1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Koha që Qipro të largohet nga Eurozona

Eliana Xhani20 Mars 2013

Vendimi i Qipros për të refuzuar planin e shpëtimit nga Eurozona, është një gabim. Ai është një hap drejt humnerës: daljes nga unioni monetar, komenton Bernd Riegert.

https://p.dw.com/p/180eC
Fotografi: picture-alliance/ANP XTRA

Parlamenti qipriot bëri një gabim fatal. Refuzimi i kushteve për paketën e shpëtimit nga Eurozona dhe FMN, do të ketë pasoja të shumta si për Qipron ashtu edhe për 16 vendet e tjera të Eurozonës. Gatishmëria për t'i dhënë 10 miliardë euro ndihmë bankave qipriote buzë falimentimit dhe shtetit thuajse insolvent, ishte një ofertë bujare e BE-së dhe FMN-së.

Por parlamenti në Nikozia, nën trysninë e klientëve të zemëruar të bankave, ndoqi një argumentim thuajse absurd. Nuk ishte fjala për ta vendosur Qipron nën sundimin e një fuqie të huaj apo për të realizuar interesa gjermane për pushtet. Ishte fjala për të mbajtur në jetë shtetin e vogël, i cili deri në qershor nuk do të jetë në gjendje të shlyejë detyrimet e veta.

Qipro ka jetuar mbi mundësitë e veta

Kontributi që duhej të jepte vetë Qipro, rreth 5,8 miliardë euro, ishte i arsyeshëm. Vendimin për të përfshirë klientët e bankave dhe investuesit në mbledhjen e shumës së nevojshme, u mor bashkarisht nga shtetet e Eurozonës, përfshirë qeverinë qipriote. Tashmë është e qartë se Qipro për vite me radhë ka jetuar mbi mundësitë e veta. Modeli i biznesit me taksa të ulëta dhe kontrolle të dobëta të sektorit bankar, për të tërhequr kështu kapital nga jashtë, ka dështuar më e vonëta që prej verës së kaluar. Në atë kohë qeveria e Qipros bëri kërkesë për ndihmë ndërkombëtare, pasi bankat pjesërisht të shtetëzuara kishin gabuar plotësisht me spekulimet e tyre. Borxhet shtetëtore kërcënonin atëherë dhe tani të bëheshin të pamenaxhueshme për shtetin e vogël. Kjo nuk ka ndryshuar aspak edhe pas me gjasë fitores së klientëve të zemëruar të bankave.

Tani Eurozona duhet të rinisë me urgjencë negociatat me Nikozinë, nëse ka ende interes që Qipro të mbetet në unionin monetar. Deri në qershor ka kohë për të gjetur një zgjidhje, pastaj vjen afati i maturimit të obligacionit shtetëror të radhës. Është thuajse e pakuptueshme se si ministrat e financave të Eurozonës gabuan aq rëndë në parashikimet mbi efektet e ofertës së tyre në Qipro. Në adresë të eurogrupit shkojnë kritika për menaxhim të keq dhe gabime të rënda në komunikim.

Rritje taksash në vend të kontributit të detyruar?

Qeveria qipriote ka tani vetëm një mundësi: të gjejë në një fare mënyre paratë. Në vend të një kontributi të detyruar nga bankat, mund të jetë e nevojshme një rritje drastike e taksave. Nëse as kjo nuk do mund të vihet në zbatim, atëherë bankat në gjendje të keqe në Qipro do të falimentojnë. Në këtë rast kursimtarët do të kenë humbje shumë më të mëdha se sa kontributi i detyruar prej 6,75 ose 9,9 për qind, që parashikonte paketa e ndihmës. Nëse bankat falimentojnë dhe bashkë me to edhe shteti qipriot, atëherë Qipro duhet të largohet nga Eurozona. Atëherë 800.000 qipriotë duhet të përpiqen të ngrihen sërish në këmbë me një valutë të re. Një nga pasojat e mundshme është humbja e madhe e vlerave pasurore për shkak të zhvlerësimit të valutës së re.

Nëse Qipro do të detyrohet të largohet nga Eurozona, besimi i investuesve në botë tek bashkimin monetar do të tronditej thellë. Kriza e borxheve në Itali apo Spanjë mund të ndizej përsëri. Besimi i nevojshëm i investuesve tek Eurozona tashmë varet në fije të perit. Besimi tek bankat qipriote thuajse ka humbur. Që prej së enjtes (21.3.) kur bankat do të rihapen, kursimtarët dhe investuesit do të përpiqen të tërheqin sa më shumë para nga sistemi bankar. Edhe kjo mund të çojë në një falimentim më të shpejtë të bankave. Rreziku i përhapjes së krizës është real. Për këtë arsye Qipro është "e rëndësishme për sistemin" edhe pse produkti i përgjithshëm bruto, krahasuar me pjesën tjetër të Eurozonës, është shumë i vogël. Ministrat e financave të Eurozonës tani duhet të hartojnë me çdo kusht një plan për një falimentim të menaxhuar të një vendi dhe largim të tij nga Eurozona.

Çmim i pallogaritshëm

Nëse Eurozona përpiqet me çdo kusht ta mbajë Qipron në unionin monetar, kjo mund të bëjë që vende të tjera në krizë të reduktojnë përpjekjet për kursime dhe konsolidim të buxheteve. Një zhvillim i tillë do të vinte në pikëpyetje të gjithë arkitekturën e shpëtimit dhe besueshmërinë tek Eurozona në pjesën tjetër të botës.

Deputetët në Qipro u mbrojtën kundër Bashkimit të fuqishëm Evropian, por çmimi që duhet të paguajnë për këtë është i pallogarishëm. Ai mund të jetë shumë i lartë. Shumë më i lartë se kontributi i detyruar, të cilin në pjesën më të madhe duhej ta paguanin investuesit e huaj. Gëzimi në rrugët e Qipros do të marrë fund shumë shpejt.

Autor: Bernd Riegert/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi