1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Joachim Gauck ishte presidenti i duhur në kohën e duhur

17 Mars 2017

Joachim Gauck - ish-prift me përvojë në diktaturë, që kurrë nuk u nda nga të dyja dhe kjo i vuri vulën presidencës së tij, mendon kryeredaktori i DW, Alexander Kudascheff. Tani Gauck largohet, e Steinmeier vjen (17.03).

https://p.dw.com/p/2ZLdw
Deutschland | Wahl des Bundespräsidenten | Joachim Gauck
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Hirschberger

Joachim Gauck ishte një President i Gjermanisë me plotëkuptimin e fjalës. Pas dy pararardhësve të tij të pafat - Horst Köhler dhe Christian Wulff - ai i dha sërish autoritet postit të tij. Një autoritet që bazohej në energjinë dhe në fuqinë e fjalës. Gauck tërhoqi vëmendjen me fjalime të frymëzuara dhe frymëzuese. Ai u përpoq t'u bëjë të qartë gjermanëve se cili është roli që duhet të luajnë në botë, si shihen gjermanët nga të tjerët, çfarë pritet prej tyre.

Predikuesi

Dhe ish-priftin nuk e lëndojmë, kur konstatojmë: shpesh fjalimet e tij qenë predikime, paralajmërime, fjalime nga një katedër imagjinare në kishë. Dhe meqenëse Gaucku qe një njeri shumë emocional, një njeri jashtëzakonisht sentimental, ai e la veten që ta pushtojnë e ta marrin me vete ndjenjat. Kjo nuk u pëlqente të gjithëve, por njëkohësisht ajo i dha postit një ngjyrim njerëzor.

Por ishte pikërisht kjo që e bëri atë një President federal me plotëkuptimin e fjalës. Një njeri të fjalës, një njeri, i cili i tregonte ndjenjat e tij, një njeri, i cili i kujtonte qytetarët, një njeri që thoshte edhe gjëra të parehatshme - që e tregonte qendrimin e tij. Si në rastin kur nuk i vizitoi në mënyrë demonstrative Lojërat Olimpike të Dimrit në Soçi të Rusisë - dhe për të gjithë ishte e qartë se me këtë ai demonstroi kundër politikës ruse, politikës ekspansioniste të Putinit. Si në rastin kur e quajti gjenocid masakrën e armenëve në Turqi në Luftën e Parë Botërore - duke shkaktuar në këtë mënyrë një skandal diplomatik me Turqinë. Ose pikërisht këto ditë, kur priti në mënyrë demonstrative refugjatin turk Can Dündar ose kur u angazhua për gazetarin gjerman të arrestuar në Turqi, Deniz Yücel.

Alexander Kudascheff
Alexander Kudascheff

Gauck, Presidenti që po largohet nga posti, ishte një njeri i fjalës, një njeri i gjesteve të menduara me kujdes, një demokrat që ngjallte debat edhe vetë në postin e papartishëm të Presidentit. Një i angazhuar dhe herë pas here edhe i angazhuar me pasion. Një njeri me kurajë, një njeri, i cili i doli përballë turmës së pacivilizuar të racistëve në Lindje të Gjermanisë, i cili nuk u spraps, edhe kur situata u bë e parehatshme. Në këtë kuptim, Gauck ishte republikani i parë në shtet. Ai i donte vlerat e republikës, demokracinë e aftë që të mbrojë veten, paprekshmërinë e dinjitetit të njeriut. Ndërgjegjia e tij e papërulshme protodemokratike ishte e pakorruptueshme - dhe rezultat i jetës së tij në diktaturën gjermanolindore.

Një qytetar i parë i papërshtatur

Gauck ishte një President në kohën e duhur. Një njeri i fjalëve të duhura dhe i sinjaleve në momentin e duhur. E megjithatë ai ishte një njeri jashtë kohës. Një President, me konture të parrafshuara në përditshmërinë politike, në të cilat shpesh zhduken qoshet dhe konturet. Po, ai ishte një qytetar i parë i papërshtatur i Gjermanisë. Që ai hoqi dorë nga mandati i dytë, kjo ka të bëjë me moshën e tij. Shumica dërrmuese e gjermanëve do ta kishte parë atë me dëshirë edhe më tej në Pallatin Bellevue. Gauck e kuptoi se ndoshta fuqitë e tij nuk do të mjaftonin për këtë. Edhe për këtë i takon një falenderim. Ai vuri postin mbi personin e tij.