1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Debati për migrimin - Përpara në betejën vendimtare

Max Hofmann
30 Gusht 2018

Presidenti Macron e pranoi ftesën për duel të kryeministrit hungarez, Viktor Orban e ministrit të Brendshëm italian, Matteo Salvini. Veprimi i duhur, mendon Max Hofmann. Populistëve duhet t'u dalësh ballë me ashpërsi.

https://p.dw.com/p/342ZF
Italien Matteo Salvini empfängt Viktor Orban
Fotografi: Getty Images/AFP/M. Bertorello

Emmanuel Macron është në krye të kampit që "mbështet imigrimin", është i mendimit kryeministri hungarez, Viktor Orban. Ai dhe ministri i Brendshëm italian, Salvini janë ata "që duan t'i japin fund imigrimit ilegal". Ky është budallallëk, sepse Franca po ashtu kërkon të ndalë migrimin ilegal e Macron për shembull me qëndrimin e tij ndaj migrantëve ka marrë shumë kritika në vendin e tij. Por të paktën kështu duket sikur frontet janë të qarta. E duket sikur me këtë fillon beteja e fundit për temën sunduese të kohës. Të paktën të shpresojmë.

Ashpërsisë i duhet përgjigjur me ashpërsi

Nga njëra anë pra kemi "ata që duan t'i japin fund imigrimit ilegal". Ndryshe, populistët e djathtë, që po punojnë për demokracitë iliberale në vendet e tyre. Nga ana tjetër "përkrahësit e migrimit", rreth e rrotull Macron, ndryshe mund të thuash edhe demokratët e vërtetë të Europës. Pra ata që e kanë kuptuar, se kompromiset janë të nevojshme për ta çuar përpara Bashkimin Europian.

Fjalëshumët i ndihmon kjo ndoshta për zgjedhjet, por jo për zgjidhjen e problemeve jo. Me që ra fjala: Fjalëshumët. Që Orban dhe Salvini paraqiten si çifti i mrekullueshëm populist për shpëtimin e Perëndimit, është në vetvete një arsye për t'ia plasur të qeshurit - sikur nuk do të ishte e trishtueshme. Të dy i bashkon vetëm stili i pakompromis, harbut dhe i mbushur me urrejtje. Sepse për çështjen në fjalë ata kanë qëndrime tërësisht të ndryshme. Salvini dëshiron që vendet e tjera të BE-së të pranojnë refugjatët që vijnë në Itali, dhe me këtë është më pranë Angela Merkelit se sa kryeministrit hungarez. Orban nuk dëshiron të pranojë asnjë emigrant të vetëm dhe dëshiron t'i kthejë ata në vendet e origjinës. Që kjo do t'i hedhë në erë dikur këto aleanca të reja, këtë e vëren edhe presideni francez.

Por që kjo të ndodhë duhet të fillojë dikush t'i vërë nën presion populistët. Deri më tani pjesa tjetër e BE-së duket sikur është vërë përpara nga Lega nord, AfD, Fidesz e të tjerët. Nga frika e suksesit të tyre, ka parti tradicionale që kopjojnë recetat e këtyre partive monotematike. Kjo është rruga e gabuar! Kursi i duhur është ai që po ndjek Macron. Ashpërsisë i duhet përgjigjur me ashpërsi, pa e dorëzuar pozicionin tënd dhe pa kërkuar falje për pozicionet proeruopiane. Me këtë presidenti i ri i mundi edhe kundërshtarët populistë të djathtë në vendin e tij.

Hofmann Max Kommentarbild
Max Hofmann

Të zbulohet mungesa e kompetencës dhe kundërshtitë

Shumica e europianëve të heshtur deri më tani ka nevojë që të dalë në krye, ka nevojë për dikë që lufton për vlerat europiane, që kanë siguruar mirëqenie dhe paqe në BE. Dikë që nuk ka frikë të futet në duel. Megjithë problemet që e mundojnë Francë, ky njeri është Emmanuel Macron. "Nuk do të lëshoj asnjë centimetër para nacionalistëve dhe atyre që mbajnë fjalime urrejtjeje", tha Macron në vizitën e tij në Danimarkë. "Dhe nëse duan të më shohin si kundërshtarin e tyre kryesor, kanë të drejtë."

Bindjet e proklamuara pa frikë dhe me kaq fuqi kanë potencialin të bashkojnë njerëzit dhe t'u japin një zë. Ato kanë forcën t'i zbulojnë dallimet e mbuluara keq që kanë mes tyre populistët e ndryshëm dhe t'u tregojnë europianëve, se Salvini&Co nuk kanë shumë për të ofruar. Ata nuk ia kanë idenë qeverisjes konstruktive- këtë e treguan këto tre muaj qeverisjeje të koalicionit aktual në Itali. Po ashtu nuk dinë se si t'i zgjidhin problemet me papunësinë, ndryshimin e klimës, varfërinë. Vitin e ardhshëm zhvillohen zgjedhjet europiane. E ardhmja e BE-së varet shumë nga ajo që shumica e europianëve ta kuptojnë mungesën e kompetencës dhe kundërshtitë e politikës populiste. Macron është gati për këtë betejë vendimtare.