1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk ka më justifikime për Ukrainën

Bernd Johann9 Dhjetor 2015

Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden tregoi solidaritet gjatë vizitës së tij në Ukrainë, por ai e shprehu qartë edhe kritikën. Në SHBA si në Evropë po rritet pakënaqësia me udhëheqjen në Kiev, mendon Bernd Johann.

https://p.dw.com/p/1HJof
Fotografi: Reuters/V. Ogirenko

Sërish Evropa dhe SHBA i forcojnë krahët Ukrainës. Sinjali drejtuar Kievit është: Megjithë përpjekjet diplomatike për marrëveshje të përbashkëta me Rusinë për çështjen e Sirisë, perëndimi nuk e lë vetëm Ukrainën. Frikërat se perëndimi mund të distancohet nga konflikti i Ukrainës me separatistët e mbështetur nga Moska në lindje të vendit janë të pabaza. Siria dhe terrori i islamistëve fanatikë, që vjen që andej, nuk e ndryshon faktin që SHBA dhe Evropa kundërshtojnë aneksimin rus të Krimesë dhe agresionin në Donbass.

Por në të njëjtën kohë në Europë dhe në SHBA shtohet padurimi me Ukrainën. Në vizitën e tij në Kiev zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden premtoi ndihma të reja financiare, të cilat vendi duhet t'i shfrytëzojë në rradhë të parë për luftën kundër korrupsionit. Ukraina "duhet ta shfarosë gangrenën e korrupsionit". Përndryshe nuk mund të ndërtohet demokracia. Fjalët e qarta të Biden para parlamentit në Kiev tregojnë, se sa i pakënaqur është Uashington me politikën e deritanishme. Kjo vlen edhe për procesin e paqes në Donbass, si dhe për politikat e reformave në Kiev.

Bilanc i varfër i reformave në Kiev

Për këto tema u diskutua edhe në takimin e Këshillit të Asociimit BE-Ukrainë të hënën në Bruksel, ku mori pjesë kryeministri Arsenij Jazenjuk. Evropianët i ofruan Ukrainës një perspektivë evropiane. Në janar, siç u tha, duhet të hyjë në fuqi marrëveshja e planifikuar e tregtisë së lirë, me gjithë kundërshtimin nga Rusia. Edhe liria e vizave për udhëtimet e ukrainasve në BE mund të jetë hapi tjetër, nëse raporti i progresit për Ukrainën do të marrë një vlerësim pozitiv javën e ardhshme.

Por më shumë se lëvdata ky raport nuk mund të japë. Sepse Kievi i ka shtyrë shumë gjatë masat e domosdoshme, parlamenti i Ukrainës i ka vonuar planet për reforma. Prandaj bilanci i qeverisë së kryeministrit Arsenij Jazenjuk pas një viti punë të rregullt është kaq i dobët.

Bernd Johann
Bernd Johann

Disa projekte të rëndësishme kanë nisur të zbatohen. Ka një forcë të re policore, e cila nuk duhet të jetë më e korruptuar. Kanë nisur reforma në sistemin bankar dhe energjetik, deri tani të njohur për biznese korruptive. Por zbatimi i shumicës së planeve nuk duket gjëkundi. Dhe në parlament në kampin qeveritar po shtohet numri i deputetëve, që dëmtojnë madje bllokojnë reformat. Me të drejtë Biden bëri thirrje në parlamentin ukrainas për ndërgjegjësimin e deputetëve.

Nuk ka më kujdes të tepruar për Ukrainën

As qeveria dhe as presidenti dhe sidomos parlamenti nuk janë përpjekur deri tani sa duhet, që të thyejnë sistemin e korruptuar në Ukrainë. Reforma e nevojshme e drejtësisë sapo ka filluar. Ukraina vazhdon të jetë e kapur nga oligarkët, të cilët me rrjetet e tyre të padukshme luftojnë për pushtet dhe ndikim në politikë dhe ekonomi. Madje edhe prokuroria e përgjithshme dhe shërbimi i fshehtë SBU përshkohen prej tyre.

Prej këtyre strukturave Ukraina duhet të çlirohet. Konflikti me Rusinë në Donbass nuk mund të shërbejë më si justifikim për mungesën e zellit për reforma. Europa dhe SHBA vazhdojnë të jenë përkrah Ukrainës. Por pa reforma të brendshme radikale do të dështojë zgjimi politik. Europa dhe SHBA nuk duhet ta prekin më Ukrainën vetëm me doreza mëndafshi.

Poshtë këtij artikulli mund të shkruani një koment. E mirëpresim mendimin tuaj!