Koalicion i gjerë në duelin televiziv
9 Maj 2014Në konfliktin e Ukrainës, kryekandidatët për zgjedhjet evropiane më 25 maj, janë shprehur për negociata, duke mos e përjashtuar në të njëjtën kohë mundësinë e sanksioneve kundër Rusisë. Jean-Claude Juncker, i cili kandidon për konservatorët evropianë, tha në duelin televiziv të kanalit të dytë televiziv gjerman (ZDF), se vendet e BE-së duhet të tregojnë solidaritet kur vende të caktuara anëtare do të goditen më shumë se sa tjerat nga efektet e sanksioneve ekonomike.
Junker dhe rivali i tij socialdemokrat Martin Schulz (SPD) gjithashtu deklaruan njëzëri se në vitet e ardhshme nuk presin pranimin e shteteve të reja anëtare në BE. Në përgjithësi, të dy kandidatët ishin kryesisht të një mendjeje rreth shumicës së temave të diskutuara në debat. Schulz dhe Junker konsiderohen si kandidatët kryesor për postin e presidentit të ardhshëm të Komisionit Evropian.
Mospajtime për konkurrencën tatimore
Vetëm kur është fjala për taksat, kishte mosmarrëveshje të mëdha: Junkers u shpreh për një konkurrencë të taksave në mes të shteteve të BE-së. "Unë nuk pajtohem fare", theksoi Schulz në anën tjetër. "Konkurrenca e ndërsjellë mes shteteve për shkallën më të ulët të tatimit u sjell fitim vetëm pronarëve të mëdhenj të kapitalit", tha socialdemokrati Schulz. Qytetarët janë lodhur nga zhvendosja e firmave në vende me taksa më të ulëta.
Në përgjithësi, Schulz u tregua më agresiv. "Jean-Claude Juncker është për një Evropë që takohet me dyer të mbyllura", kritikoi presidenti i Parlamentit të BE-së kundërshtarin e tij, ish-kryeministrin e Luksemburgut. "Unë e kam njohur Martin Schulz-in pas dyerve të mbyllura" reagoi Junker, i cili më shumë u prezantua si një burrështetas.