1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Çeki nuk kemi të bëjmë me radikalë të djathtë të trashë

24 Tetor 2017

Pas fitores në zgjedhje të miliarderit Andrej Babis, në Evropë po shpërndahen paralajmërime për rrezikun e zhvendosjes djathtas në Evropën Lindore. Por duhet të ruhemi nga fajësimet në bllok, mendon Keno Verseck.

https://p.dw.com/p/2mN5e
Andrej Babis
Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Sulova/CTK

"Tërmet", "uragan", "cunami": që prej zgjedhjeve parlamentare në Çeki mediet e vendit nuk i kursejnë krahasimet me katastrofat. Sepse në njërën nga demokracitë më të mira të Evropës Qendrore dhe Juglindore parë historikisht, rreth 60 përqind e zgjedhësve votuan për parti kundër sistemit - dhe për më tepër në një kohë kur ekonomia e vendit po ecën në mënyrë shëmbullore mirë. Kjo të vë në mendime kur bëhet fjalë për një shtet anëtar të BE.

Në botën e jashtme flitet për një zhvendosje tjetër djathtas të elektoratit të Evropës Lindore e se edhe një vend tjetër në Lindje të BE po nis të ecë në të njëjtën rrugë si Hungaria dhe Polonia. Por me gjithë shqetësimin për rezultatin e zgjedhjeve në Çeki, është me vend të bëhen disa dallime.

Klimë e helmuar në Çeki

Zgjedhësit antisistem në Çeki në shumicën e tyre nuk janë radikalë të djathtë mendjetrashë. Atyre thjesht u ka ardhur në majë të hundës me plogështinë e elitës politike. Reforma të rëndësishme në sektorin social, të shëndetësisë dhe të arsimit ka vite që nuk po avancojnë, në nivel rajonal dhe lokal klientelizmi dhe nepotizmi janë të përhapur gjerësisht. Te një pjesë e shoqërisë çeke ka zënë vend frika se pa asnjë dyshim do të bëjnë pjesë në të humburit e modernizimit. Njëkohësisht politikanë si Presidenti i shtetit Milos Zeman e kanë helmuar në vazhdimësi vitet e kaluara klimën - për shembull me anë të shprehjeve të përsëritura përçmuese për BE, për refugjatët dhe në përgjithësi edhe për demokracinë liberale.

Edhe miliarderi dhe themeluesi i partisë ANO, Andrej Babis e ushqen pjesërisht një diskurs të tillë. Pjesën më të madhe të votave ai megjithatë e mori me premtimet se do të vërë rregull dhe se do t'i japë fund korrupsionit të elitave. Kjo nuk mund të mos ngjallë ironi, sepse Babis ishte vetë pjesë e establishmentit dhe ka tërhequr vetë vëmendjen me afera taksash dhe me mashtrim të subvencioneve. Por në dallim nga politikanë si Viktor Orban dhe Jaroslav Kaczynski ai nuk është nacionalist, nuk është shovinist dhe nuk ka ndonjë vizion në themel jodemokratik për Çekinë. Ai është më tepër tipi i oligarkut të vetëkënaqur dhe ambicioz, i cili beson se stili i tij autoritar dhe i sipërmarrësit do t'i bënte mirë edhe vendit. Në këtë autoritarizëm është përqendruar edhe rreziku që del nga Babisi.

Keno Verseck
Keno Verseck

Këmbana alarmi

Jo vetëm që formimi i qeverisë po rezulton i vështirë, sepse ndërkohë askush nuk dëshiron të bëjë koalicion me ANO-n. Babisi ka nxjerrë nga partia vitet e shkuara edhe një sërë kokash të mençura, për të cilat ai në fakt do të kishte nevojë, për të zbatuar premtimet e tij bukurtingëlluese për administrim më të mirë të ekonomisë dhe për efikasitet.

Por Babisi nuk ndjek një program në thelb antievropian. Plani i vetëm i përbashkët i vendeve të Vishegradit, Poloni, Çeki, Sllovaki dhe Hungari edhe me Babisin mbetet refuzimi i politikës ndaj refugjatëve të BE. Prandaj fitorja në zgjedhje e ANO-s në Çeki nuk është forcim i grupit gjithsesi heterogjen të Vishegradit.

Megjithatë, po të mos duan elitat tradicionale që të eleminohen një ditë krejtësisht nga roli i tyre prej forcave të errëta kundër sistemit, duhet të kalojnë më në fund në një qeverisje transparente, autentike, të qndrueshme dhe të ligjësuar demokratikisht. Vetëm kështu do të binden njerëzit.

 

Keno Verseck, flokë të shkurtra, të kuqërreme, me kaçurela, pas syzeve me skelet të hollë një shikim i buzëqeshur drejt objektivit të kamerës.
Keno Verseck Redaktor, autor dhe reporter