Kodi i ri elektoral - në disfavor të partive jashtë koalicioneve
3 Shkurt 2009Kodi i ri elektoral që po zbatohet për zgjedhjet paralementare parashikon mjaft ndryshime në mënyrën e votimit dhe të përllogaritjes së votave. Një qytetar me të drejtë vote do të ketë në dorë vetëm një fletë ku do të zgjedhë subjektin që ai preferon. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ketë përbërje të re dhe mandati i anëtarëve do të jetë i ndryshëm nga ai i deritanishëm. Ndërkohë që subjektet konkururese janë të shtrënguara që të dalin në votime më mirë në kuadër koalicioni. Pikërisht ky aspekt i fundit i shtyn vëzhguesit e zgjedhjeve të parashikojnë vështirësi për partitë që nuk do të grupohen rreth dy më të mëdhenjëve PD e PS.
Analisti Andi Bejtja, drejtor i lajmeve në Televizionin Kombëtar Klan, thotë për DW-në se kjo është një e metë serioze kodit të ri elektoral.
"Sistemi rajonal proporcional është i parakohshëm për Shqipërinë. Për demokracinë e brishtë shqiptare që ka nevojë ende për daljen në horizont të ndonje force të re politike. Me këtë kod bëhet shumë e vështirë, pasi duhen për një subjekt 10 mijë firma para noterit, e procedura të tjera teknike që parashikohen dhe që e bëjnë të komplikuar procesin. Kurse për kandidatët e pavarur kjo skemë ia bën futjen në garë thuajse të pamundur. Më kryesorja është që dy liderët kryesore të politikës, Berisha e Rama, ose kushdo pas tyre nesër bëhen padronë jo vetëm të PD e PS. Ata do të jenë gjithashtu dhe padronë respektivë të së djathtës e të majtës. Atëhere kryetarët e partive të vogla do të shndërrohen në deputetë të thjeshtë dhe shërbëtorë të këtyre padronëve".
Politologu dr. Ermal Hasimja, në Universitetin Europian të Tiranës, mendon se zbatimi i këtij kodi do të sjellë dhe reduktim të votës reale për partitë jashtë koalicioneve të mëdha.
"Ky sistem elektoral inkurajon dhe mbështet e përforcon përformancën e partive të vogla që futen në zgjedhje me njërën prej dy partive të mëdha. Në anën tjetër partitë që janë jashtë këtyre grupimeve, sic është dukshëm rasti i LSI-së, ndëshkohen e penalizohen duke reduktuar votën e tyre reale".
Dr. Hasimja thotë për DW-në se në procesin paszgjedhor dy partitë e mëdha do të kenë nevojë për votat e LSI-së apo të grupimit që po kristalizohet tek e djathta, Poli i Lirisë:
"Hiq rastin e një fitore spektakolare nga e djathta ose e majta, kjo është përjashtuar për mendimin tim, ato do të kenë nevojë për LSI-në dhe Polin. Këto të fundit do të kenë një peshë specifike të tyren, jo që të vendosë për fatin e zgjedhjeve, por për të vendosur për projektet e mëdha të qeverisë së ardhshme. Për ligje të rëndësishme e marrëveshje të mëdha ku kërkohet një konsensus më të gjerë."
Analisti Andi Bejtja, shikon LSI-në , si partinë e tretë në vend, mjaft ndikuese e përcaktuese në rezultatin e së majtës. Por nuk është kështu në krahun e djathtë.
"As PD e as PS nuk do të mund të kapin 50 plus 1 përqind për krijimin vetmasi të qeverisë së ardhshme. Kështu duken dhe rezultatet e sondazheve të deritanishme. LSI duke qënë realisht forcë e tretë, ajo do të jetë përcaktuese në krijimin e qeverisë së ardhshme në rast të fitores nga e majta. Nuk dima akoma që Poli i Lirisë të jetë kaq ndikues në rezultatin e së djathtës".
Kur kanë mbetur dhe më pak se 5 muaj nga dita e zgjedhjeve parlamentare priten zhvillime si në konfiguracionin politik në tërësi, ashtu dhe për koalicionet e subjektet në veçanti.