1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Schäuble dhe Cipras bisedojnë me njëri-tjetrin

Panajotis Kouparanis/ Auron Dodi15 Janar 2013

Ministri gjerman i Financave ngul këmbë në programin e kursimeve për Greqinë, drejtuesi i majtë i opozitës greke Cipras e sheh pikërisht këtu shkakun për vazhdimin e krizës. Tani ata u takuan në Berlin.

https://p.dw.com/p/17Jyb
Aleksis Cipras në Berlin
Aleksis Tsipras në BerlinFotografi: picture-alliance/dpa

"Lista të Merkelit", kështu e ka zakon t'i quajë në vendin e tij drejtuesi i opozitës greke, Aleksis Cipras shkurtimet e rrepta të buxhetit, që kreditorët ndërkombëtarë i kanë vendosur Greqisë. Fajin e ka kursi i politikës financiare të kancelares gjermane, mendon Cipras që Greqia nuk arrin të verë nën kontroll problemet e saj. Veç kësaj, ky kurs mund të çojë në një recesion evropian, paralajmëron drejtuesi i Aleancës së Majtë SYRIZA.

## Angela Merkel dhe anëtarët e qeverisë federale, nga ana tjetër, vitin e kaluar ndërmorën disa gjëra për të penguar që Ciprasi të fitonte në zgjedhjet parlamentare në Greqi. Mbështetja ndërkombëtare për partinë Nea Dimokratia solli një fitore të ngushtë të saj. Tani shtrohet gjithnjë e më me ngulm çështja, nëse koalicioni i drejtuar prej kësaj partie do t'i mbijetojë politikisht muajt e ardhshëm. Masat e kursimit do të shpalosen këtë vit me të gjithë fuqinë e tyre, vetëm papunësia do të ngjitet në mbi 30 përqind. Veç kësaj, në dritë dalin gjithnjë e më shumë raste korruptive, të cilat prekin para së gjithash anëtaren e koalicionit PASOK.

Një qeveri SYRIZA është e përfytyrueshme

Një qeveri e drejtuar nga aleanca e majtë SYRIZA nuk duket më e papërfytyrueshme. Por politika e saj u duket shumë vetëve në BE ekstremiste. Megjithatë, në një BE të ndërthurrur ngushtë, të gjitha qeveritë duhet të merren vesh me njëra-tjetrën. Këtë e ka kuptuar ndërkohë edhe shefi i SYRIZA-s, Cipras, dhe prandaj ai u përpoq të zhvillonte një bisedë me ministrin gjerman të Financave, Wolfgang Schäuble. Sepse mund të ndodhë që SYRIZA të formojë së shpejti qeverinë në Athinë dhe për këtë Cipras dëshiron të jetë i përgatitur. "Ne tani duhet të shohim, nëse ekziston një bazë parimore për negociata", thotë drejtuesi i opozitës për DW. "Unë do të përpiqem ta bind partnerin tim të bisedimeve dhe qeverinë gjermane se ka nevojë për një ndryshim të politikave, për ta ruajtur eurozonën dhe natyrisht Greqinë brenda saj."

Aleksis Cipras me mbështetës në Berlin
Aleksis Cipras me mbështetës në BerlinFotografi: DW/P. Kouparanis

Për të mos e lënduar qeverinë greke, Wolfgang Schäuble pyeti para takimit në Athinë nëse qeveria kishte gjë kundër një takimi me Ciprasin. Ajo nuk kishte gjë kundër. Megjithatë, socialistin e majtë Cipras e krahasojnë edhe me presidentin e Venezuelës, Hugo Chavez. Prandaj kritikët shtruan pyetjen nëse pritja e Ciprasit nuk e vlerëson shumë këtë të fundit. Zëvendëszëdhënësi i qeverisë, Georg Streiter u përgjigj lirshëm se për ministrin gjerman të Financave ky nuk përfaqësonte ndonjë aspekt - ai dëshiron thjesht "të ndërmarrë çdo përpjekje të mundshme për ta mbështetur programin grek të reformave. Në këtë rast flitet edhe me njerëz, për të cilët nuk ke shpresa të mëdha, por të vogla."

Wolfgang Schäuble, ministri gjerman i Financave
Wolfgang Schäuble, ministri gjerman i FinancaveFotografi: Johannes Eisele/AFP/Getty Images

Ministria gjermane e Financave tha që Wolfgang Schäuble çmoi në bisedën me Ciprasin vlerësimin e tij për përpjekjet "e mëdha" për reforma në Greqi. Ai nguli këmbë që ato janë të nevojshme, në mënyrë që vendi të mbetet në eurozonë. Prandaj programi i reformave duhet të mbështetet nga të gjitha forcat politike. Nuk pritet që ky apel të gjejë mbështetje. Po Aleksis Cipras mësoi të paktën nga një dorë e parë atë që mendon qeveria gjermane për çështjen greke.