ruajtur pozicionin e saj pas maskës së re të FSB-së, e ajo tani iu ofrua pushtetarëve demokratë.

Rezultati ishte lindja e Presidentit Putin. Jelcini i sëmurë, i pafuqishëm dhe i frikësuar e zgjodhi atë si një pasardhës të besueshëm që do ta shpëtonte atë dhe të gjithë familjen e tij nga burgu. Duhet pranuar sePutini me mjeshtëri dhe me dorë të fortë, e ktheu vendin dhe e futi në një rrugë të re. Më saktësisht, Rusia duhej të ngrihej nga gjunjëzimi. Unë nuk jam aspak i mendimit se gjithë kohën e trazirave të viteve 1990, Rusia ishte në gjunjë apo edhe duke u zvarritur me të katër këmbët përballë Perëndimit. Vendi mund dhe duhej të kishte hapur dritaren drejt Evropës në mënyrë që të bëhej një shtet i plotë demokratik. Por nuk mjaftoi as forca, as mirëkuptimi dhe as vullneti i popullit.

Flash-Galerie Russland Putin Selbstdarstellung Parteitag
Fotografi: picture alliance/dpa

Ky pohimi i Rusisë se po ngrihej nga gjunjëzimi, nuk ishte gjë tjetër veçse një slogan propagandistik. Fillimisht thuhej se donte të arrinte dhe të kalonte standardin e jetesës së Portugalisë. Por kjo nuk funksionoi. Në vend të kësaj, vendi filloi me sloganet ushtarake, me thirrje për të mbrojtur atdheun e mashtruar nga Perëndimi, nga i cili ishin vjedhur republikat sovjetike, e disa prej të cilave NATO i kishte futur në xhepa.

Modeli autokrat

Mungesa e çdo orientimi politik të masave, puna shembullore e televizioneve mbarëkombëtare për mbrojtjen e atdheut, e përshtatur pikërisht me mentalitetin e popullatës, bëri pjesën tjetër. Rusia po lëvizte në drejtimin e modelit të saj autokratik - po krijonte një fortesë. Brenda një fortese të tillë mund të fshehësh gjithçka që është e panevojshme, ndërsa në mure shfaqet vetëm ajo që është e nevojshme të shihet nga armiku.

Perëndimi, natyrisht, nuk e kuptoi menjëherë se ku po shkonte Rusia. Putini e kishte mashtruar. Në përgjithësi, ky president është një djalë me fat. Gjithçka funksionoi sipas dëshirës së tij. Madje edhe çmimet e naftës dhe gazit në tregun botëror i shkuan në favor. Po çfarë arritjesh ka për të treguar Rusia që kur e nisi rrugën e saj të re në këtë fortesë? Oh, jo pak!

Ajo është bërë e paparashikueshme! Partnerët e saj perëndimorë e kanë humbur toruan.

Çfarë mund të presim tjetër nga ky vend? Çfarë tjetër! Ngjarja më e rëndësishme e epokës së Putinit ndodhi në vitin 2014. Rusia mori Krimenë. Pa luftë. Për kënaqësinë e shumë banorëve të Krimesë. Marrëveshjet ndërkombëtare u shpërfillën. Fitore! Njerëzit ishin tërësisht të ngazëllyer. Njerëzit vallëzonin mbi makina nga gëzimi. Perëndimi u zgjua tepër vonë. Në fakt, nuk u zgjua tërësisht. Hapi tjetër: Kthimi i Kievit në armik dhe lëkundja e Marrëveshjes së paqes të Minskut. Kjo është një fitore tjetër.

Armët e Putinit

Putin Fernsehansprache Russland
Fotografi: AP

Tjetër? Po të vështrosh vërdallë, mund të shohim atdheun tonë të bukur, se si nuk dëshiron të ngrihet tërësisht nga gjunjët. Nëse shkon në brendësi, varfëri kudo, çdo gjë është zhveshur disi, muret, shtëpitë, gardhet e shtrembëruara, ndryshku - jo, kështu nuk ngrihesh nga gjunjët. Sigurisht që për gjithçka mund ta fajësoni Coronën. Një mendim i mirë i qeverisë, sepse Corona nuk do të përfundojë shpejt. Sigurisht që shteti ynë e ka turpëruar veten keq; për disa arsye, shumë njerëz nuk duan të vaksinohen, e qeveria nuk e ka çelësin e zemrave të elektoratit të saj. Për të qenë i sinqertë: Shteti nuk e vret mendjen për këtë punë.

Por të kthehemi te paparashikueshmëria. Kjo është një armë serioze. Perëndimit po i dridhen gjunjët. Ai ka harruar se si të luftojë në një luftë. Ne rusët jo. Dhe kjo është letra më e fuqishme e Rusisë në 30 vitet e fundit - paparashikueshmëria. Vendi nuk dëshiron të shkojë në luftë, por nëse duhet, edhe do të shkojë. Po si? Nga të gjitha tubacionet.

 

Nga rusishtja e përktheu: Beate Rausch

Viktor Erofejew, i lindur më 1947, është një shkrimtar rus. Në vitin 1979 u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve të Bashkimit Sovjetik. Ai u bë i njohur ndërkombëtarisht në vitin 1990 me romanin "Bukuroshja e Moskës", i cili u përkthye në 27 gjuhë. Ai jeton në Moskë dhe është kritik ndaj politikave të Vladimir Putin.